Etiketë: policia e shtetit

  • Bora në malin e Tomorit, Policia ndihmon familjen që mbeti e bllokuar në rrugë – Pamje

    Shërbimet e Qarkullimit Rrugor në Shqipëri kanë arritur t’i dalin në ndihmë një familje, e cila kishte mbetur e bllokuar në rrugën për në malin e Tomorit.

    Për shkak të reshjeve të dendura të borës, vetura me të cilën lëvizte familja 5-anëtarëshe kishte mbetur në rrugë.

    “Familja nga Berati, kishte udhëtuar drejt malit të Tomorit dhe në kthim për shkak të reshjeve të dendura të dëborës, automjeti i tyre kishte xhiruar dhe për pasojë kishte pësuar dëmtime në goma – duke e bërë të pamundur lëvizjen drejt qytetit të Beratit.” – thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

    Shërbimet e Qarkullimit Rrugor i transportuan me automjetin e tyre deri në banesë shtetasit, që ndodheshin në veturën e bllokuar.

    Shërbimet e Qarkullimit Rrugor kanë apeluar për të gjithë drejtuesit e mjeteve nëse udhëtojnë drejt malit të Tomorit, të përdorin zinxhira dhe goma dimërore, të përshtasin shpejtësinë, të mos kryejnë parakalime të gabuara dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.

    Ata kanë bërë të ditur se borëpastrueset po vijojnë punën në këtë aks rrugor për pastrimin e rrugës.

     

     

     

  • Policia e Shtetit parandalon një rast të kontrabandës me mallra nga Shqipëria në Kosovë

    Policia e Shtetit ka parandaluar një rast të tentativës për të kontrabanduar mallra nga Shqipëria në Kosovë, nëpërmjet kufirit të gjelbër më 11.01.2025 në Qafë Prush.

    Sipas një komunikate për media, Policia ka arrestuar një person që transportonte mallrat, si dhe të njëjtit i janë sekuestruar mallrat dhe automjeti.

    “Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Qafë Prush, në bazë të analizës së riskut, kanë vijuar kontrollet për të konstatuar dhe goditur paligjshmëritë në këtë pikë kufitare. Në këtë kuadër, janë kryer kontrolle në automjetin kamionçinë me drejtues shtetasin B. Gj”- thuhet në komunikatë.

    Në njoftim bëhet e ditur se, gjatë kontrollit në këtë automjet, Policia ka gjetur mallra ushqimore pa dokumentacion, të cilat i dyshuari po tentonte t’i nxirrte nga Shqipëria, nëpërmjet kufirit të gjelbër.

    “Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, Seksioni për Hetimin e Krimeve në DVKM Kukës arrestoi në flagrancë shtetasin B. Gj., 46 vjeç, banues në Kosovë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”- theksohet në njoftim.

    Policia thotë se materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

  • Vrasja në Shkodër, arrestohen dy të dyshuar – Pamje

    Një 33-vjeçar dyshohet të jetë vrarë në fshatin Dragoç të Shkodrës, më 05.01.2025.

    E vëllai i autorit të vrasjes dyshohet se ndihmoi për të kryer aktin dhe për ta fshehur armën e krimit.

    Policia e Shtetit njoftoi se arrestoi dy vëllezërit gjithashtu në vendbanimin e tyre gjeti dhe sekuestroi armën me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.

    Organet e rendit sjellin pamje nga operacioni i koduar “Profili i rremë”, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 05.01.2025, në fshatin Dragoç, ku u vra me armë zjarri 33-vjeçari.