Etiketë: Mitrovicë e veriut

  • Mitrovicë e Veriut – Policia gjen armë e pajisje për prodhimin e kriptovalutave

    Policia e Kosovës ka gjetur, më 22.01.2025, armë, pajisje për prodhimin e kriptovalutave dhe pajisje të tjera të dyshimta në rrugën “Kollashini”, në Mitrovicë të Veriut.

    “Një armë e gjatë (pushkë ajrore), pesë kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave me pajisje përcjellëse, dyzet e dy minera për prodhim të kriptovalutave me pajisje përcjellëse, një shtëpizë e kompjuterit, një karikator i revoles, katërmbëdhjetë fishekë të revoles kalibri 9 mm, një radiolidhje, një  kamerë vëzhgimi; divijar, vulë metalike dhe letërnjoftim.” – këto janë gjetur sipas njoftimit të PK-së.

    Sipas Policisë, aparatet për prodhimin e kriptovalutave do t’i dorëzohen Doganës së Kosovës. Ndonëse të arrestuar nuk ka ende, organet e rendit njoftojnë se është identifikuar një person.

    “Në vendin e ngjarjes nuk është hasur ndonjë person i dyshuar, mirëpo është identifikuar një person dhe i cili është me interes për Policinë që të intervistohet. Në lidhje me rastin, është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit ‘’mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.” – thuhet në njoftim.

    Policia përfundon se vazhdon të mbetet e përkushtuar për ofrim të shërbimeve, ndaj të gjithë komunitetit pa dallim.

  • FOTO – Forca të shtuara të KFOR-it afër Urës së Ibrit

    Forca të shtuara të Misionit Paqeruajtës të udhëhequr nga NATO, KFOR janë parë paraditën e së mërkurës, më 22.01.2025, afër Urës së Ibrit që i ndan Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut.

    Sipas zyrtarëve në terren kjo është vizitë e thjeshtë, e cila bëhet vetëm gjatë ditës së sotme.

    “Është një vizitë e thjeshtë. Do të zgjasë vetëm sot dhe nuk ka të bëjë me Urën e Ibrit.” – thanë zyrtarët e KFOR-it.

    Ndërsa zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani tha se nuk ka informacione  se pse janë parë forcat e shtuara të KFOR-it në këtë pjesë.

    “Përndryshe situata e sigurisë në Veri nuk ka ndryshuar. Vazhdon të jetë e qetë, por delikate.” – tha ai.

     

    Ndryshe, më 19.01.2025, ushtarë italianë kanë mbërritur në Kosovë për të përforcuar praninë e Misionit Paqeruajtës, të udhëhequr nga NATO.

    Sipas njoftimit të KFOR-it, dislokimi i këtyre trupave është i përkohshëm.

    https://kallxo.com/lajm/ushtare-italiane-vijne-ne-kosove-per-te-perforcuar-pranine-e-kfor-it/

  • Policia gjen granata dore dhe municion në Mitrovicë të Veriut – VIDEO

    Policia e Kosovës ka konfiskuar mjete shpërthyese – granata dore, municion dhe mjete tjera të dyshuara në Mitrovicë të Veriut, më 17.01.2025.

    Për këtë rast, Policia njofton se ka arrestuar të dyshuarin M.B. Fillimisht, Policia ka pranuar informatën se në një lokacion ka mjete të dyshuara.

    Pas informacionit, Policia ka kryer disa kontrolle në një shtëpi dhe në objektet përcjellëse të saj.

    Po ashtu, nga ky aksion, Policia thotë se janë sekuestruar nga Dogana e Kosovës edhe kartela grafike (RIGAT) për prodhimin e kriptovalutave.

    Policia ka bërë të ditur dëshmitë që janë gjetur dhe konfiskuar, të cilat janë: 4 (katër) mjete shpërthyese (granata dore M79), 8 (tetë) gaz maska me filtër dhe 2 (dy) filtër rezervë, 10 (dhjetë) USB, 1 (një) pajisje optike për snajper “tasco 6×40”, 1 (një) çantë me pajisje optike për armë (Bushnell), 1 (një) pelerin për snajper, 1 (një) krehër me pesë (5) fishekë për armë të gjatë, 1 (një) kuti me pesëmbëdhjetë fishekë për armë të gjatë 7.9mm, 99 (nëntëdhjetë e nëntë) fishekë për armë gjuetie, 2 (dy) fishekë të pistoletës, 2 (dy) telefona, 1 (një) sim kartel, 4 (katër) mbushës (adapter) për radiolidhje (motorolla), 1 (një) bateri dore, 1 (një) maicë e zezë me foto dhe mbishkrim (KOCOBCKИ BИTEZOBИ), 1 (një) shufër metalike, 1 (një) busull ushtarake; pajisje, dritë rotative për veturë, pajisje për pastrim të armëve, 1 (një) palë pranga me fotroll.

    Sipas Policisë, i dyshuari M.B. në prezencën e avokatit mbrojtës është mbrojtur në heshtje.

    “Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur Prokurorit të rastit me Aktvendim,  të cilit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit  për 48 orë. Ky operacion pasqyron përkushtimin dhe përpjekjet tona për të garantuar sigurinë publike, për respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve. Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, pa dallim, të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë për të na ndihmuar në misionin tonë për të ruajtur paqen dhe sigurinë.” – ka thënë Policia.

    Ky nuk është aksioni i vetëm që Policia e Kosovës ka konfiskuar mjete shpërthyese e kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave.