Haki Abazi, kandidat për deputet nga koalicioni AAK-Nisma, konsideron se raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë në gjendje alarmi.
Këtë bindje, ai e ka shprehur gjatë emisionit “Debat Përnime”, më 27.01.2025, duke u mbështetur në vizitën e fundit që ka pasur në ShBA së bashku me kandidatin për kryeministër, Ramush Haradinaj, me rastin e ceremonisë së inaugurimit të presidentit amerikan, Donald Trump.
“Nuk mendoj që është vetëm çështje e debatit elektoral. Sot, me krejt përgjegjësinë po u them se nga vizita e fundit pesëditore me z.Haradinaj, në takime në Departamentin e Shtetit, në Kongres, Senat, Komisionin për çështje të politikës së jashtme të Amerikës dhe në Sekretarinë e Mbrojtjes, alarmi është shumë i madh. Nuk mundem t’ua shpjegoi se sa janë të hidhëruar e të dëshpëruar për raportin e keq që ka ndërtuar kjo qeveri me institucionet amerikane”- tha Abazi.
Në kuadër të këtij raporti, diskutimi u ngrit edhe për çështjen e helikopterëve që Kosova ka blerë nga SHBA-ja. Mirëpo, sipas Abazit, as për këtë çështje nuk ka asnjë hapë konkret.
“Çështja e helikopterëve është një kërkesë dhe zotim i ministrit të Mbrojtjes që është vendosë në tavolinë në vizitën e fundit të tij, por nuk ka asnjë hap konkret për çështjen e helikopterëve”- thotë ai.
Sipas Abazit, raport i njëjtë qëndron edhe me Bashkimin Europian (BE). “Nuk mund të këtë hapa drejt heqjes se sanksioneve me një mendësi të tillë qeverisëse”, thotë ai.
Derisa Kosova është nën masa ndërkombëtare, Abazi përmendi investimet që po behën në shtetet fqinje.
“Investime marramendëse në të gjitha aspektet në Shqipëri, investime në Serbi, ndërsa Kosova nën sanksione të plota, përfshirë edhe mbylljen e dyerve për takime”, është shprehur Abazi.
Kryeministri i Kosovës, sipas tij, nuk ka qenë në gjendje ta bëjë as edhe një shtrëngim dore me liderët e BE-së gjatë pjesëmarrjes në Davos.
“Janë harxhuar 350 mijë euro në momentin e fundit sa për sy e faqe për popullzim, jo për objektiva të qarta për politiken e jashtme”- tha ai.
Ndërsa, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë dritën e gjelbër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në blerjen e helikopterëve, radarëve dhe mbrojtjes ajrore – kishte deklaruar Ministria e Mbrojtjes me 15.01.2025.
Siç ka njoftuar Ministria, kjo është konfirmuar nga vizita zyrtare në SHBA e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
“Mbështetja e SHBA-së përbën një shtyllë të rëndësishme për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e Kosovës, si një vend me vizion euroatlantik. Mirënjohje të thellë për aleatin tonë të përhershëm, SHBA-në, për ndihmën dhe besimin e vazhdueshëm.” – citohet ministri Maqedonci, në postimin e publikuar më 15.01.2025 nga Ministria e Mbrojtjes.
“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “DebatPërnime”, në nisje të debatit ku u diskutua për politikën e jashtme tha se “Donika Gërvalla si ministre e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca si Kryetar i Kuvendit, Vjosa si Kryetare, deri tani edhe komplet Qeveria Kurti 2, me gjithë respektin ndaj tyre, janë udhëheqësia e parë pas shpalljes së Pavarësisë që po e përfundon mandatin e plotë pa asnjë njohje të vetme”.
Për më shumë lexoni në tekstin në vijim:
https://kallxo.com/gjate/angazhim-te-emisareve-speciale-per-njohje-dhe-dergim-te-draftit-te-asociacionit-ne-kushtetuese-plani-i-koalicionit-aak-nisma-per-politiken-e-jashtme/