Etiketë: energjia elektrike

  • KEK mori mbi 100 mijë euro nga shitja e tepricave të rrymës gjatë dhjetorit 2024

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka deklaruar se ka shitur tepricat e energjisë elektrike gjatë muajit dhjetor 2024, në vlerë prej 100,489 euro. 

    KEK-u thekson se e ofron gjithë kapacitetin e energjisë elektrike për konsumatorët universalë, përmes Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), për mbulimin e humbjeve në rrjet. 

    Sipas KEK vetëm tepricat e energjisë, të cilat janë në dispozicion për shkak të konsumit të ulët gjatë orëve të natës, shiten përmes bursës shqiptare ‘ALPEX’ dhe ankandeve publike.

    KEK thotë se gjatë vitit 2024 ka realizuar shitjen e tepricave të energjisë elektrike, me çmim mesatar prej 70.84 euro/MWh – duke realizuar një total shitjeje prej 45,747,305 euro për 645,824 MWh.

    Kurse, gjatë muajit dhjetor 2024 ka realizuar shitjen e tepricave të energjisë elektrike, me çmim mesatar prej 85.13 euro/MWh – duke realizuar një total shitjeje prej 100,489eur për 1,180 MWh.

    “KEK thekson se këto të dhëna janë të sakta dhe të bazuara në raportet zyrtare, transparente dhe në përputhje me Marrëveshjet kontraktuale me partnerët afarist KEDS/KESCO dhe KOSTT. Çdo përpjekje për të keqinformuar opinionin publik dhe për të paraqitur këto të dhëna në një dritë negative është e pajustifikuar dhe tendencioze.” – ka thënë KEK, më 17.01.2025.

    Korporata Energjetike shprehet se mbetet e angazhuar për ofrimin e energjisë elektrike, në mënyrë të qëndrueshme dhe për transparencë në çdo aspekt të operimeve të saj.

    Ndryshe, në prag të festave të fundvitit më 2024, disa Komuna në Kosovë u përballën me mungesë të rrymës për orë të tëra.

    Ndalja e energjisë elektrike u arsyetua për shkak të mbingarkesës, si pasojë e konsumit të lartë të energjisë elektrike nga ana e konsumatorëve në ato kohë, pas motit me temperatura të ulëta.

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) tha se po punonte me kapacitete të plota, ndërsa Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) nuk i ka quajtur reduktime, por “mbingarkesa” dhe ka kërkuar nga konsumatorët që të kursejnë maksimalisht rrymën.

  • Shtrenjtimi i energjisë elektrike në Gjermani

    Në Gjermani energjia elektrike është më e shtrenjta në Evropë. Kjo rëndon si konsumatorët, ashtu edhe ekonominë e dobësuar. Politikanët po kërkojnë një zgjidhje.

    Në fillim të vitit kishte shumë erëra, impiantet punonin me të gjitha kapacitetet. Gjatë vitit kishte edhe shumë diell. Ndaj sipas të dhënave të Institutit Fraunhofer për Sistemet e Energjisë Diellore në Gjermani, prodhimi i energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme arriti në 125% të nevojave. Prodhimi i tepërt shkaktoi edhe rënie drastike të çmimit të energjisë elektrike në bursa. Kishte gjatë ditës madje edhe energji elektrike, falas për disa orë.

    Vitin e kaluar, burimet e rinovueshme mbuluan 59% të nevojës për energji elektrike. Por prodhimi është shpesh shumë më i ulët në dimër. Për shembull, më 12 dhjetor 2024, vetëm 18% e totalit të energjisë elektrike të kërkuar për Gjermaninë vinte nga burime të rinovueshme. Pjesa tjetër e nevojave është mbuluar nga termocentralet me qymyr ose gaz, si dhe nga importi i energjisë elektrike. Çmimi i një megavat orë në bursë shkoi madje në 936 euro, ndërsa çmimi normal është nga 60 deri në 100 euro.

