Etiketë: Izrael

  • Raportohet se Izraeli nuk lejon mijëra palestinezë që të kthehen në veri të Gazës

    Izraeli bllokoi mijëra palestinezë që të ktheheshin në veri të Gazës, ndërsa akuzoi Hamasin se nuk ka respektuar marrëveshjen sa përket rendit të pengjeve që duheshin liruar. Autoritetet lokale thanë të dielën se forcat izraelite qëlluan mbi turma duke vrarë 2 persona dhe duke plagosur shtatë të tjerë.

    Sipas marrëveshjes së armëpushimit Izrael-Hamas, Izraeli të shtunën do duhej të fillonte t’i lejonte palestinezët të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Gazën veriore, në këmbë përmes të ashtuquajturit korridori Netzarim që përshkon mes për mes Gazën. Izraeli vendosi të mos e bëjë një gjë të tillë derisa Hamasi të lirojë një peng për të cilin Izraeli tha se supozohej të ishte liruar të shtunën. Hamasi nga ana e tij akuzoi Izraelin për shkelje të marrëveshjes.

    Në një tjetër zhvillim, Presidenti Donald Trump sugjeroi që pjesa më e madhe e popullsisë së Gazës duhet të zhvendoset përkohësisht diku tjetër, përfshirë në Egjipt dhe Jordani në mënyrë që të bëhet e mundur siç u shpreh ai “pastrimi” i të gjithë rajonit të shkatërruar nga lufta.

    Më herët, Egjipti, Jordania dhe vetë palestinezët kanë refuzuar një ide të tillë, pasi druhen se Izraeli mund të mos lejojë më kurrë kthimin e të zhvendosurve në Gazë./VOA

  • Shefi i ushtrisë izraelite jep dorëheqje për shkak të sulmit të 7 tetorit 2023

    Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Izraelit, Herzi Halevi, njoftoi të martën se ka dorëzuar dorëheqjen nga detyra, duke e marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës të Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael.

    Ndërkohë, ushtria izraelite e kreu një operacion të madh ushtarak në Bregun e okupuar Perëndimor të martën, duke i vrarë gjashtë njerëz dhe duke i plagosur 35 të tjerë, sipas Ministrisë palestineze së Shëndetësisë.

    Halevi, i cili e mori detyrën në janar 2023, tha se dorëheqja e tij do të hyjë n fuqi më 6 mars.

    Gjenerallejtënant Halevi është zyrtari më i lartë izraelit që jep dorëheqje për shkak të dështimit të sigurisë më 7 tetor 2023, kur mijëra militantë të udhëhequr nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – u futën në jug të Izraelit dhe sulmuan komunitetet pranë kufirit dhe bazat ushtarake.

    Në atë sulm u vranë 1.200 njerëz – kryesisht civilë – dhe u rrëmbyen 250 të tjerë. Më shumë se 90 pengje janë duke u mbajtur ende në Gazë, dhe besohet se rreth një e treta e tyre kanë vdekur tashmë.

    Në letrën e tij të dorëheqjes, Halevi tha se ushtria, nën udhëheqjen e tij, “dështoi në detyrën e saj për ta mbrojtur shtetin e Izraelit”.

    Më herët, Izraeli njoftoi se po kryente “operacion të madh dhe të gjerë ushtarak” kundër militantëve palestinezë në Xhenin.

    Në këtë qytet kanë ndodhur shpesh luftime mes ushtrisë izraelite dhe militantëve në vitet e fundit, madje edhe para sulmit të Hamasit më 7 tetor, që e nxiti luftën në Gazë.

    Lufta në Gazë ka shkaktuar viktima të shumta dhe dëme të mëdha materiale. Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 46.000 palestinezë.

    Operacioni i së martës ndodhi pak ditë pasi një armëpushim i brishtë mes Hamasit dhe Izraelit në Gazë hyri në fuqi në fundjavë.

    Izraeli i pushtoi Bregun Perëndimor, së bashku me Gazën dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës të Lindjes së Mesme më 1967.

    Palestinezët duan që këto tri territore të jenë pjesë e shtetit të tyre në të ardhmen.

    Armëpushimi nuk vlen për Bregun Perëndimor, ku dhuna është rritur shumë që nga fillimi i luftës. Ushtria izraelite ka kryer operacione në Bregun Perëndimor pothuajse çdo ditë, të cilat shpesh kanë nxitur luftime.

