Etiketë: KFOR

  • Ushtarë italianë vijnë në Kosovë për të përforcuar praninë e KFOR-it

    Ushtarë italianë kanë mbërritur në Kosovë për të përforcuar praninë e misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO.

    Sipas njoftimit të KFOR-it, dislokimi i këtyre trupave është i përkohshëm.

    “Dislokimi i tyre është i përkohshëm. Në muajt e ardhshëm, më shumë se 200 ushtarë, nga Brigada e mekanizuar italiane e këmbësorisë “Sassari”, do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh, së bashku me trupat e KFOR-it dhe do të vendosen në përgjigje të çdo zhvillimi përkatës sa i përket situatës së sigurisë, përfshirë edhe gjatë periudhës zgjedhore”- thuhet në njoftim.

    Më 14.01.2025, KALLXO.com raportoi se misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX ka njoftuar se është duke e përforcuar Njësinë Policore të Specializuar (NJPS) të tij përmes dislokimit të përkohshëm të pjesëtarëve të Forcës Europiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR) nga Franca, Italia, Lituania dhe Portugalia.

    https://kallxo.com/lajm/eulex-i-perforcon-njesitin-policor-te-specializuar-ne-kosove/

    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 09.02.2025.

     

  • Komandanti i KFOR-it takohet me kryevëzhguesen e Misionit të BE-së për zgjedhjet, flasin për sigurinë

    Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, ka pritur në takim kryetaren e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, Nathalie Loiseau në Shtabin e KFOR-it në Prishtinë.

    Ata kanë diskutuar pikëpamjet për tema të ndryshme, duke përfshirë sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën, situatën e stabilitetit rajonal dhe përpjekjet e vazhdueshme të Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në mbështetjen e zgjedhjeve transparente dhe demokratike në Kosovë.

    “Gjeneralmajor Barduani nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, pavarësisht nga përkatësia etnike, gjinia, feja apo përkatësia politike”- thuhet në njoftimin e datës 18.01.2025.

    KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

    Zgjedhjet nacionale në Kosovë do të mbahen më 09.02.2025.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë në vitin 2008.

  • Ushtarët gjermanë dhe letonezë të KFOR-it patrullojnë në Veri

    Ushtarët gjermanë dhe letonezë të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje të misionit të KFOR kanë kryer patrullim të përbashkët në veri të Kosovës.

    KFOR-i tha se patrullimi lejon që ushtritë e të dy kombeve të punojnë së bashku, për të rritur sigurinë në mbarë Kosovën.

    “Këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it, për të mbështetur të gjitha komunitetet brenda Kosovës.” – thuhet në njoftimin e KFOR-it, të publikuar më 13.01.2025.

    KFOR theksoi se punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes – në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).” – vazhdon njoftimi.