    Tarifat

    Konsumatorët privatë, si dhe kompanitë me Kontrata afatgjata, nuk i ndjejnë shumë këto luhatje të çmimeve. Ata paguajnë një çmim fiks për një periudhë kohore të përcaktuar në Kontratë. Por, që nga fillimi i këtij viti, distributorët e energjisë elektrike duhet të ofrojnë tarifa të tjera. Kjo duhet të inkurajojë konsumatorët e mëdhenj, që ta drejtojnë konsumin e tyre në periudhën kur energjia elektrike është e lirë, për shkak të shpenzimeve.

    Instituti Federal për Parandalimin e Formimit të Karteleve shtroi pyetjen nëse rritja e çmimeve është gjithmonë vetëm rezultat i prodhimit të reduktuar të burimeve të rinovueshme. Nëse ky institucion zbulon se prodhuesit kanë arritur Marrëveshje për çmimin, atëherë mund t’i gjobisë pjesëmarrësit në Marrëveshje.

    Presidenti i Institutit, Andreas Munt bëri të ditur se do të kontrollohen rritjet e mëdha të çmimeve për shkak të dyshimeve për keqpërdorime, për të ndikuar në rritjen e çmimeve me ofertë të reduktuar. Munt thotë se Gjermania duhet të kalojë dimrin me një numër të reduktuar të termocentraleve për herë të parë, ndaj mund të pritet një rritje e re e çmimeve, e cila mund të jetë rezultat i një mekanizmi normal të tregut. “Por, për të qenë të sigurt, ne do të rishikojmë formimin e çmimeve.” – shtoi Munt.

    Pasojat e braktisjes së qymyrit dhe energjisë atomike

    Reduktimi i numrit të termocentraleve është rezultat i vendimit politik për të hequr dorë nga energjia me qymyr. Vitin e kaluar, prodhimi i energjisë elektrike në bazë të linjitit ka rënë për 8%, ndërsa nga qymyri me 27%. Që nga viti 2015, pjesa e qymyrit në prodhimin e përgjithshëm të energjisë elektrike është përgjysmuar. Kështu, emetimi i gazrave të dëmshëm është zvogëluar ndjeshëm.

    Vitin e kaluar, për herë të parë, vendi hoqi dorë plotësisht nga energjia elektrike nga termocentralet bërthamore. Tre termocentralet e fundit bërthamore u hoqën nga rrjeti në vitin 2023, në kohën kur ato përbënin 6% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike në Gjermani.

    Tregu i Bashkimit Evropian për energjinë elektrike

    Brenda Bashkimit Evropian, vendet do të duhej të ndihmojnë njëra-tjetrën energjikisht. Kur në Gjermani ka shumë erë dhe diell ajo eksporton energji, e kur nuk i ka këto kushte e importon. Gjermania mbulon shumicën e nevojave të saj nga Franca, e cila prodhon 70% të energjisë elektrike në termocentralet bërthamore. Danimarka është në vendin e dytë, Zvicra në vendin e tretë. Të tre vendet eksportuan dukshëm më shumë energji në Gjermani sesa importuan prej saj. Dhe atë me çmimet që formohen në bursë.

    Çmimi i konsumit të energjisë elektrike në Gjermani rëndohet edhe nga taksat, të cilat përbëjnë 30% të shumës përfundimtare.

    Në Gjermani, çmimi është më i shtrenjti

    Sipas Entit Federal të Statistikave të Gjermanisë, një familje me tre ose katër anëtarë ka paguar rreth 40 cent për kilovat-orë vitin e kaluar. Në Irlandë dhe Danimarkë ata paguan 37 cent, në Çeki, Belgjikë dhe Itali rreth 33 cent. Në Hungari dhe Bullgari, energjia elektrike subvencionohej nga shteti, kështu që konsumatorët paguanin vetëm dhjetë cent për kilovat/orë.

    Në Gjermani ka edhe subvencione, por për industrinë. Megjithatë, kompanitë që përdorin një sasi të madhe të energjisë elektrike ankohen gjithnjë e më shumë për kostot që ulin konkurrencën e tyre.

