Etiketë: armëpushimi

  • Reuters: Izraeli dhe Hamasi arrijnë marrëveshje për armëpushim

    Negociatorët kanë arritur të mërkurën (më 15.01.2025) marrëveshje armëpushimi për luftën e Gazës midis Izraelit dhe Hamasit, i ka deklaruar Reutersit një zyrtar i informuar me negociatat.

    Marrëveshja ndodh pas 15 muajsh konflikti që ka vrarë dhjetëra mijëra palestinezë dhe ka ndezur flakët e luftës në Lindjen e Mesme.

    Marrëveshja, që pritet të shpallet edhe zyrtarisht, përshkruan një fazë fillestare gjashtëjavore të armëpushimit dhe përfshin tërheqjen graduale të forcave izraelite nga Gaza dhe lirimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi në këmbim të të burgosurve palestinezë që gjenden në burgjet e Izraelit, ka deklaruar për Reuters një zyrtar i përfshirë në procesin negociator.

    Marrëveshja arrihet pas disa muajsh negociatash të ndërmjetësuara nga ndërmjetësuesit e Egjiptit dhe të Katarit, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe erdhi pak përpara inaugurimit të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, më 20 janar.

    Hamasi, grupi militant palestinez që udhëhiqte Gazën, i ka deklaruar Reutersit se delegacioni i tij u kishte dhënë ndërmjetësuesve miratimin për marrëveshjen e armëpushimit dhe kthimin e pengjeve.

    Një zyrtar palestinez, i cili kërkoi të mos identifikohej, i ka theksuar Reutersit më herët se Hamasi ka dhënë miratimin verbal për propozimin e armëpushimit dhe kthimit të pengjeve në negociatat e Katarit dhe ishte duke pritur për më shumë informacione për të dhënë miratimin përfundimtar me shkrim.

    Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, ka njoftuar se do të ndërpresë vizitën në Europë dhe do të kthehet në Izrael gjatë natës për të marrë pjesë në votimet e kabinetit të sigurisë dhe qeverisë për marrëveshjen – që do të thotë se votimi do të zhvillohet sonte.

    Trupat izraelite pushtuan Gazën pasi persona të armatosur të udhëhequr nga Hamasi depërtuan nëpër barrierat e sigurisë dhe hynë në komunitetet izraelite më 7 tetor 2023, duke vrarë 1,200 ushtarë dhe civilë dhe rrëmbyer më shumë se 250 të huaj dhe izraelitë.

    Fushata e Izraelit në Gazë ka vrarë më shumë se 46 mijë njerëz, sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, dhe e ka kthyer enklavën bregdetare në një shkretëtirë rrënojash me qindra mijëra që i mbijetuan të ftohtit të dimrit në tenda dhe strehimore të improvizuara.

    Ndërsa inaugurimi i tij afrohej, presidenti i zgjedhur Trump përsëriti kërkesën e tij që një marrëveshje të arrihej shpejt, duke paralajmëruar hakmarrje nëse pengjet nuk do të liroheshin. I dërguari i tij në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, punoi me ekipin e presidentit Joe Biden për ta arritur marrëveshjen.

    Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com

  • Armëpushimi në Gazë mbetet i paprekshëm, ndërsa negociatorët kërkojnë Marrëveshje

    Të mërkurën, më 15.01.2025, negociatorët po përpiqen të finalizojnë detajet e fundit të një marrëveshjeje të ndërlikuar armëpushimi në Gazë, pas bisedimeve maratone në Katar, të cilat synojnë t’i japin fund konfliktit që ka shkaktuar vdekje e shkatërrime masive dhe ka tronditur Lindjen e Mesme.

    Bisedimet e gjata, më shumë se tetë orëshe, kishin nxitur optimizëm në Doha të martën, më 14.01.2025. Zyrtarë nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja, si dhe nga Izraeli e Hamasi – organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – thanë se një Marrëveshje për një armëpushim në enklavën palestineze dhe për lirimin e pengjeve ishte më afër se kurrë.

    Por, një zyrtar i lartë i Hamasit i tha Reuters të martën vonë, më 14.01.2025, se grupi palestinez ende nuk kishte dorëzuar përgjigje, sepse po priste që Izraeli të dorëzonte hartat që tregojnë se si forcat e tij do të tërhiqeshin nga Gaza.

    Gjatë bisedimeve disamujore të ndërprera për të arritur një armëpushim në luftën tashmë 15-mujore, të dyja palët kanë thënë edhe më parë se ishin afër një Marrëveshjeje vetëm për të hasur në pengesa në minutën e fundit. Pikat e përgjithshme të Marrëveshjes aktuale janë vendosur, që në mes të vitit 2024.

    Nëse ka sukses, armëpushimi i planifikuar me faza mund të ndalojë luftimet që kanë shkatërruar Gazën, kanë vrarë dhjetëra-mijëra palestinezë, kanë zhvendosur pjesën më të madhe të popullsisë 2.3 milionëshe të paraluftës dhe vazhdojnë të vrasin dhjetëra njerëz çdo ditë.

    Kjo Marrëveshje, nga ana tjetër, mund të zbusë edhe tensionet në të gjithë Lindjen e Mesme, ku lufta ka nxitur konflikte në Bregun Perëndimor, Liban, Siri, Jemen e Irak dhe ka rritur frikën për një luftë të përgjithshme midis Izraelit dhe Iranit.

    Izraeli nisi sulmin e tij në Gazë, pasi luftëtarët e udhëhequr nga Hamasi kaluan kufijtë e tij më 07.10.2023, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë më shumë se 250 pengje – sipas të dhënave izraelite.

