Etiketë: Gjakove

  • Krasniqi premton qendër kulturore për komunitetin egjiptian në Gjakovë 

    Kryetari i Iniciativës së Re Demokratike (IRDK), Elbert Krasniqi, po vazhdon fushatën elektorale për zgjedhjet që pritet të mbahen më 09.02.2025. 

    Krasniqi, përmes një video të publikuar në profilin e tij në Facebook, ka premtuar ndërtimin e një qendre kulturore për komunitetin egjiptian në Gjakovë. 

    “IRDK do të ndërtojë qendrën kulturore për komunitetin egjiptian, një hapësirë për koncerte, shfaqje teatrale dhe aktivitete kulturore. Zgjedhja e qytetit të Gjakovës si lokacion, është një pikë e rëndësishme për historinë dhe kontributin artisik të komunitetit duke pasë parasysh trashëgiminë e figurave si Fahri Vraniqi dhe Hadi Bajrami”- ka thënë Krasniqi nga IRDK. 

    Ai thotë se kjo qendër do të përfshijë salla për aktivitete kulturore, hapësira për organizata joqeveritare dhe për galeri arti. 

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër, lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • Tentim vrasje në Gjakovë

    Një tentim vrasje ka ndodhur në Gjakovë pasditen e së hënës, më 20.01.2025.

    Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, një burrë ka raportuar në Polici se derisa ishte në veturën e tij, është shtënë me armë zjarri nga një automjet në lëvizje. 

    Elezaj tha për KALLXO.com se viktima nuk ka pësuar lëndime trupore.

    Ndërkaq, ai ka thënë se për këtë rast ende nuk ka asnjë person të arrestuar. 

    Ai ka bërë të ditur se njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe se është filluar me hetime për zbardhjen e rrethanave. 

    “Prokurori i Shtetit është informuar për rastin, përderisa jemi të angazhuar për të identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin/it”- ka thënë Elezaj për KALLXO.com. 

  • Tre të arrestuarit për ryshfet janë inspektorë të ATK-së

    Tre të arrestuarit nga Prokuroria Themelore në Gjakovë nën dyshimet për marrje ryshfeti janë inspektorë të ATK-së.

    Këtë për KALLXO.COM e ka konfirmuar zyrtari për komunikim publik i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Drini Domi.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë për KALLXO.com sot, më 20.01.2025, ka njoftuar lidhur me aksionin që rezultoi me tre persona të arrestuar, nën dyshime për marrje ryshfeti.

    Sipas Prokurorisë, pas pranimit të informatës, ndaj të dyshuarve janë ndërmarrë edhe masat e fshehta hetimore.

    “Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore – Gjakovë, pas pranimit  të informatës se 3 (tre) të dyshuarit, në periudha të ndryshme kohore dhe në lokacione të ndryshme në Gjakovë, kishin kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të ndryshëm të bizneseve, ku me këto veprime dyshohet se kanë kryer veprën penale ”marrja e ryshfetit’’, Neni 421 i KPRK-së, ka ndërmarrë veprime hetimore – duke zbatuar edhe masat të fshehta hetimore, ndaj të njëjtëve.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjakovës.

    Kurse, me urdhëresë të Gjykatës Themelore të Gjakovës janë kryer edhe bastisje në disa lokacione.

    “Ndërsa, më 20.01.2025, me urdhëresë të Gjykatës Themelore – Gjakovë, është kryer bastisje në 3 (tri) lokacione të ndryshme dhe, me vendim  të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar 3 (tre) persona, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale ”marrja e ryshfetit’’, Neni 421 i KPRK-së.” – thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë.

     

     

    https://kallxo.com/lajm/arrestimet-per-marrje-ryshfeti-flet-prokuroria-e-gjakoves/