Etiketë: Bora

  • Durmishi: Të gjitha rrugët janë të kalueshme

    Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka thënë se të gjitha rrugët në Kosovë janë të kalueshme.

    Ai ka bërë thirrje për kujdes gjatë vozitjes për të gjithë ngasësit e veturave.

    “Cep më cep Kosovës, me 19 kontrata aktive, jemi duke punuar në teren gjatë gjithë kohës që qarkullimi në rrugë të jetë sa më i lehtë. Të gjitha rrugët janë të kalueshme me gjithë reshjet e vazhdueshme” – ka shkruar Durmishi.

    “Ju bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të vozisin me kujdes duke respektuar rregullat dhe duke ju përshtatur kushteve në komunikacion” – thuhet në njoftim ku edhe ka publikuar pamje nga terreni.

  • Moti gjatë së shtunës

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka parashikuar mot të ftohët dhe me reshje borë për sot, më 11.01.2025.

    “Moti parashikohet i vranët, me reshje bore. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3°C deri -1°C, ndërsa maksimalet e ditës priten të jenë ndërmjet 0°C dhe 2°C. Do të fryjë erë nga veriu dhe veriperëndimi me shpejtësi 1- 11 m/s” – thuhet në njoftim.

    Ndërsa, për pjesëmarrësit në komunikacion, IHK ka një këshillë.

    “Ju këshillohet të tregoni kujdes të shtuar gjatë vozitjes dhe të përshtatni automjetet me kushtet atmosferike. Java e ardhshme parashihet me temperatura tipike dimërore!” – thuhet në njoftim.

  • Ankohet qytetari, pretendon se kompania për largimin e borës ia bllokoi hyrjen në pronë

    Qasja në disa prej vilave në Brezovicë është bërë pothuajse e pamundur.

    Qytetari Ardian Abduhrramani pretendon se kompania e cila është përgjegjëse për pastrimin e rrugës, duke e larguar borën ia ka bllokuar hyrjen në pronën e tij.

    Ai thotë se tash e dy javë nuk ka mundur të hyjë brenda shtëpisë.

    “Të dy hyrjet janë të bllokuara, ka sasi shumë të madhe të borës. Kjo qëndron tash e dy javë dhe e kemi të pamundur me hy brenda. Nuk po dimë as ku te drejtohemi. Tash e kemi edhe sezonin kur i lëshojmë me qira por tash e dy javë s’i kemi lëshuar fare. Kjo krejt si pasojë se kompania e kontraktuar nuk është brengosur fare për hyrjet tona” – tha Abdurrahmani për KALLXO.com.

    Nga kompania “VIA” SH.P.K., e cila e ka tenderin për mirëmbajtjen e rrugës, thonë se nuk janë përgjegjës për pastrimin e borës para hyrjeve të shtëpive private.

    “Ne e kemi për detyrë me e pastru vetëm rrugën kryesore. Hyrjet dhe daljet e shtëpive janë detyrë e secilit t’i pastrojë vetë. Ne nuk e kemi të paraparë me pastru hyrjet e shtëpive dhe rrugicave. Ato janë sa e di unë të Komunës së Shtërpcës. Këtë problematikë po e kemi gjithmonë, po bllokohemi shpesh sepse po na e vështirësojnë punën sepse kur s’po i zhbllokojnë parkingjet e tyre dhe rrugicat, po i parkojnë kerret në rrugë dhe po na vështirësojnë punën” – tha Drilon Shamolli për KALLXO.com.