Etiketë: FSK

  • 354 rekrutë fillojnë trajnimin për t’u bërë ushtarë të FSK-së 

    354 rekrutë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë filluar trajnimin intensiv të Stërvitjes Ushtarake Bazë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj, për t’u bërë ushtarë të FSK-së. 

    Përmes një njoftimi, FSK bën të ditur se rekrutët do të trajnohen dhe përgatiten për t’u bërë ushtarë të FSK-së, ndërsa ushtrimet përfshijnë zhvillimin e aftësive fizike, njohuritë bazë ushtarake dhe disiplinën, për t’u përgatitur për sfidat e mëtejshme që i presin në karrierën e tyre ushtarake. 

    “Ky trajnim është një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit të të rinjve në Forcën e Sigurisë së Kosovës – duke ofruar njohuri dhe aftësi të nevojshme për t’u bërë ushtarë të aftë dhe të përkushtuar.” – thuhet në njoftimin e datës 27.01.2025. 

    Ndryshe kjo është faza e fundit e testimit, para se ata të bëhen pjesë e Ushtrisë – thekson FSK-ja. 

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës. Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë ushtarake multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit – në pajtim me kompetencat e dhëna kushtetuese dhe ligjore.

     

  • FSK bën pranimin e Poligonit të Qitjes nga Komanda e Forcave Amerikane për Evropë (EUCOM)

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar një poligoni të qitjes nga Forcat Amerikanë për Evropë. Sipas njoftimit, poligoni gjendet në Babaj të Bokës në komunën e Gjakovës.

    FSK, përmes një njoftimi tha se kjo dëshmon bashkëpunimin e ngushtë mes FSK-së dhe ushtrisë amerikane.

    “Ky poligon, i pajisur me teknologji moderne dhe i licencuar për përdorim, ka kaluar me sukses inspektimet dhe testimet e nevojshme, duke ofruar kushte të sigurta për zhvillimin e aktiviteteve të qitjes me armë. Ky projekt është një dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë dhe mbështetjes së Ushtrisë Amerikane për zhvillimin e aftësive të sigurisë dhe mbrojtjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës” – thuhet në njoftim.

    Ky është njoftimi i plotë:

    FSK bën pranimin e Poligonit të Qitjes nga Komanda e Forcave Amerikane për Evropë (EUCOM)

    Në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot është bërë pranimi i poligonit të qitjes në Babaj të Bokës, Komuna e Gjakovës, një donacion i vlefshëm i Komandës së Forcave Amerikane për Evropë.

    Ky poligon, i pajisur me teknologji moderne dhe i licencuar për përdorim, ka kaluar me sukses inspektimet dhe testimet e nevojshme, duke ofruar kushte të sigurta për zhvillimin e aktiviteteve të qitjes me armë. Ky projekt është një dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë dhe mbështetjes së Ushtrisë Amerikane për zhvillimin e aftësive të sigurisë dhe mbrojtjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Duke u bazuar në objektivat e Ministrit të Mbrojtjes dhe udhëzimeve të Komandantit të FSK-së në lokacionin e FSK-së, respektivisht në Babaj Bokës nga Rexhimenti i Xhenios Ushtarake të FSK-së është bërë dhe vazhdon të bëhet hapja e rrugëve që është pjesë e tërësisë së investimeve për poligonet të cilat do të ndërtohen gjatë këtij viti dhe në të ardhmen. Poashtu, janë kryer edhe investime tjera nga buxheti i MM/FSK-së në ndërtimin e urave dhe infrastrukturës përcjellëse. Këto investime janë të planifikuara të vazhdojnë edhe gjatë këtij viti dhe viteve tjera. Gjithashtu për ndërtimin e këtyre poligoneve jemi mbështetur nga partnerët strategjik, konkretisht SHBA-të përmes EUCOMIT dhe Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë të cilat koordinohen nga Zyra e Bashkëpunimit të Mbrojtjes (ODC) së Ambasadës Amerikane në Kosovë.

    Poligoni do të përdoret nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe forcat amerikane për zhvillimin e trajnimeve dhe aktiviteteve të tjera të qitjes, duke siguruar që personeli i FSK-së dhe partnerët e saj janë të përgatitur dhe të trajnuar për t`u përballur me sfidat e sigurisë.

  • Ministri Maqedonci thotë se letra dërguar komandantit të KFOR-it nuk ishte rizotim por sqarim

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka reaguar për letrën dërguar komandantit të KFOR-it në lidhje me angazhimin e Gardës Ceremoniale të FSK-së gjatë një ceremonie mortore.

    Sipas një njoftimi të ministrit, letra në fjalë është dërguar me qëllim që t’i sqarohen komandantit të KFOR-it rrethanat e angazhimit të një njësie të FSK-së në njërën nga komunat në veri të vendit, si dhe për ta siguruar atë që nuk ka pasur për qëllim në asnjë rast tensionimin e situatës. 

    Minsitri ka deklaruar se ajo letër në asnjë mënyrë nuk paraqet rizotim dhe se nuk mund të interpretohet si e tillë. 

    Kjo për shkak se, sipas ministrit, për angazhimin e FSK-së në veri ekziston një dokument në fuqi i dhënë si zotim nga ish-kryeministri Hashim Thaçi në prilll të vitit 2013 dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, nga i cili thotë se derivojnë dhe kushtet e operimit e të koordinimit të FSK-së dhe KFOR-it për pjesën veriore të Kosovës. 

    “E ritheksoj, ashtu siç e kam thënë në çdo paraqitje timen publike, që personalisht nuk pajtohem me atë zotim, pasi vazhdoj të mendoj se ka qenë zotim i gabuar dhe i dëmshëm për ushtrinë tonë, si dhe me pasoja afatgjata. Mirëpo ashtu siç e kemi deklaruar si Ministri e Mbrojtjes dhe si Qeveri e Kosovës, letrën zotuese të vitit 2013 do ta respektojmë, sepse jemi të përgjegjshëm karshi obligimeve të trashëguara institucionale për aq kohë sa janë në fuqi”- ka shkruar Maqedonci sot, më 22.01.2025.

    Tutje, ministri i Mbrotjes ka thënë se është përgjegjësi e tij dhe e komandantit të KFOR-it tani kur thotë se ekziston zotimi i vitit 2013 i dhënë nga ish-kryeministri Thaçi, është që të sigurojnë njëri-tjetrin që do të bëjnë veprimet e nevojshme për të garantuar që angazhimi ushtarak në veri të bëhet në mënyrë të koordinuar.