Etiketë: gaza

  • Trump fton Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë – thotë Izraeli

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është ftuar nga presidenti amerikan Donald Trump për një takim në Shtëpinë e Bardhë, më 04.02.2025 – ka thënë Zyra izraelite të martën.

    “Netanyahu është lideri i parë i huaj i cili është ftuar në Shtëpinë e Bardhë në mandatin e dytë të Trumpit.” – është thënë në deklaratë.

    Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e ka konfirmuar ftesën dhe ka thënë se takimi do të realizohet “në fillim të javës tjetër”.

    “Hollësitë do të bëhen publike kur të finalizohen.” – ka thënë ky zyrtar.

    Takimi mes Trumpit dhe Netanyahut vjen pasi Presidenti amerikan ka deklaruar se është përgjegjës për arritjen e armëpushimit në mes të Izraelit dhe Hamasit në Gazë, pas disa muajve të negociatave të pasuksesshme.

    Hamasi është grup palestinez që udhëheq Gazën, i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

    Përgjatë mandatit të parë Trump ka thënë shpesh se Izraeli “nuk ka pasur kurrë mik më të mirë në Shtëpinë e Bardhë” dhe kjo gjë është pohuar shpesh nga Netanyahu.

    Pak pas nisjes së mandatit të dytë, Trump e ka miratuar dërgimin e 2.000 bombave në Izrael, ndonëse ish-presidenti Joe Biden nuk pati lejuar diçka të tillë.

    Netanyahu e ka përshëndetur Trumpin që i ka ofruar Izraelit ato që i ka konsideruar “pajisje” për të mbrojtur veten./REL

  • Mijëra palestinezë nisin të kthehen në veri të Gazës

    Dhjetëra-mijëra palestinezë janë nisur të hënën në rrugën kryesore që çon në veri të Gazës, pasi Hamasi është pajtuar që t’i dorëzojë tri pengje izraelite këtë javë dhe pasi forcat ushtarake izraelite kanë nisur të tërhiqen prej korridorit kryesor të enklavës.

    Hamasi – grup palestinez që udhëheq Gazën – është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Një turmë e madhe njerëzish, disa duke mbajtur foshnje apo gjësende të domosdoshme nëpër duar, janë nisur në këmbë drejt veriut të Gazës.

    “Më duket sikur të kem lindur sërish dhe të jemi fitimtarë sërish.” – ka thënë një nënë palestineze për Agjencinë e lajmeve Reuters.

    Dëshmitarët kanë thënë se banorët e parë kanë mbërritur në qytetin e Gazës herët në mëngjes.

    Më vonë janë hapur edhe tri pikëkalime tjera, duke mundësuar edhe qarkullimin e makinave.

    “Zemra po më rrah fort. Kam menduar që nuk do të kthehem më kurrë.” – ka thënë Osama, 50 vjeç, shërbyes publik dhe baba i pesë fëmijëve, teksa ka arritur në qytetin e Gazës.

    “Pavarësisht se a do të ketë sukses armëpushimi, ne nuk do të largohemi më kurrë nga qyteti i Gazës dhe veriu, edhe nëse Izraeli sjell tanke për secilin prej nesh, nuk do të ketë më zhvendosje”.

    Duke pasur parasysh faktin se banorët e Gazës janë shpërngulur disa herë përgjatë 15 muajve të luftës, turma njerëzish janë larguar me gëzim prej tendave dhe kampeve kur kanë marrë vesh lajmin që pikëkalimet do të hapen.

    “Nuk kam fjetur, i kam bërë gati të gjitha gjërat për t’u nisur qysh në agim.” – ka thënë Ghada, nënë e pesë fëmijëve.

    “Të paktën jemi duke shkuar në shtëpi, tani mund të them se lufta ka përfunduar dhe shpresoj të jetë gjithçka qetë.” – ka thënë ajo për Reuters.

    Sipas Marrëveshjes për armëpushim, banorët e veriut të Gazës do të duhej të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre në fundjavë.

    Mirëpo Izraeli ka thënë se Hamasi e ka prishur Marrëveshjen, meqë nuk e ka liruar gruan e marrë peng, Arbel Yehud.

    Të dielën vonë ndërmjetësuesit e Katarit e kanë zgjidhur këtë mosmarrëveshje dhe Hamasi është pajtuar që ta lirojë Yehudin bashkë me ushtaren Agam Berger dhe një peng tjetër të enjten – dy ditë para lirimit të tri pengjeve të tjera.

    Izraeli më pas e ka dhënë dritën e gjelbër, që banorët e veriut të Gazës të mund të kthehen në vendbanimet e tyre prej të hënës.

    Rreth 650.000 njerëz janë zhvendosur nga veriu i Gazës përgjatë luftës, e cila është nxitur nga sulmet e Hamasit në jug të Izraelit, më 7 tetor 2023 – duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë peng mbi 240 të tjerë.

    Më shumë se 47.000 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gazë – sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

    Një pjesë e mirë e Gazës është shkatërruar nga luftimet dhe autoritetet nën dirigjim të Hamasit. Kanë thënë se banorët e kthyer në veri të Gazës do të kenë nevojë për mijëra tenda dhe qendra strehimi – teksa tentojnë t’i rikthehen normalitetit.

    Sipas Marrëveshjes së armëpushimit, vetëm personat e paarmatosur do të mund të kthehen në zonën veriore. Makinat do të kontrollohen në hollësi, nëse kanë ndonjë armë apo lëndë shpërthyese./REL.

  • Raportohet se Izraeli nuk lejon mijëra palestinezë që të kthehen në veri të Gazës

    Izraeli bllokoi mijëra palestinezë që të ktheheshin në veri të Gazës, ndërsa akuzoi Hamasin se nuk ka respektuar marrëveshjen sa përket rendit të pengjeve që duheshin liruar. Autoritetet lokale thanë të dielën se forcat izraelite qëlluan mbi turma duke vrarë 2 persona dhe duke plagosur shtatë të tjerë.

    Sipas marrëveshjes së armëpushimit Izrael-Hamas, Izraeli të shtunën do duhej të fillonte t’i lejonte palestinezët të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Gazën veriore, në këmbë përmes të ashtuquajturit korridori Netzarim që përshkon mes për mes Gazën. Izraeli vendosi të mos e bëjë një gjë të tillë derisa Hamasi të lirojë një peng për të cilin Izraeli tha se supozohej të ishte liruar të shtunën. Hamasi nga ana e tij akuzoi Izraelin për shkelje të marrëveshjes.

    Në një tjetër zhvillim, Presidenti Donald Trump sugjeroi që pjesa më e madhe e popullsisë së Gazës duhet të zhvendoset përkohësisht diku tjetër, përfshirë në Egjipt dhe Jordani në mënyrë që të bëhet e mundur siç u shpreh ai “pastrimi” i të gjithë rajonit të shkatërruar nga lufta.

    Më herët, Egjipti, Jordania dhe vetë palestinezët kanë refuzuar një ide të tillë, pasi druhen se Izraeli mund të mos lejojë më kurrë kthimin e të zhvendosurve në Gazë./VOA