Etiketë: Prokuroria Speciale

  • Prokuroria Speciale po heton mënyrën e ndarjes së banesave sociale në Zubin Potok

    Banesave sociale në Zubin Potok u është vendosur shiriti nga Policia e Kosovës dhe rasti po vazhdon të hetohet nga Prokuroria Speciale, për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

    Organet e rendit konfirmojnë se në këto banesa janë hasur “dallavere”, me prona e me ndërtim. Ndërsa organet komunale bëjnë të ditur se në mënyrë ilegale është bërë shpërndarja e çelësave.

    Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani i cili tha se rasti po hetohet nga Prokuroria Speciale, për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” nga ish-Kryetari i kësaj Komune.

    “E kemi njoftu Prokurorin. Tani kemi nis me hetu rastin. Kemi ardhë në përfundim. Më 15 dhjetor (2024) ia kemi qit shiritat. Tash e ka këtë rast duke e hetu Prokuroria Speciale, bashkë me krimet ekonomike me dyshimin ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’.” – tha Elshani.

    Ai shtoi se hetimet për këtë rast kanë filluar që nga nëntori i vitit të kaluar, për problemet që kishin serbët me ndarjen e këtyre banesave.

    “Ka qenë një hetim, duke u zhvillu në nëntor të vitit të kaluar për ndarjen e banesave. Kanë pasë disa probleme serbët mes vete: ‘Jo e ka nda mirë, jo s’e ke nda mirë’. Qaty ia kemi nis hetimeve për punë të problemeve, qysh e tek. I kemi marrë si anëtarë Komisioni. I kemi marrë në pyetje. E prej aty e kemi pa, që është e dyshimtë krejt ajo me prona, me ndërtim e me krejt.” – përfundoi Elshani.

    Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri tha se banorët e këtyre banesave kanë shpërndarë çelësat në mënyrë ilegale. Gjjithashtu, tashmë qarkullimi në këto objekte është ndaluar.

    “Iu kanë qit disa shirita, se i kanë nda disa çelësa në mënyrën ilegale. Nuk e di kush. Kjo ka ndodhë rreth 26, 27 nëntor dhe çelësat janë shpërndarë diku natën nga kufijtë. Unë kam dëgju të nesërmen, menjëherë. Mirëpo, ishte festa kombëtare, natyrisht 28 Nëntori dhe ishte pushim. Unë kam pasë menjëherë ankesa të qytetarëve. Kërkesa për banim të qytetarëve dhe informacionet se kush e ka ba. I kanë marrë natën. Janë dalë aty nga kufini, aty përtej kufinit, çka po di unë.” – tha i pari i Zubin Potokut, për KALLXO.com.

     

  • Prezentohen Raportet vjetore nga Kryeprokurorët e Prokurorive për vitin 2024

    Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur më 23.01.2025 mbledhjen e 261, në të cilën si Pikë e Rendit të ditës është paraparë prezantimi i Raporteve vjetore për Prokuroritë e vendit.

    Ky Raport përfshin periudhën kohore prej 1 janarit deri më 31 dhjetor të vitit 2024.

    Së pari, Raportin e ka prezantuar kryeprokurori i Apelit, Agron Bajrami, i cili para Këshillit ka deklaruar se zgjidhja e lëndëve në këtë Prokurori arin 100% – duke marrë për bazë lëndët e pranuara për vitin 2024 dhe lëndët e zgjidhura.

    Sipas Brajramit, në vitin 2024 janë pranuar 9,707 lëndë, ndërsa janë zgjidhur 9,707.

    Kryeprokurori i Apelit ka folur edhe për hedhje të kallëzimeve penale dhe për vitin 2024 ka deklaruar se kishin 176 raste të kallëzimeve penale, që ishin apeluar në Shkallën e Dytë të Prokurorisë.

    Nga këto kallëzime penale, 104 Ankesa kundër hedhjes së kallëzimit penal ishin refuzuar, 55 ishin aprovuar, kurse 17 ishin hedhur poshtë si të palejuara.

    Raporti i kryeprokurorit të Apelit, Agron Bajrami është aprovuar nga Këshilli me 10 vota “për” dhe asnjë “abstenim”.

    Radhën për të prezantuar Raportin para Këshillit Prokurorial të Kosovës e kishte Prokuroria Speciale. Prezent ishte zëvendëskryeprokurori i kësaj Prokurorie, Valdet Gashi.

