Etiketë: dyshimet

  • Ndryshimet në kurrikulën shkollore në Siri nxisin reagime

    Qeveria e re e Sirisë po përballet me reagime pasi bëri të ditur ndryshimet në kurrikulën shkollore, përfshirë futjen e asaj që kritikët thonë se është prirje islamike në mësimdhënie, ka raportuar më 03.01.2025 televizioni amerikan, CNN.

    Ndryshimet, të publikuara në një listë në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit në Facebook, përfshijnë ndryshimin e frazave “rruga drejt së mirës” në “rrugën islamike”, dhe “ata që janë mallkuar dhe kanë humbur udhën”, duke iu referuar “hebrenjve dhe të krishterëve” – që është një interpretim ultra-konservator i një ajeti të librit të shenjtë islamik, Kuranit.

    Kuptimi i ri i “martirit”

    Modifikimet kanë ridefinuar edhe shprehjen “martir”, prej kuptimit që kishte për dikë që kishte vdekur për atdheun në fjalë për qikdë që ka sakrifikuar veten “për hir të Zotit”.

    Disa kapituj janë hequr krejtësisht, tregon lista, përfshirë një kapitull për “prejardhjet dhe evolucionin e jetës”.

    Ende nuk është e qartë nëse ndryshimet kanë nisur të zbatohen, por do të zbatohen për të gjithë nxënësit nga gjashtë deri në tetëmbëdhjetë vjeç.

    Përderisa heqje e disa ndryshimeve nga regjimi i ish-presidentit Bashar al-Assad, ishin mirëpritur për ata që kanë reaguar online, modifikimet e kapitullit fetar shkaktuan zemërim në mediat sociale.

    Ministria e re ka marrë muajin e kaluar detyrën pasi Assadi u rrëzua nga kryengritësit e prirë prej “Hayat Tahrir Al-Sham” (HTS), një grup që doli prej kryengritësve të lidhur me “Al-Qaedan”. Prijësi i saj, Ahmed al-Sharaa, është munduar javëve të fundit të distanconte HTS-në nga “Al-Qaeda”, duke u zotuar se do të ketë një qeveri të etur për tolerancë dhe gjithëpërfshirje.

    Për dhe kundër ndryshimeve

    Para se të rrëzohej, Assadi kishte prirë Partisë Bathe, parti shekullare nacionaliste që kishte qenë në krye të pushtetit në Siri prej grusht shtetit të vitit 1963.

    Disa përdorues të mediave sociale kanë vënë në dyshim se pse një qeveri e përkohshme po bën ndryshime në kurrikulë, derisa të tjerë kanë hedhur poshtë ato që i kanë quajtur përpjekje për të “shlyer” pjesë të historisë së vendit.

    “Qeveria aktuale është qeveri kudjestare që nuk e ka të drejtën për t’i bërë këto ndryshime në kurrikulë”, ka komentuar një përdorues në faqen e Ministrisë së Arsimit në Facebook. “Kurrikula duhet të ndryshohet në pajtim me kushtetutën e re”.

    Të tjerët kanë kritikuar çfarë e kanë parë si prirje islamike në aspektin gjuhësor.

    Pas reagme të ashpra, Ministria e Arsimit është munduar t’i hidhte poshtë ndryshimet, duke theksuar se :kurrikula në të gjitha shkollat në mbarë Sirinë mbetet e pandryshuar derisa komisionet e specializuara të formohen për t’i rishikuar dhe hartuar”.

    Në një deklaratë të lëshuar në emër të ministrit të Arsimit, Nazir Mohammad al-Qadri, thuhet se Ministria “vetëm ka instruktuar heqjen e përmbajtjes që lavdëronte regjimin e rrëzuar të Assadit dhe ka zëvendësuar imazhet e flamurit të regjimit me ato të flamurit të revolucionit sirian në të gjitha tekstet shkollore”.

    “Pasaktësitë” fetare

    Ministria ka bërë të ditur se vetëm është përpjekur të korrektonte disa “pasaktësi” që ishin të përfshira gjatë regjimit të Assadit në kurrikulën arsimore islamike, “si keqinterpretimi i disa ajeteve kuranore”.

    Ministri i ri i Arsimit kishte thënë më parë se kurrikula arsimore e Sirisë nuk do të ndryshojë përtej heqjes së referencave të ish-Partisë sunduese Bathe.

