Etiketë: arianit koci

  • Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna thotë se nuk i kujtohet takimi me Prokurorinë

    Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, më 14.01.2025, ka filluar dëshminë Sokol Dobruna, ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së.

    Në pyetjen e prokurorit John Capin se ‘A i kujtohej takimi me Prokurorinë, në vitin 2018?’ – dëshmitari Sokol Dobruna deklaroi se ‘Nuk i kujtohej’.

    “A mund të konfirmoni për Trupin Gjykues se a i keni dhënë deklaratë ZPS-së në vitin 2018. E konfirmoni këtë?” – pyeti prokurori Capin.

    “Nuk më kujtohet.” – u përgjigj dëshmitari Dobruna, ish-kryetar i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së.

    Tutje, prokurori Capin pyeti dëshmitarin Dobruna, nëse i kujtohej që ishin takuar në muajin nëntor të vitit 2024.

    Lidhur me këtë dëshmitari Dobruna tha se i kujtohej, ndërsa në pyetjen se a i kujtohej që në atë takim i ishte lexuar Deklarata e tij e dhënë në vitin 2018. Dëshmitari Dobruna tha se “Nuk i kujtohej”.

    Dëshmitari Dobruna pohoi se i kujtohej takimi përmes videolinkut me Prokurorin, mirëpo tha se nuk i kujtohej nëse kishte qenë prezent në atë takim avokati i tij, Arianit Koci.

    Tutje, prokurori Capin pyeti dëshmitarin Dobruna nëse i kujtohej takimi në nëntor të vitit 2024 dhe nëse i kujtohej se çfarë i kishte thënë ai Prokurorit.

    “A e mban mend që ti më the që të kujtohej që ishim takuar në nëntor të 2024-tës?” – pyeti prokurori Capin në pyetjen e radhës. Për këtë Dobruna u përgjigj duke thënë se “Nuk më kujtohet”.

    “Po, a të kujtohet që mua më the që e mbaje mend që në nëntor të 2024-tës ne të kishim lexuar të gjithë Deklaratën që kishe dhënë më 2018? Më the që e mbaje mend këtë?” – pyeti Prokurori.

    Lidhur me këtë, dëshmitari Dobruna kërkoi që t’i lexohet Deklarata në mënyrë që t’i kujtohet.

    Prokurori vazhdoi tutje duke i rikujtuar dëshmitarit Dobruna e duke e pyetur nëse i kujtohet që ai i kishte thënë se leximi i Deklaratës së dhënë më herët ishte diçka e lodhshme dhe po e lodhte shumë atë.

    Dobruna lidhur me këtë u përgjigj duke thënë “Me siguri po”.

    Prokurori Capin pyeti dëshmitarin nëse i kujtohej se këtë gjë ia kishte thënë të premten, më 10.01.2025? Dëshmitari Dobruna tha “Jo”.

    Dëshmitari Dobruna tha se nuk i kujtohet që Prokurori dhe avokati Koci i kishin thënë që qëllimi i takimit të tyre ishte që të bëjë disa sqarime për Deklaratat.

    Prokurori Capin i bëri pyetje dëshmitarit, duke i thënë se a i kujtohet që iu ishin lexuar Deklaratat e dhëna në të shkuarën dhe se ka pasur korrigjime.

    “E di që ka pasë korrigjime mjaft, por nuk më kujtohet se cilat korrigjime.” – u përgjigj Dobruna.

    “A ju kujtohet se unë ju lexova juve një dokument, me të gjitha korrigjimet që kishit bërë ju?” – pyeti prokurori Capin. Dobruna u përgjigj me “Jo”.

    Dëshmitari  Dobruna u përgjigj me “Jo”, edhe kur u pyet nga Prokurori nëse i kujtohej që një përkthyes i ka lexuar një përmbajtje të deklaratave të mëparshme.

    Pas kësaj avokati Koci kërkoi nga Trupi Gjykues që për një kohe të shkurtër të shkojnë në seancë të mbyllur dhe këtë e aprovoi Trupi Gjykues.

