Etiketë: Komuna e Prishtinës

  • FSK do të mbajë marsh stërvitor në Parkun e Gërmisë

    Komuna e Prishtinës njofton se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të zhvillojë një marshim stërvitor në terren, sipas planit të trajnimeve. 

    Ky aktvitet do të mbahet më 07.02.2025, në Parkun e Gërmisë në Kryeqytet – thekson Komuna e Prishtinës. 

    “Lusim qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë realizimit të këtij ushtrimi.” – thuhet në njoftimin e datës 29 janar 2025. 

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës. Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është një forcë ushtarake multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit – në pajtim me kompetencat e dhëna kushtetuese dhe ligjore.

  • Kryetari Rama takoi ambasadorin britanik, diskutuan për procesin e digjitalizimit të Prishtinës

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është takuar me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për rolin e ekspertizës britanike në procesin e digjitalizimit të kryeqytetit.

    Po ashtu, Rama thotë se kanë folur edhe për rëndësinë e bashkëpunimeve mes kompanive teknologjike dhe për mundësitë për inovacion të përbashkët.

    “Bashkëpunime të tilla janë kyçe për të forcuar lidhjet tona dhe për të krijuar mundësi të reja për qytetarët e Prishtinës”- ka shkruar Rama, të martën, më 28.01.2025.

    Ndryshe, kryetari Përparim Rama më 10.01.2025 nënshkroi marrëveshje me Policinë dhe Postën e Kosovës për gjoba digjitale të trafikut.

    Ai kishte theksuar se ky është hap i rëndësishëm për sigurinë dhe rregullin në trafik.

    Ndërsa, si pjesë e angazhimit për një Qytet të Mençur (Smart City), muaj më parë Komuna nisi vendosjen e shtyllave informuese që tregojnë vendet e lira të parkimit, temperaturën, cilësinë e ajrit e informacione të tjera.

     

  • Qendra e Studentëve i drejtohet komunës së Prishtinës: Situata me qentë endacakë, shqetësuese dhe e rrezikshme

    Qendra e Studentëve në Prishtinë përmes një reagimi drejtuar Komunës së Prishtinës janë shprehur se situata me qentë endacak është bërë shqetësuese dhe e rrezikshme për studentët banues në konvikte, punëtorë e kalimtar rasti.

    Në reagim, QS potencon se i janë drejtuar komunës për zgjidhje të këtij problemi, por nuk kanë marrë përgjigje.

    “Problemi me qentë endacakë është bërë shqetësuese dhe shumë e rrezikshme për studentët banues në konvikte, punëtorët dhe qytetarët kalimtar të rastit, të cilët shfrytëzojnë për lëvizje, hapësirat e Qendrës së Studentëve” – thuhet në reagim.

    Tutje, qendra thekson se “Sulmet nga qentë endacakë për studentët, çdo ditë e më shumë po kthehen në çështje serioze dhe shqetësuese”.

    Në reagim është kërkuar po ashtu nga zyrtarët e Komunës së Prishtinës, që “sa më shpejtë të ndërmarrë masa të menjëhershme për t’i mbrojtur studentët dhe qytetarët nga ky rrezik”- thuhet në këtë reagim.

    Komuna e Prishtinës në vitin 2024 hapi strehimoren dhe qendrën për trajtim të qenve endacak në Hajvali, derisa në plan është edhe ndërtimi i një qendre tjetër në fshatin Slivovë.

    Pas funksionalizimit të kësaj qendre në Hajvali, drejtoria përkatëse në komunë nisi mbledhjen e qeneve në zonat ku raportohet për sulme, por edhe ku qentë rrinë në tufa, si QKUK, Parku i Qytetit dhe Kampusi Universitar.

    Në këtë qendër bëhet kastrim, sterilizim dhe vaksinim i qenve.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në shumë paraqitje publike ka bërë të ditur se menaxhimi i situatës me qentë endacak nuk mund të bëhet vetëm nga niveli lokal, por duhet edhe bashkëveprim me komunat përreth, si dhe investim edhe nga niveli qendror.

    Komuna e Prishtinës nga viti 2024 paguan me 50 euro në muaj secilin qytetarë që adopton qen të rrugës.

    Derisa, në qytet ekzistojnë edhe 18 pika ushqyese për qentë endacak.