Etiketë: armëmbajtje pa leje

  • Policia i gjen pushkën e gjuetisë një personi në veturë

    Një pushkë gjuetie me nëntë fishekë është gjetur brenda një veture e cila është kontrolluar nga policia.

    Më 18.01.2025, një njësi policore kishte ndaluar një veturë në fshatin Drelaj në Pejë. Gjatë kontrollit, është gjetur dhe sekuestruar një armë, pushkë gjuetie me 9 fishekë.

    Sipas personit që voziste veturën e ndaluar nga policia, pushka kishte në emër të vëllait të të dyshuarit.

    E më pas policia arriti që të siguroj edhe se leja për posedim të armës i kishte skaduar.

    Për rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Me vendim të këtij të fundit është iniciuar rasti si armëmbajtje pa leje ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

  • I dënuari për vrasjen e Agonis Tetajt, Shaban Gogaj dërgohet ta vuaj pjesën e mbetur të dënimit

    Shaban Gogaj, i dënuar për vrasjen e Agonis Tetajt në vitin 2018, më 14.01.2025 ka filluar vuajtjen e dënimit me burg.

    Këtë për KALLXO.COM e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Pejës, Elzana Kastrati.

    “Ju njoftojë se i dënuari Sh. G., ka filluar vuajtjen e dënimit më datë 14 janar 2025, sipas urdhëresës për ekzekutimin e sanksionit penal të kësaj gjykate me shenjën ED.I.nr.236/24”– thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Pejës.

    Gjykata e Apelit ia kishte zbutur dënimin Shaban Gogajt në 6 vjet e gjysmë burg.

    Këtë vendim e kishte marrë kolegji i Gjykatës së Apelit në përbërje prej, Kadrie Goga- Lubishtani, Hashim Qollaku dhe Valbona Musliu- Selimaj.

    Gogaj nga Gjykata Themelore e Pejës për herën e dytë ishte gjetur fajtor për vrasje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje dhe i kishte shqiptuar dënim unik prej 7 vjet e gjashtë muaj.

    Ndërsa me vendim të Gjykatës Supreme më 24.10.2024 ishte liruar nga masa e paraburgimit.

    Sipas aktakuzës se Prokurorisë, në vitin 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

    Tutje, aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

    Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karriga e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë, duke e vrarë.

    Viktima ishte punëtor në biznesin e të akuzuarit.

     

  • Gjashtë raste ‘armëmbajtje pa leje’ të trajtuara në Polici, prej tyre katër të arrestuar

    Gjashtë raste të trajtuara si “armëmbajtje pa leje” janë regjistruar në Raportin e Policisë së Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit. Prej këtyre rasteve, katër persona kanë përfunduar të arrestuar.

    Në Podujevë, Policia ka arrestuar një të dyshuar, pasi kishte ekspozuar në rrjete sociale një fotografi me armë.

    Sipas njoftimit të Policisë rasti ka ndodhur më 31.12.2024, kurse i dyshuari është arrestuar më 14.01.2025.

    “Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është sekuestruar një pushkë me karikator pa fishekë. I dyshuari pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.” – njofton Policia, më 15.01.2025.

    Policia në Fushë Kosovë është informuar se një person posedon dy thika. Rasti ka ndodhur më 14.01.2025, rreth orës 15:45.

    Policia thotë se palët janë intervistuar dhe, me vendim të Prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.

    Kurse, në Graçanicë Policia ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me pesë copë fishekë në automjetin e një të dyshuari. Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 14.01.2025, rreth orës 13:20.

    “I dyshuari është intervistuar dhe, me vendim të Prokurorit, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Rasti nën hetime.” – ka njoftuar Policia.

    Në Pejë, pas disa të shtënave me armë zjarri një i dyshuar është vërejtur në ballkon të banesës kolektive, duke ekspozuar armën.

    Ky rast ka ndodhur më 14.01.2025, rreth orës 21:42. I dyshuari – sipas Policisë – në fillim ka refuzuar t’u bindet urdhrave të policëve dhe u është drejtuar me kanosje.

    “Më vonë i njëjti është qetësuar dhe arrestuar. Gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur dhe konfiskuar: 1 (një) pushkë automatike, 1 (një) pistoletë, 2 (dy) karikatorë, 71 (shtatëdhjetë e një) copë fishekë, 5 (pesë) gëzhoja dhe një thikë-bajonetë.” – ka thënë Policia.

    Pasi është intervistuar nga Policia, i dyshuari, me vendim të Prokurorit, është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti është trajtuar si ‘armëmbajtje pa leje’ dhe ‘përdorim i armës’.

    Në Gjakovë, në veturën e një të dyshuari Policia ka gjetur dhe konfiskuar një sprej.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur në rrugën “Gasper Karaqi”, më 14.01.2025, rreth orës 18:40.

    Policia e ka intervistuar të dyshuarin dhe, me vendim të Prokurorit, e ka liruar në procedurë të rregullt, kurse rasti është trajtuar si ‘armëmbajtje pa leje’.

    Për një rast tjetër që ka ndodhur në Prishtinë, më 03.09.2024, Policia ka njoftuar se i dyshuari është vetëdorëzuar dhe e ka dorëzuar edhe pistoletën me të cilën dyshohet se është kryer vepra.

    “I dyshuari pas intervistimit në prani të avokatit, me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje.” – ka thënë Policia.