    Në një intervistë për Reutersin muajin e kaluar, Al-Qadri ka thënë se edhe religjioni islamik, edhe ai katolik, do të vazhdojnë të mësohen si lëndë në shkollë, dhe se shkollat fillore do të mbesin të përziera me djem e vajza. Shkollimi i mesëm do të mbetet kryesisht i ndarë, kishte deklaruar për Reutersin, sikur se ishin në kohën e Assadit.

    Kabineti i prirë prej HTS-së mendohet të jetë qeveri e përkohshme derisa vendi t’i mbajë zgjedhjet, lideri de fakto i së cilës, Al-Sharaa, ka thënë se mund të marrë deri në katër vjet për t’u organizuar.

    Mbetet e paqartë sesi qeveri teknike do ta dorëzojë pushtetin pasi më parë kishte thënë se do të qëndronte në detyrë vetëm deri në marsin e vitit 2025.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Familjet e viktimave kërkojnë përgjigje për sulmin në New Orleans

    Disa orë para se akrepat të shënonin ndërrimin e moteve, Jack Bech kishte folur telefon me vëllain më të madh Martin – një njeri merakli i jetës dhe ish-yll futbolli i njohur nga miqtë dhe shokët e skuadrës si “Tigër”.

    Jacku, 22 vjeç, ishte në Dallas për të vizituar familjen e tij, derisa “Tigri”, një 28-vjeçar që kishte studiuar në Princeton dhe kishte jetuar në New York, ndodhej në New Orleans, duke u bërë gati për festimet e Vitit të Ri.

    “Ne menduam se kjo do të ishte edhe një tjetër bisedë e zakonshme.” – ka deklaruar ai për BBC-në. “Po i tregoja se çfarë do të hanim dhe ai po na tregonte çfarë kishte përgatitur.”

    Dhe, vëllezërit më kurrë nuk do të flisnin në telefon.

    “E mbylla lidhjen dhe kjo do të ishte hera e fundit që do të flisja me të.” – ka kujtuar Jacku.

    “Tigri” ishte në mesin e 14 personave të vrarë, kur një burrë e mësyu makinën drejt një turme njerëzish në rrugën “Bourbon” në New Orleans të SHBA-së.

    Lidhja “e pavërtetuar” e sulmuesit me “Shtetin Islamik”

    Sulmuesi, një 42 vjeçar veteran ushtrie, Shamsud-Don Jabbar , mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë pasi drejtoi kamionçinën drejt turmave të njerëzve – kanë bërë të ditur autoritetet. Megjithëse, kishte postuar xhirime me të cilat pretendonte se kishte shfaqur besnikëri ndaj “Shtetit Islamik” para sulmit, FBI-ja beson se ai kishte vepruar i vetëm.

    Përderisa nuk janë bërë të njohur emrat e të gjitha viktimave, ka nisur të qarkullojë një fotografi e një grupi njerëzish kryesisht të rinj, si “Tigri”, të cilët ishin banorë vendasë nga Luiziana.

    Jacku – i cili e kujton vëllain si mikun e tij më të ngushtë, shembull dhe frymëzim – thekson se pas kësaj goditje familja Bech kurrë më nuk do të jetë e njëjtë.

    Shumica e anëtarëve të familjes jetojnë në Lafayette, rreth 2018 kilometra nga New Orleans.

    “Kjo është diçka me të cilën do të duhet të përballemi. Sa herë zgjohemi dhe sa herë që shkojmë në shtrat për gjumë, do të na kujtohet diçka.” – ka shtuar ai. “Çdo festë do të ketë një karrige pa njeri pranë tavolinës.”

    Por “Tigri” ka thënë se vëllai i tij “nuk do të donte që ne të vajtonim”. Në vend të kësaj, ai ka inkurajuar familjen që ta kujtojë si “luftëtar”.

    Ai ka thënë se vëllai i ndjerë do të donte që familja të mbahej e lidhur tok.

    “I kam thënë familjes se në vend se ta shohim disa herë në vit, ai do të jetë me ne çdo moment.” – ka shtuar Jacku. “Kurdo që të ngrihemi, të shkojmë në shtrat, kur ecim, ose çfarëdo që të bëjmë, ai do të jetë me ne.”