    Ka pasur edhe rritje të sulmeve të ekstremistëve hebraikë ndaj palestinezëve gjatë kësaj kohe, si dhe sulme të palestinezëve ndaj izraelitëve./ REL

  • Hyn në fuqi armëpushimi Izrael-Hamas

    Armëpushimi në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – hyri në fuqi të dielën.

    Nisja e armëpushimit erdhi pasi Hamasi publikoi emrat e tri pengjeve gra që do t’i lirojë më 19 janar.

    Mosdërgimi i emrave të pengjeve bëri që hyrja në fuqi e armëpushimit të vonohen për më shumë se dy orë, teksa Izraeli tha më herët se do të vazhdojë luftimet derisa emrat të dorëzoheshin, ashtu siç ishte paraparë në marrëveshjen e arritur më herët gjatë javës.

    Hamasi tha më herët gjatë së dielës se për “arsye teknike në terren” nuk arriti që me kohë të dorëzojë emrat. Përmes një deklarate, grupi radikal palestinez tha se është i përkushtuar për marrëveshjen e armëpushimit.

    Izraeli tha po ashtu para nisjes së armëpushimit se do të vazhdonte luftimet derisa nuk do të publikohej lista me emrat e pengjeve. Më vonë, ushtria izraelite tha se ka shënjestruar një sërë caqesh të Hamasit në Gazë. Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se të paktën tetë persona u vranë mëngjesin e 19 janarit.

    Me lirimin e tri pengjeve të para pritet të lirohen edhe dhjetëra palestinezë të burgosur në Izrael.

    Në mbarë enklavën palestineze pati festime të dielën dhe disa palestinezë nisën të ktheheshin në shtëpitë e tyre edhe pse vonesat në hyrjen në fuqi të armëpushimit vunë në pah brishtësinë e marrëveshjes.

    Marrëveshja e armëpushimit parasheh dhënien fund të luftës 15-mujore dhe lirimin e pothuajse 100 pengjeve, që u morën gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023.

    Ndërkaq, Izraeli njoftoi se ka arritur të tërheqë trupin e Oron Shaul, një ushtar që ishte vrarë në luftën Izrael-Hamas më 2014. Trupat e Shaulit dhe ushtarit tjetër, Hadar Goldin, kishin qenë në Gazë edhe pas përfundimit të luftës më 2014.

    Armëpushimi, që u arrit pas një viti të ndërmjetësimit intensiv nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, është hapi i parë në një proces të gjatë e të brishtë që synon t’i japë fund luftës 15-mujore.

    Në fazën e parë 42-ditore të armëpushimit është paraparë të lirohen 33 pengje që mbahen në Gazë dhe qindra të burgosur palestinezë që mbahen në Izrael. Pakti parasheh që Izraeli të tërhiqet në një zonë brenda Gazës dhe shumë palestinezëve të zhvendosur t’iu mundësohet kthimi në shtëpinë e tyre. Po ashtu, parashihet rritje e ndihmave humanitare për Gazën.

    Ky është armëpushimi i dytë që hyn në fuqi që kur nisi lufta në tetorin e vitit 2023, pasi mbi një vit më parë palët kishin pauzuar luftimet për një javë dhe gjatë asaj periudhe u liruan disa pengje.

    Negociatat për fazën e dytë, që konsiderohet më e vështirë, është paraparë të nisin dy javë më vonë. Megjithatë, ka shumë pikëpyetje për këtë çështje, përfshirë edhe atë nëse lufta do të rinisë pas fazës së parë gjashtëjavore dhe si do të lirohen pjesa tjetër e pengjeve.

    Lufta në Gazë ka shkaktuar viktima të shumta dhe dëme të mëdha materiale. Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 46.000 palestinezë.

    Mbi 90 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh është zhvendosur. Kombet e Bashkuara kanë thënë se sistemi i shëndetësisë, rrjeti rrugor dhe infrastruktura vitale janë dëmtuar rëndë. Rindërtimi – nëse armëpushimi arrin në fazën e tij finale – do të merrte kohë disa vite. Po ashtu, çështje e pazgjidhur mbetet edhe se si do të udhëhiqet Gaza pas konfliktit./REL