Etiketë: PK

  • Pejë – Babai raporton se i është zhdukur vajza

    Një burrë në Pejë ka raportuar në Policinë e Kosovës se i është zhdukur vajza.

    Sipas Raportit policor, të lëshuar më 29.01.2025, prindi ka thënë se vajza është është larguar nga shtëpia më 12.01.2025, rreth orës 23:00 dhe se nuk dihet për vendodhjen e saj. 

    Policia thotë se po e heton rastin. 

     

  • IPK nis hetime për një rast të shkrepjes aksidentale të armës së zjarrit të një zyrtari policor në Mitrovicë të Jugut

    Inspektorati Policor i Kosovës njofton se ka nisur hetimet për një rast të shkrepjes aksidentale të armës të një zyrtari policor.

    Zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka, ka konfirmuar për KALLXO.com se rasti ka ndodhur në një pompë të derivateve në afërsi të Mitrovicës së Jugut, të martën, më 28.01.2025. 

    Beka tha se për këtë rast nuk ka ndonjë të lënduar, por se janë shkaktuar vetëm dëme materiale. 

    “Hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprimet fillestare hetimore në koordinim më prokurorin kompetent kurse veprimet tjera do të ndërmirren konform autorizimeve ligjore të Inspektoratit Policor”- theksoi Beka. 

    Për rastin ai tha se IPK është njoftuar nga Policia.

  • Policia zbulon një laborator për falsifikim të dokumenteve në Prishtinë, konfiskon mijëra dokumente nga 51 shtete të botës

    Një laborator i sofistikuar për falsifikim të dokumenteve është zbuluar në Prishtinë, njoftuan më 28.01.2025 Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Kosovës. 

    Sipas një njoftimi, më 24.01.2025 Policia ka ndaluar një automjet në Prishtinë, në të cilin sipas saj janë gjetur dokumente të zbrazëta të shteteve të ndryshme të botës. 

    “Shoferi me inicialet (F.K.) u arrestua dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh”- njofton Policia. 

    Ndërkaq, pas hetimeve, Policia thotë se u zbulua edhe një shtëpi në Prishtinë që shërbente si laborator i sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si pasaporta, karta identiteti dhe patentë shoferë.

    Siç bëhet e ditur nga Policia, gjatë bastisjes u konfiskuan si dëshmi, makina laserike, printerë, mbi 20,000 mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të ndryshme të botës. 

    “Ky rast po hetohet si “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Krim i organizuar” nga Prokuroria Speciale. Policia e Kosovës mbetet e angazhuar në luftimin e krimit të organizuar”- thuhet në komunikatën e përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë Speciale.