    Në vitin 2021, industria paguante 12 cent për kilovat-orë, por pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, çmimi u rrit në 50 cent. Nga korriku 2022, taksat për kompanitë janë ulur. Ndërkohë çmimi i kilovat-orës është 17 cent. Por edhe kjo është dukshëm më shumë se çmimet që paguajnë kompanitë më të rëndësishme konkurruese në vendet e tjera. Për shembull, në vitin 2023, prodhuesit gjermanë të makinave paguanin dyfishin e çmimit të energjisë elektrike në krahasim me kompanitë konkurruese në Kinë, e madje tre herë më shumë se kompani të tilla në Shtetet e Bashkuara.

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz i propozoi Komisionit të Bashkimit Evropian që të autorizojë shtetet anëtare të BE-së për të vendosur subvencione për kompanitë që konsumojnë shumë energji ose prodhojnë bateri.

    Demokristianët, të kryesuar nga kandidati për kancelar, Friedrich Mertz kërkojnë që të përgjysmohen shpenzimet dhe taksat që rrisin çmimin e energjisë elektrike. Ai propozon të ulet taksa për konsumin e energjisë elektrike për kompanitë që varen nga konsumi intensiv. Por nuk është e qartë se si do të financohej e gjithë kjo. Megjithatë, është e sigurt se ndërtimi shtesë i burimeve të rinovueshme të energjisë, rrjeteve të energjisë dhe kapaciteteve për ruajtjen e energjisë do të sjellë rritje të kostove për vite me radhë./DW

  • Prishje në rrjetin elektrik, disa fshatra të Klinës pa rrymë që nga mbrëmë

    Si pasojë e një prishjeje që ka ndodhur në rrjet, disa fshatra të komunës së Klinës si Ceraviku e Gllareva, kanë mbetur pa energji elektrike, që nga mbrëmë (04.01.2025).

    Zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, për KALLXO.com ka thënë se prishja ka ndodhur në daljen e Gllarevës dhe se ekipet janë duke punuar.

    “Po, kemi një prishje në daljen e Gllarevës atje dhe ekipet e KEDS-it janë duke punuar aktualisht” – ka thënë Krasniqi.

    Sipas tij, synimi është që të rikthehet furnizimi me energji elektrike brenda ditës së sotme.

    Reduktime të energjisë elektrike ka pasur edhe të premten me 03.01.2025 në disa rajone në Kosovë.

    Sipas zëdhënësit Krasniqi, të premten më të prekurat nga reduktimet kanë qenë komunat si Gjilani, Vushtrria dhe Ferizaj.

    Lidhur me këtë gjendje, para disa dite kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se rrjeti i transmetimit nuk ka kapacitet të bartë gjithë konsumin e energjisë.

    “Nuk e kemi problemin që në treg ka mungesë të energjisë elektrike, por problemi është që rrjeti i transmetimit dhe i shpërndarjes nuk ka kapacitet për ta bartur këtë konsum. KOSTT merret me KEDS dhe KESCO. Tash sa po merret suksesshëm unë nuk e di.” – u shpreh Kurti, në një emision në Kohavision.

    “Transmetimi dhe shërndarja nuk kanë kapacitet që në 5 në mëngjes, kurrë s’ka ndodh, më 25 dhjetor, konsumi të jetë 1 gigaëat. Të gjitha njësitë në Kosovën A dhe Kosovën B mbërrijnë 900 mgë. Peak-u i konsumit është afër 1,5 mgW.” – shtoi më tej Kurti.

    Kurti shtoi se rrjeti është i vjetëruar, “njëri termocentral është mbi 60 vjet, tjetri mbi 40 vjet. Në treg ka energji sepse ne importojmë, mirëpo nuk kemi kapacitete për transmetim që do të furnizonin më rrjetin ekzistues.” – tha ai.

    https://kallxo.com/lajm/reduktimet-e-rrymes-po-vazhdojne-ende-ne-disa-rajone-te-kosoves/