Etiketë: Protesta

  • Protesta e punëtorëve të terminalit doganor në Han të Elezit, kërkojnë të mbesin në punë edhe pas marrjes së terminalit nën menaxhim nga Qeveria

    Punëtorët e terminalit doganor në Han të Elezit kanë protestuar të martën, më 21.01.2025, me kërkesa që të mbesin në punë në terminal edhe pas marrjes së tij nën menaxhim nga Qeveria e Kosovës.

    Qeveria ka shpronësuar terminalin, i cili nga data 20.01.2025 konsiderohet pronë e Qeverisë.

    Por, ka lënë të pazgjidhur fatin e 28 punëtorëve të këtij terminali, i cili deri në shpronësim ishte në pronësi dhe menaxhohej nga kompania “Terminali” Sh.P.K.

    Punëtorët protestues thanë për KALLXO.com se po kërkojnë që të mos mbesim pa punë pas marrjes së terminalit në menaxhim nga Qeveria.

    Ahmet Tafili, punëtor i terminalit, tha për KALLXO.com se 28 punëtorë të terminalit rrezikojnë të mbesin pa punë.

    “Ne jemi me këmbëngulje që të gjithë të mbesim në punë, jo parcialisht, tre andej, dy andej, katër andej. Po, edhe tash në demokraci, në liri me na lënë pa punë gjithë këta kolegë është mjerim”- ka thënë Ahmet Tafili.

    Kurse, Mevlud Curri, punëtor në terminal, tha se arsye e protestës është edhe mospërmbushja e disa kërkesave nga një kompani që, sipas tij, po angazhohet për sigurimin e terminalit. “Ne kërkojmë që të jemi në punë, të gjithë ose asnjë”- tha Curri.

    Ndërsa, Xhevdet Ramuka, përfaqësues i agjencive doganore që funksionojnë në terminal, tha se po mbështesin protestën e punëtorëve se pas marrjes nën menaxhim nga Qeveria nuk është studiuar mirë as për punëtorët, as për agjencitë doganore.

    “Por, ne jemi duke shkuar mirë, ka filluar me u rregullu rryma, por fatin e punëtorëve askush nuk e ka marrë parasysh, punëtorëve teknikë dhe sigurimit të terminalit. Për momentin nuk po dihet se në fatin e kujt janë” – tha Ramuka.

    Xhevdet Bajramaliu, drejtor dhe bashkëpronar i kompanisë “Terminali” ka thënë për KALLXO.com se ka kërkuar nga Dogana e Kosovës që të zgjidhë çështjen e punëtorëve të terminalit, por nuk ka marrë përgjigje.

    “Sa i përket punëtorëve unë kam kontaktuar këta shefat e degës që janë në pikë (në terminal) edhe kam kërkuar prej tyre që me iu bë një zgjidhje punëtorëve dhe me i mbajtë në punë, për arsye se aty janë 24 familje dhe nuk ka kuptim tash me shpronësu një pronë të terminalit edhe me i nxjerrë punëtorë në rrugë. Këtë e kam kërkuar prej Doganës dhe nuk kam marrë përgjigje ende”- tha ai për KALLXO.com.

    Dogana e Kosovës nuk është deklaruar për kërkesat e punëtorëve, pasi sipas tyre, ata nuk kanë qenë pjesë e Doganës.

    “Dogana ka informuar me kohë agjentët doganorë, të cilët kanë përkrahur procesin dhe kanë shfaqur mirëkuptimin e tyre deri në rifillimin e plotë të zhdoganimeve në terminalin e ri. Kjo zgjidhje është në interesin e tyre sikur që është në interesin e bizneseve dhe ekonomisë sonë, pasi që ofron shërbime falas për zhdoganimin dhe kushte më të favorshme për hisedarët në proces. Sa i përket çështjes së punëtorëve që ju referoheni, ju njoftojmë se ata asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e Doganës së Kosovës”- thuhet në përgjigjen e Doganës së Kosovës për KALLXO.com.

    Kallxo.com ka pyetur edhe Ministrinë e Financave për çështjen dhe kërkesat punëtorëve të terminalit doganor në Han të Elezit, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e artikullit.

  • Në Shkup vazhdojnë protestat e punonjësve të Administratës publike për rritje pagash

    Për të katërtën ditë radhazi, Sindikata e Punëtorëve të Administratës, Organeve të Drejtësisë dhe Shoqatave të Qytetarëve (AOGJSH), në Maqedoninë e Veriut vijon me protesta duke kërkuar nënshkrimin e Marrëveshjeve kolektive dhe rritjen e pagave me 30%, për nëpunësit e disa Ministrive dhe institucioneve shtetërore.

    Kryetari i Sindikatës, Trpe Deanoski, në protestën e së premtes përpara Ministrisë së Financave njoftoi se kanë dorëzuar një Kërkesë zyrtare për takim me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

    Ai theksoi se nëse nuk arrihet një Marrëveshje përfundimtare me Qeverinë do të fillojnë me protesta “më radikale, greva” dhe se do të shfrytëzojnë “çdo mundësi ligjore” deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

    “Nëpunësit presin që Qeveria të tregojë mirëkuptim dhe ta pranojë këtë dorë ndihme nga Sindikata për të gjetur zgjidhje për kërkesat tona.” – tha Deanoski.