    Në këtë rast, çështja po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor.

    Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023 .

    Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për “krime kundër njerëzimit”: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

    Sipas Aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999, në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe në Cahan të Shqipërisë.

    Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave – ndjekur nga ekipet e mbrojtjes, më 4 e 5 prill 2023.

    Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

    Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar në këtë rast mbi 300 dëshmitarë.

    Raportimet e tjera të KALLXO.com, lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni në këtë LINK.

     

     

  • Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, fillon dëshminë Sokol Dobruna, ish-Kryetar i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së

    Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, më 14.01.2025, ka filluar dëshminë Sokol Dobruna, ish-Kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së.

    Kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith III tha se dëshmia e dëshmitarit Dobruna pritet që të zgjasë dy ditë.

    Sipas tij, Prokurori ka parashtruar se i duhet rreth një orë për pyetje, ndërsa ekipet e mbrojtjes kanë parashtruar se i duhen gjashtë orë për pyetje për dëshmitarin Dobruna.

    Në Dhomat e Specializuara të Hagës Dobruna po përfaqësohet nga avokati Arianit Koci.

    Në këtë rast, çështja po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor.

    Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023 .

    Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për “krime kundër njerëzimit”: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

    Sipas Aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999, në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe në Cahan të Shqipërisë.

    Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave – ndjekur nga ekipet e mbrojtjes, më 4 e 5 prill 2023.

    Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

    Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar në këtë rast mbi 300 dëshmitarë.

    Raportimet e tjera të KALLXO.com, lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni në këtë LINK.

  • Koci: Pasi u rikthye në punë, hetuesit Idriz Gashi iu vazhdua suspendimi pa afat

    Hetuesi policor Idriz Gashi, i cili u rikthye në punë gjatë ditës pas suspendimit që iu bë nga Policia e Kosovës, i është vazhduar masa e suspendimit.

    Kështu ka njoftuar avokati i Gashit, Arianit Koci.

    Përmes një njoftimi në Facebook, Koci ka thënë se Gashit i është rikthyer arma dhe legjitimimi policor sot, më 10.01.2025, në ora 12:22, pasi kishte përfunduar afati i suspendimit.

    Koci pretendon se vazhdimi i suspendimit të Gashit i është dhënë përmes një vendimi të ri, të cilin Koci e vlerëson “të paligjshëm”.

    “Megjithatë, pas përfundimit të orarit të punës, i është dorëzuar një vendim i ri, i paligjshëm, për vazhdimin e masës së suspendimit, pa afat dhe pa të drejtë ankese. Ky veprim përbën shkelje të rëndë të ligjit, pasi zgjatja e masës së suspendimit mund të bëhet vetëm brenda afatit të përcaktuar” – ka shkruar Koci në Facebook më 10.01.2025.

    Koci konsideron se kjo situatë tregon qartë elemente të një persekutimi ndaj një hetuesi të angazhuar në trajtimin e rasteve më të mëdha të korrupsionit.

    “Një shkelje e tillë është e papranueshme dhe cenon jo vetëm integritetin e Policisë së Kosovës, por edhe besimin në gjithë sistemin juridik të vendit” – ka përfunduar Koci.

    Gjatë ditës, KALLXO.com raportoi për rikthimin në punë të hetuesit policor Idriz Gashi, të cilin e kishte njoftuar Koci.

    “Drejtësia gjithmonë triumfon, dhe kësaj here, fatmirësisht, pa vonesë. Hetuesi policor Idriz Gashi nuk ka marrë pjesë në asnjë tubim elektoral. Si rezultat, siç kam parashikuar, rreshteri Gashi rikthehet në detyrat e tij policore”- kishte njoftuar Koci në Facebook.

    KALLXO.com gjatë ditës së sotme raportoi po ashtu se do të bëhet kallëzim penal në lidhje me pretendimet se Gashi mori pjesë në një aktivitet politik në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës.

    Kallëzimi ende nuk është dorëzuar siç i ka thënë Kallxo.com avokati Koci.