Etiketë: fbi

  • Veterani ushtarak që vrau 15 persona në Nju Orllins dyshohet se u inspirua nga IS-i

    Një veteran i ushtrisë amerikane, i cili i ka vrarë 15 persona pasi e ka përplasur kamionin kundrejt një turme njerëzish në Nju Orllins, ka publikuar video në rrjete sociale vetëm pak orë para sulmit, dhe ka thënë se është inspiruar nga grupi ekstremist Shteti Islamik (IS) me dëshirën për të vrarë, ka thënë presidenti amerikan, Joe Biden.

    Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka thënë se sulmin e 1 janarit është duke e hetuar si sulm terrorist dhe nuk beson që sulmuesi ka vepruar vetëm.

    Sulmuesi është vrarë nga policia sapo është larguar nga kamioni.

    Hetuesit kanë gjetur armë dhe atë që duket se është një pajisje shpërthyese e improvizuar në makinën e tij – në të cilën është gjendur edhe flamuri i IS-it.

    Presidenti Biden ka thënë se FBI-ja i ka gjetur videot e postuara nga sulmuesi në rrjetet sociale.

    Ai e ka përshkruar sulmin si “të neveritshëm” dhe “akt të urryer”.

    Sulmi i ka shndërruar festimet për Vitin e Ri në rrugën Burbon në një skenë makabre, me trupa të përgjakur dhe këmbësorë tjerë duke ikur me shpejtësi nëpër restorante për t’u strehuar.

    Përveç të vdekurve, mbi 30 persona tjerë janë plagosur.

    Ky sulm përbën shembullin më të fundit të përdorimit të një makine për të kryer dhunë në masë dhe është sulmi më vdekjeprurës në tokën amerikane që është inspiruar nga IS-i në vjetët e fundit.

    FBI-ja e ka identifikuar sulmuesin si Shamsud-Din Jabbar, 42-vjeçar, shtetas amerikan nga Teksasi, dhe ka thënë se po punon për të gjetur ndonjë lidhje të mundshme mes tij dhe organizatave terroriste.

    “Ne nuk besojmë se Jabbar është përgjegjësi i vetëm”, ka thënë agjentja speciale e FBI-së, Alethea Duncan, në një konferencë për media.

    Jabbar është thënë t’i jetë bashkuar ushtrisë amerikane më 2007, dhe ka shërbyer në sektorin për burime njerëzore dhe teknologji të informacionit, dhe ka qenë i angazhuar në Afganistan nga viti 2009 deri më 2010.

    Ai është larguar nga detyra në ushtri më 2020 me gradën rreshter shtabi./REL

  • Masakra në New Orleans, i dyshuari shtetas amerikan, në makinë valëvitej flamuri i ISIS-it

    Një shofer ka bërë masakër në lagjen e mirënjohur franceze të Nju Orlinsit në orët e para të ditës së Vitit të Ri, duke vrarë të paktën 10 persona. Ai hyri me makinë përmes turmës, përpara se të qëllohej për vdekje nga policia, thanë autoritetet.

    Mbi 35 persona u plagosën, pasi sulmi i së mërkurës e shndërroi Rrugën festive Bourbon në një kaos makabër. FBI-ja po e heton ngjarjen si një akt terrorist. Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë në organizimin dhe kryerjen e këtij sulmi.

    Shoferi është identifikuar me emrin Shamsud-Din Bahar Jabbar, 42 vjeç, thanë për agjencinë e lajmeve Associated Press gjashtë zyrtarë të agjencive të zbatimit të ligjit, që folën në kushte anonimiteti.

    Hetuesit po punonin për të mbledhur informacion shtesë në lidhje me prejardhjen e autorit dhe po hetonin edhe rreth një flamuri të zi të vendosur mbi automjet.

    Sipas një deklarate të FBI-së, flamuri është i grupit terrorist Shteti Islamik. Sipas FBI-së, i dyshuari Jabbar është shtetas amerikan nga Teksasi dhe po hetohen “lidhje të mundshme me organizata terroriste”.

    Në një foto të qarkulluar për zyrtarët e zbatimit të ligjit shfaqet i dyshuari Jabbar me mjekër dhe i veshur me rroba kamuflazhi pranë kamionit, pasi u vra nga policia.

    I dyshuari Jabbar u vra gjatë një shkpmbimi me armë zjarri me policinë pas sulmit, rreth orës 03:15 të mëngjesit në një zonë të mbushur me njerëz që po festonin ardhjen e Vitit të Ri, tha FBI-ja.

    Hetuesit gjetën një pistoletë dhe një pushkë automatike të llojit AR pas shkëmbimit të zjarrit dhe po bënin kërkime në lagjen franceze për pajisje të mundshme shpërthyese, thanë zyrtarët e zbatimit të ligjit.

    Agjentja e FBI-së, Alethea Duncan tha se zyrtarët po hetonin për të paktën një pajisje shpërthyese të improvizuar në vendngjarje.

    Kryebashkiakja e Nju Orlinsit, LaToya Cantrell i përshkroi vrasjet si një “sulm terrorist”.

    Kryeinspektorja e policisë së Nju Orlinsit, Anne Kirkpatrick tha se shoferi ishte “i vendosur për ta bërë masakrën dhe dëmin që shkaktoi”.

    “Ishte një sjellje shumë e qëllimshme. Ky person po përpiqej të shtypte sa më shumë njerëz që të mundej”, tha zonja Kirkpatrick.

    Pasi automjeti u ndal, shoferi doli dhe hapi zjarr ndaj oficerëve që afroheshin, tha policia. Oficerët iu përgjigjën zjarrit, duke e vrarë shoferin.

    Dy policë u plagosën dhe janë në gjendje të qëndrueshme, njoftoi policia. Krahas tyre janë edhe 33 persona të tjerë të plagosur nga sulmi me automjet.

    Zona ku ndodhi sulmi është një destinacion i preferuar për festimet e Vitit të Ri. VOA

  • Vdes shoferi që përplasi automjetin në turmën e njerëzve në New Orleans duke vrarë 10 persona, FBI po heton rastin

    Burime të BBC konfirmuan se vozitësi i dyshuar që u përplas me automjet me turmën e njerëzve në New Orleans (SHBA) ka vdekur derisa, shkaku nuk dihet ende.

    FBI është duke e hetuar sulmin e mëngjesit të sotëm në New Orleans, të cilësuar si ‘akt terrorizmi’.

    10 persona kanë mbetur të vdekur dhe 35 të lënduar pasi një përplasi automjetin e llojit ‘pick-up’ në një turmë të madhe njerëzish.

    Incidenti ndodhi rreth orës 03:15 të orës lokale (09:15 sipas Europës Qendrore).

    Në një konferencë për shtyp, FBI sqaroi se mjete shpërthyese ishte gjetur në vendin e ngjarjes. BBC

    Përgatiti: Ardita Zeqiri/Kallxo.com