Etiketë: IKShPK

  • Në IKSHPK caktohen Laboratorët Referentë për Influencën, Fruthin dhe Rubellën

    Me Vendim të Ministrit të Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShKP) ka caktuar dy laboratorë referentë në kuadër të këtij institucioni.

    Laboratori për Influencë është caktuar si laborator referent për diagnostifikimin e monitorimin e influencës dhe viruseve të tjera respiratore në nivel kombëtar.

    Ndërsa Laboratori për Fruth dhe Rubellë është caktuar si laborator referent për diagnostifikimin, monitorimin dhe studimin e fruthit dhe rubellës.

    Sipas njoftimit të IKShPK-së, ndër të tjera, funksioni i Laboratorit Referent për Influencë është si Qendër Diagnostike për Influencën dhe Virusët Respiratorë në Kosovë dhe shërben si Qendër Trajnimi për Personelin Laboratorik mbi Diagnozën e Influencës dhe Viruseve.

    “Detyrat Specifike të Laboratorit Referent për Influencë: teston mostra për sëmundje të ngjashme me gripin dhe infeksione akute respiratore, sipas mbikëqyrjes së sëmundjeve ngjitëse; identifikon dhe dallon nëntipe të influencës A dhe B, duke përdorur metoda diagnostike të avancuara; përgatit dhe raporton të dhëna statistikore për IKSHPK; ruajtja e mostrave në mikrobanka dhe dërgimi i tyre në Qendrat Bashkëpunuese të OBSH-së për zhvillimin e vaksinave sezonale.” – thuhet në njoftimin e datës 14.01.2025.

    Ndërkaq, detyrat specifike të Laboratorit Referent për Fruth dhe Rubellë janë që të sigurojë teste diagnostifikuese e këshilla shkencore për kontrollin e sëmundjeve dhe ruajtjen e shpërndarjen e produkteve referente biologjike për diagnostifikim.

  • Fillon vaksinimi kundër HPV edhe për djemtë në Kosovë

    Përveç vajzave, tashmë edhe djemtë do të mund ta marrin vaksinën kundër Human Papilloma Virusit (HPV).

    Kështu ka njoftuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një Konferencë për media, teksa theksoi se sigurimi i vaksinave të tilla pa asnjë kosto shtesë “është një arritje e madhe e sistemit shëndetësor”.

    “Kam kënaqësinë që sot të njoftoj fillimin e vaksinimit HPV edhe për djemtë, që ndikon në ruajtjen e brezave të ardhshëm. Siç e dini ky virus shkakton lloje të ndryshme të kancerëve. Vitin e kaluar miratuam përfshirjen e tri vaksinave të reja. Sigurimi i vaksinave të tilla pa asnjë kosto shtesë është një arritje e madhe e të gjithë juve dhe sistemit shëndetësor. Vaksina HPV nuk është vetëm mundësi për vajza, por edhe për djemtë tash. HPV është shumë i rrezikshëm dhe vaksinimi i djemve është një hap shumë i rëndësishëm.” – ka deklaruar Vitia.

    Ministri Vitia bëri të ditur se 10 mijë vajza janë vaksinuar që nga fillimi i vaksinimit me vaksinën HPV, që nga viti i kaluar.

    “10 mijë vajza janë vaksinuar që nga fillimi i vaksinimit për vajza me vaksinën HPV, që nga viti i kaluar. Komiteti profesional për imunizim ka rekomanduar që të fillojë vaksinimi edhe për djemtë. Ju bëj thirrje prindërve që të sigurohen që fëmijët të vaksinohen, sepse është një hap i rëndësishëm dhe përgjegjësi e përbashkët.” – tha Vitia.

    Drejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), Ardita Baraku tha se vaksina është e sigurtë dhe efikase.

    “Vaksina është vaksinë e sigurt dhe efikase. Bëj thirrje për prindër dhe arsimtarë që të përçojnë mesazhin për vaksinim dhe t’i kemi të mbrojtur fëmijët tonë.” – tha Baraku.

    Tutje, Vitia ka deklaruar se nuk është regjistruar ndonjë rast me HPV.

    “Nuk kemi akoma rast. Jemi të përgatitur. Institucionet janë në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha mekanizmat, sa i përket këtyre sëmundjeve ngjitëse. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me çdo institucion të rëndësishëm si OBSH.” – është shprehur Vitia.

    “Asnjë lloj paniku nuk ka nevojë te qytetarët. IKSHPK dhe SHKUK thashë që kanë marrë masat. Nuk ka asnjë arsye për me pasë panik.” – shtoi ai.

    HPV – Human Papilloma Virus është një virus i cili mund të shkaktojë një sërë sëmundjesh serioze, përfshirë lloje të kancerëve. HPV është shakatari kryesor i kancerit të qafës së mitrës, i cili është kanceri i katërt më i shpeshtë te femrat. HPV, gjithashtu, mund të shkaktojë kancer të anusit, kancer të organeve gjenitale dhe kancer te kokës dhe qafës së mitrës. Vaksina kundër HPV ofron mbrojtje kundër virusit HPV e, rrjedhimisht, edhe prej kancerëve që shkakton ai. Vaksinimi te vajzat ka filluar vitin e kaluar, nga mosha 12-15 vjeçare.

    https://kallxo.com/lajm/ikshpk-vaksina-kunder-hpv-tani-e-tutje-ofrohet-edhe-per-vajzat-nga-13-deri-ne-21-vjec/