    Që atëherë, forcat izraelite kanë vrarë më shumë se 46.700 palestinezë në Gazë – sipas zyrtarëve shëndetësorë të enklavës.

    Palestinezët shpresonin sërish që bisedimet e fundit të sillnin një lehtësim nga sulmet ajrore izraelite dhe të lehtësonin një krizë humanitare.

    “Po presim armëpushimin dhe Marrëveshjen. Zoti na ndihmoftë për ta përfunduar me të mira, na dhëntë paqe dhe na lejoftë të kthehemi në shtëpitë tona.” – tha Amal Saleh, 54 vjeç, një banore e Gazës e zhvendosur nga lufta.

    “Edhe nëse Shkollat janë bombarduar, shkatërruar dhe rrënuar, ne thjesht duam të dimë se më në fund po jetojmë në paqe.” – tha ajo.

    Sipas planit, Izraeli do të rikuperonte rreth 100 pengje dhe trupa të mbetura nga ata të kapur në sulmet e 7 tetorit 2023 nga Hamasi, që nxitën luftën. Në këmbim, Izraeli do të lironte të burgosurit palestinezë.

    Drafti i fundit është mjaft i ndërlikuar dhe përfshin shumë faza. Sipas kushteve të tij, hapat e parë do të përfshijnë një armëpushim fillestar gjashtëjavor.

    Plani përfshin gjithashtu një tërheqje graduale të forcave izraelite nga Gaza qendrore dhe kthimin e palestinezëve të zhvendosur në veri të Gazës.

    Marrëveshja do të kërkonte gjithashtu që Hamasi të lironte 33 pengje izraelite, së bashku me hapa të tjerë.

    Drafti parasheh që negociatat për një fazë të dytë të Marrëveshjes të fillojnë deri në ditën e 16-të të fazës së parë. Faza e dytë përfshin lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura, një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e plotë të ushtarëve izraelitë.

    Edhe nëse palët ndërluftuese bien dakord për Marrëveshjen në tryezë, ende do të ketë nevojë për negociata të mëtejshme përpara se të ketë një armëpushim përfundimtar dhe lirim të të gjitha pengjeve.

    Nëse gjithçka shkon pa probleme, palestinezët, shtetet arabe dhe Izraeli duhet gjithashtu të bien dakord për një vizion për Gazën pas luftës, në një detyrë masive që përfshin garanci sigurie për Izraelin dhe miliarda dollarë investime për rindërtimin e Gazës.

    Sulmet nga Izraeli

    Pavarësisht përpjekjeve për të arritur një armëpushim, Ushtria izraelite, Agjencia e Brendshme e Inteligjencës Shin Bet dhe forcat ajrore sulmuan rreth 50 objektiva në të gjithë Gazën, gjatë 24 orëve të fundit – tha Shin Bet dhe Ushtria në një deklaratë të mërkurën.

    Sulmet izraelite vranë të paktën 13 palestinezë në të gjithë enklavën. Këto përfshinin shtatë persona që ishin në një Shkollë që strehonte familje të zhvendosura në qytetin e Gazës dhe gjashtë të tjerë të vrarë në sulme të ndara ajrore mbi shtëpi në Deir Al-Balah – kampin Bureij dhe Rafah – thanë mjekët.

    Izraeli thotë se 98 pengje po mbahen në Gazë, rreth gjysma e të cilëve besohet se janë gjallë. Ata përfshijnë izraelitë dhe joizraelitë. Nga gjithsej, 94 u rrëmbyen në sulmin e udhëhequr nga Hamasi më 07.10.2023 mbi Izraelin dhe katër janë mbajtur në Gazë që nga viti 2014./REL

  • Ministri i Mbrojtjes kërcënon Netanyahun me dorëheqje shkaku i ujdisë së armëpushimit në Gazë

    Ministri i së djathtës ekstreme i Mbrojtjes i Izraelit, Itamar Ben-Gvir ka kërcënuar të martën, më 14.01.2025, se do të japë dorëheqje nga Kabineti i Qeverisë së Benjamin Netanyahu – nëse Kryeministri pajtohet që të ketë marrëveshje armëpushimi dhe për lirimin e pengjeve izraelite nga Gaza, në kohën kur po zhvillohen negociatat në Katar – raporton Reuters.

    Ben-Gvir, largimi i të cilit nuk do ta rrëzonte Qeverinë e Netanyahut, i ka bërë thirrje ministrit të Financave, Bezazel Smotrich që t’i bashkohen në përpjekjen e tij të fundit për ta pamundësuar arritjen e Marrëveshjes, të cilën e ka quajtur si kapitullim të rrezikshëm para ‘Hamasit’.

    “Kjo lëvizje është mundësia jonë e vetme për ta parandaluar ekzekutimin (e Marrëveshjes) dhe ia parandalon Izraelit dorëzimin para ‘Hamasit’ pas më shumë se një viti të luftës së përgjakshme, ku 400 ushtarë të IDF-së (Forcave Izraelite të Mbrojtjes) kanë rënë në Rripin e Gazës dhe për të siguruar se vdekjet e tyre nuk do të shkojnë huq.” – ka shkruar Ben-Gvir në X.

    Smotrich ka thënë të hënën, më 13.01.2025, se kundërshton ujdinë, por nuk ka kërcënuar se do ta prishë koalicionin me Netanyahun. Shumica e Ministrave pritet ta mbështesin një ujdi armëpushimi të ndarë në faza, që përfshin ndaljen e luftimeve dhe lirimin e pengjeve.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com