    Paralajmërimet ogurzeza të nënës

    Ndër viktimat e tjera të sulmit në orët e para të mëngjesit të 1 janarit ishte Matthew Tenedorio, teknik audio-vizual në New Orleans.

    Tenedorio, i cili sapo kishte mbushur 25 vjet në tetor, e kishte kaluar pjesën e hershme të mbrëmjes në shtëpinë e vëllait në qytetin Slidell, rreth 35 minuta larg nga New Orleans.

    Me të ishin babai dhe nëna, të cilët sapo u shëruan nga kanceri.

    Kushërira e tij, Christina Bounds, i tha BBC-së se familja e tij iu lut të mos shkonte në New Orleans, nga frika e turmës së madhe dhe rreziqeve të mundshme.

    Pavarësisht lutjeve të tyre, ai shkoi së bashku me dy shokë. Kur u publikua lajmi, nëna parandjeu të keqen për të birin. Morën rrugën drejt vendit të ngjarjes.

    “Ata thanë se po ecnin poshtë ‘Bourbonit’ dhe panë një trup përtokë.” – ka theksuar ajo, duke vënë në dukje se tani besojnë se ishte një trup i hedhur në ajër nga kamioni i sulmuesit.

    Mes britmave dhe të shtënave me armë, Tenedorio u nda nga miqtë e tij.

    Familja e tij thotë se ai u qëllua dhe besojnë se ai u vra gjatë shkëmbimit të armëve midis sulmuesit dhe oficerëve të Policisë, në rrugën “Bourbon”.

    BBC-ja nuk është në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim.

    Sipas Boundsit, tragjedia e familjes është bërë më e dhimbshme nga rrjedhja e ngadaltë, pothuajse inekzistente e komunikimeve që ata kanë pasur me autoritetet lokale.

    “Ne nuk mund të merrnim asnjë informacion kur tezja ime (nëna e Tenedorios, Cathy) shkoi në Spital.” – ka thënë ajo. “Nuk ka pasur asnjë informacion nga mjekët, Spitalet apo policët. Askush.”

    “Ata kanë zero informacion. Ne as nuk e dimë se çfarë ka ndodhur.” – ka shtuar Bounds. “A ishte në një ambulancë? A vdiq në çast?”

    Këto përgjigje, shtoi ajo, “do t’i ndihmonin njerëzit të pranonin” atë që ndodhi.

    Tronditje e madhe

    “Por tani është si tronditje totale.” – ka thënë ajo. “Nuk po kalohet”.

    Familja ka hapur një faqe “GoFundMe”, për të mbledhur fonde për shpenzimet e funeralit të Tenedorios, për të cilat Bounds ka thënë se janë bërë të larta nga faturat e rëndësishme mjekësore të nënës, gjatë diagnostifikimit të saj me kancer.

    Një kushëri tjetër i Tenedorios, Zach Colgan e kujton atë si një “njeri me humor”, i cili bënte shaka, kujdesej fort për kafshët dhe ishte rrëfimtar i zjarrtë.

    “Ai kujdesej. Ai ishte padyshim një person për shoqëri. Një djalë me fat.” – ka thënë Colgan për BBC-në. “Është e trishtueshme që një sulm terrorist e mori atë. Asnjë familje nuk duhet ta varrosë djalin e saj, veçanërisht për diçka kaq të pakuptimtë.”

    Colgan, i cili ka përvojë pune me forcat e zbatimit të ligjit në Luiziana, beson se oficerët kanë bërë më të mirën që mundën, në një situatë të jashtëzakonshme me shumë viktima.

    “E di që është kaotike. Por, na duhen përgjigje. E di që tezja dhe xhaxhai im nuk ishin në gjendje të merrnin më shumë se një ‘po – Mateu u vra’.” – ka treguar ai.

    “Do të ishte mirë të dinim pak më shumë.” – ka shtuar Colgan. “Nëse do të ishte fëmija im, do të doja ta dija.”

    Edhe pse familja e tij vazhdon të kërkojë përgjigje, Colgan thotë se shpreson që fokusi i Qeverisë dhe publikut të vazhdojë të jetë te viktimat, në vend të reagimit të forcave të rendit apo çfarë mund të ishte bërë tjetër për të parandaluar sulmin.

    “Unë dua që secili prej tyre të mbahet mend.” – ka thënë ai. “Ata nuk e meritonin këtë. Askush nuk e meriton këtë.”

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com