    Gashi tha fillimisht se lëndë të vitit 2023 që janë bartur në vitin 2024 janë 1,756 sosh, ndërsa për vitin 2024 ishin pranuar në Prokurori Speciale plot 489 raste të reja.

    Në vitin 2024 në punë në Prokurorinë Speciale ishin plot 2,224 lëndë. Në vitin 2024 ishin zgjidhur 288 lëndë, që i bie në përqindje 58% në raport me rastet e pranuara.

    Gashi shtoi tutje se gjatë vitit që lamë pas si Prokurori ishin ballafaquar me disa sfida, sidomos me ndryshimin e Ligjit për Kompetenca të Zgjeruara të Prokurorisë Speciale – duke rritur numrin e paraqitjes së rasteve në këtë Prokurori.

    Sipas tij, arsyeja pse viti 2024 del të jetë me përqindje më pak efikas sesa viti 2023, është arsyeja e këtij ndryshimi ligjor.

    “Gjatë vitit 2024 jemi ballafaquar me disa sfida, sidomos me rastin e ndryshimit të Ligjit të PSRK-së. Në kompetencë ka vendosur edhe disa zyrtarë. Edhe pozita të disa zyrtarëve që i mbajnë që më parë kanë qenë në Prokuroritë Themelore. Kemi një numër të dyfishimit të numrit të lëndëve të pranuara, në krahasim me vitin 2023. Për atë ka dalë përqindja më e ulët, se në vitin 2023.” – tha Gashi.

    Gashi ka folur tutje se numri i madh i lëndëve, si për shembull hetimi i rreth 1,600 Kontratave njëburimore sipas tij kanë bërë që në aspektin procedural Prokuroria të ketë ngecje.

    Këto vonesa në hetime sipas Gashit kanë të bëjnë edhe me një numër tjetër të elementeve, si për shembull bashkëpunimi që kjo Prokurori e ka me institucione të tjera, e që nganjëherë deri te grumbullimi i informacioneve merr kohë.

    Raporti vjetor i Prokurorisë Speciale u aprovua me 10 vota “për”, me qëllim që brenda 7 ditësh të përpilohet një Raport i vetëm, i cili përfshin punën e secilit Prokuror.

    Radhën e kishte kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi.

    Gashi në prezantimin e Raportit tha se puna e kësaj Prokurorie në përqindje do të vinte në 101%, në të gjitha Departamentet.

    Sipas Gashit, Aktakuzat e kësaj Prokurorie në Gjykatë janë vërtetuar me Aktgjykime dënuese në përqindje në 93%. Aktgjykime liruese nga këto Aktakuza sipas Gashit kanë vetëm 2.82%, ndërsa Aktgjykime refuzuese kanë pasur vetëm 3.84%.

    Pas raportimit të Gashit, radhën pritet ta marrë kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajit, Burim Çerkini dhe Kryeprokurorët e Prokurorive të tjera.

  • Kush janë të akuzuarit për ‘përgatitje të vrasjes së rëndë për hakmarrje’?

    Prokuroria Speciale ka njoftuar, më 22.01.2025, se ka ngritur Aktakuzë ndaj dy personave për shkak të dyshimit të bazuar, se të njëjtit kanë përgatitur veprën penale ‘vrasja e rëndë’.

    KALLXO.com mëson se të akuzuar për këtë rast janë: Avni Lajçi e Brahim Berisha dhe bëhet fjalë për një rast të hakmarrjes.

    Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë vepruar në bashkëkryerje.

    “Sipas Aktakuzës, për të pandehurit A. L. dhe B. B. ekziston dyshimi i bazuar mirë, se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale: “përgatitje e veprës penale ‘vrasje e rëndë”, sipas Nenit 173, Par, 1, Nënpar. 1.6 – lidhur me Nënpar. 1.13. – lidhur me Nenin 27, Par. 2 – lidhur me 1, në formë të bashkëpunimit Marrëveshja për të kryer vepër penale nga Neni 35, Par. 1 – lidhur me Nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

    Të njëjtit, akuzohen edhe për veprën penale: “armëmbajtje pa leje”.

    “Po ashtu – sipas Aktakuzës – për dy të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë, se kanë kryer edhe veprën penale: “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga Neni 366, Par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë.