Etiketë: ShBA

  • Ministri i Mbrojtjes dhe Komandanti i FSK-së udhëtojnë për në SHBA

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari po qëndrojnë në vizitë zyrtare në SHBA. 

    Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se gjatë kësaj vizite Maqedonci do të zhvillojë takime të nivelit të lartë në Departamentin e Mbrojtjes, në Departamentin e Shtetit dhe në Senatin e SHBA-së. 

    “Këto takime po zhvillohen në kuadër të fuqizimit të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-së, në fushën e Mbrojtjes dhe të Sigurisë.” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes, më 13.01.2025.

  • Biden bisedon me Netanjahun, lidhur me Gazën

    Presidenti amerikan, Joe Biden bisedoi të dielën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, tha një burim në dijeni të kësaj çështje, ndërsa zyrtarët amerikanë po përshpejtojnë përpjekjet për të arritur një marrëveshje për lirimin e 98 pengjeve, si dhe për armëpushim në Gazë, përpara se zoti Biden të largohet nga detyra, më 20 janar.

    Në një deklaratë të Zyrës së Kryeministrit izraelit thuhej se zoti Netanyahu e informoi zotin Biden mbi progresin në bisedime, si dhe mandatin që i ka dhënë një delegacioni të nivelit të lartë që ndodhet në Doha të Katarit – me qëllim për të avancuar në arritjen e marrëveshjes.

    Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Biden, Jake Sullivan tha për rrjetin televiziv CNN më herët të dielën se palët ishin “shumë, shumë pranë” arritjes së një marrëveshjeje.

    Ai tha se zoti Biden po informohej në mënyrë të vazhduar mbi bisedimet në Doha, ku sipas zyrtarëve izraelitë dhe palestinezë, që nga e enjtja se është bërë njëfarë përparimi në bisedimet indirekte mes Izraelit dhe grupit militant Hamas.

    “Ne jemi ende të vendosur të përdorim çdo ditë që kemi në detyrë për arritjen e një marrëveshjeje dhe nuk do ta lëmë mënjanë këtë çështje në asnjë mënyrë.” – tha zoti Sullivan.

    Ai shtoi se ka ende një shans për të arritur një marrëveshje, përpara se zoti Biden të largohet nga detyra, por sipas tij ekzistonte gjithashtu mundësia që “Hamasi, në veçanti, të mos pajtohej me kushtet e marrëveshjes”.

    Izraeli filloi sulmin e tij në Gazë, pasi luftëtarët e Hamasit sulmuan shtetin hebre në tetor të vitit 2023 – duke vrarë 1200 persona dhe marrë më shumë se 250 të tjerë.

    Që atëherë, më shumë se 46,000 njerëz janë vrarë në Gazë – sipas zyrtarëve palestinezë të Shëndetësisë, që kontrollohet nga Hamasi.

    Nënpresidenti i zgjedhur JD Vance tha për rrjetin televiziv “Fox News” se ai pret që një marrëveshje për lirimin e pengjeve amerikane që ndodhen në Lindjen e Mesme, të shpallet në ditët e fundit të administratës Biden, deri 2 ditë përpara.

    Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka mbështetur fuqishëm objektivin e zoti Netanjahu për të shkatërruar Hamasin. Ai ka premtuar se do të sjellë paqe në Lindjen e Mesme, por nuk ka dhënë detaje se si do ta arrinte këtë qëllim./VOA

  • Trump zotohet të anulojë Vendimin mbi Ndalimin e shpimeve të naftës dhe të gazit në det

    Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump thotë se pasi të marrë detyrën, më 20.01.2025, do të anulojë Vendimin për Ndalimin masiv të shpimeve për naftë dhe gaz në det.

    Presidenti Joe Biden e njoftoi Vendimin e tij, i cili përfshin Ndalimin e shpimit në shumicën e ujërave bregdetare amerikane më 6 janar. Korrespodentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias sjell qëndrimet politike dhe mendimet e ekspertëve mbi këtë çështje.

    Përfitimet nga shpimet për naftë dhe gaz në det nuk kanë aq vlerë sa të vihet në rrezik mjedisi, shëndeti dhe ekonomia – thotë presidenti Joe Biden, veçanërisht në një kohë që vendi po përparon drejt energjisë së pastër.

    Më 6 janar, presidenti Biden njoftoi një ndalim të ri në shkallë të gjerë të shpimeve për gaz dhe naftë në ujërat federale në një sipërfaqe prej rreth 253 milion hektarësh. Ky Vendim prek shumicën e ujërave bregdetare amerikane.

    “Do ta anulojë menjëherë. Do të veprohet menjëherë.” – u shpreh presidenti i zgjedhur, Donald Trump.

    President i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara u zotua menjëherë se do ta anulojë Vendimin e pararendësit dhe do të rrisë shpimet për naftë dhe gaz në det, pasi të marrë detyrën më 20 janar.

    “Por, ne do t’i vazhdojmë shpimet. Do të bëjmë shpime në shumë zona të tjera dhe kostot energjitike do të vijnë duke rënë.” – u shpreh zoti Trump.

    Por ekspertët ligjorë thonë se anulimi i Vendimit mund të mos jetë shumë i lehtë, sepse ka të ngjarë që të duhet të vihet në lëvizje Kongresi.

    Ndërkohë, ambientalistët thonë se kjo masë e fundit (e Administratës së presidentit Biden) do të ndihmojë në luftimin e ndryshimeve klimatike.

    “Shkenca e ka bërë të qartë se çdo shtim i lëndëve fosile bie ndesh me luftën kudër ngrohjes së globit, një kufizim prej deri në 1.5 gradë Celcius, prag që u vendos në Traktatin e Klimës në Paris, në mënyrë që të parandalohet përshkallëzimi i zjarreve në pyje, uraganëve dhe fatkeqësive të tjera klimatike.” – shprehet Allie Rosenbluth nga grupi Oil Change International.

    Zoti Trump ka shprehur më parë skepticizëm rreth ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu. Përkrahësit e industrisë së naftës për shpimet në det e vlerësojnë qëndrimin e Presidentit të zgjedhur.

    “Ka një kërkesë prej 100 milionë fuçish në ditë për ekonominë globale dhe nëse nuk do ta prodhojmë atë energji këtu në SHBA, ajo do të prodhohet diku tjetër dhe ne besojmë se kemi standarde të larta kur bëhet fjalë për mbrotjen e mjedisit.” – shprehet Erik Milito, presidenti i organizatës “National Ocean Industries Association”.

    Profesori i biologjisë detare në Universitetin Duke, Andy Read e pranon se bota ka nevojë për naftë, tani për tani.

    “Nuk mund të kalojmë menjëherë në energji të pastër. Do të marrë pak kohë. Edhe pse tani duket sikur ka një prirje për të bërë hapa pas, mendoj se në perspektivën afatgjatë po shkohet drejt burimeve të energjisë së pastër.” – thotë zoti Read.

    Profesori Read vë në dukje se kalimi drejt energjisë së pastër do të ndodhë me apo pa udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara./VOA