    Por, Qeveria shpreh dyshime se protestat janë të motivuara politikisht. Ajo e pranon se pagat nuk janë të larta, por arsyetohet se buxheti është i kufizuar.

    Aktualisht, paga mesatare e punonjësve në Ministrinë e Kulturës, Drejtësisë, Mjedisit, Ekonomisë dhe Punës, Transportit dhe Transformimit Digjital, si dhe Entin Shtetëror të Statistikave, është rreth 471 euro.

    Paga mesatare në nivel shtetëror në Maqedoninë e Veriut është 684 euro. Protestuesit kërkojnë një rritje prej 100 eurosh.

    “Nëse Sindikata (AOGJSH) vërtet kujdeset për pagat e punonjësve, i ftojmë për bisedime me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve reale. Përndryshe, mbetet dyshimi se AOGJSH punon për interesa të partive të caktuara, që synojnë të fitojnë pikë politike në kurriz të qytetarëve.” – tha Qeveria në një reagim, më 15 janar.

    Por, Deanoski tha se “formalisht nuk kemi marrë ftesë për vazhdimin e dialogut” – duke nënvizuar se takimet nuk mund të zhvillohen përmes njoftimeve për media, por përmes kërkesave zyrtare për takim.

    Ai i ka bërë gjithashtu thirrje opozitës që të mos përfshihet në këto protesta – duke theksuar se këto parti kishin shtatë vjet në pushtet për ta zgjidhur problemin e pagave.

    Protestuesit akuzuan Ministrinë e Financave për Mosndërmarrjen e masave të nevojshme dhe për mosmiratimin e propozimeve të tyre.

    “Ne nuk e pranojmë diskriminimin dhe do të vazhdojmë të luftojmë për një rritje të drejtë pagash për të gjithë. Ne kërkojmë një shpërndarje të vërtetë dhe të drejtë të burimeve, që do t’u mundësojë të gjithë punëtorëve të jetojnë në mënyrë sa më dinjitoze.” – tha Zoran Gjorgjievski, anëtari i Sindikatës nga Ministria e Drejtësisë.

    Kjo është dita e katërt kur mbi 2.400 administratorë nga institucione të ndryshme publike të vendit kërkojnë rritjen e pagave.

    Ditë më parë, Sindikata raportoi se në disa Ministri kanë nisur edhe kërcënime ndaj punonjësve që të mos marrin pjesë në protestë./REL

  • Shkup: Punonjësit e Administratës Publike protestojnë për rritje pagash

    Nëpunësit e disa Ministrive dhe institucioneve shtetërore në Maqedoninë e Veriut, përfshirë ato të Kulturës, Drejtësisë, Mjedisit, Ekonomisë dhe Punës, Transportit dhe Transformimit Digjital, si dhe Entit Shtetëror të Statistikave, protestuan më 14.01.2025 për shkak të mosmiratimit të rritjes së shtesave në paga – një kërkesë kjo e përsëritur ndër vite.

    Ata kërkuan nënshkrimin e Kontratave kolektive dhe miratimin e Shtesave për pagat në masën 30%.

    Protestuesit akuzuan Ministrinë e Financave për mosmarrje të masave të nevojshme dhe theksuan se, që nga formimi i Qeverisë së re, kanë zhvilluar takime me shumicën e Ministrave përkatës dhe kanë paraqitur propozimet e nevojshme për arritjen e Marrëveshjes kolektive.

    “Më pas, me mbështetjen e Ministrave, janë dorëzuar në Ministrinë e Financave. Edhe pse këto propozime për Marrëveshje kolektive janë dorëzuar në Ministrinë e Financave, para miratimit të buxhetit shtetëror për vitin 2025, por për arsye të pakuptueshme për ne Ministria e Financave nuk i ka miratuar mjete për nënshkrimin e tyre.” – deklaroi Trpe Deanoski, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Administratës.

    Aktualisht, paga mesatare në këto institucione ku po protestojnë nëpunësit, siç theksoi Deanoski, është rreth 29,000 denarë (471 euro), ndërsa paga mesatare në nivel shtetëror në Maqedoninë e Veriut është 42,124 denarë (684 euro).

    “Shtesa prej 30% që po kërkojmë do të thotë se punëtorët do të kenë rritje të pagave prej 6.000 denarëve [100 euro], por përkundër kësaj, të gjithë të punësuarit sërish do të jenë nën pagën mesatare të shtetit. Kjo kërkesë e jona është më shumë se katër vjet e vjetër.” – shtoi ai.

    Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, në një dalje televizive më 13.01.2025 deklaroi se problemi me rritjen e pagave qëndron në Marrëveshjet kolektive individuale të disa institucioneve, që kanë rritur pagat për disa punëtorë, ndërsa pjesa tjetër e Administratës ka mbetur me paga të pandryshuara. Ai theksoi se zgjidhja ideale do të ishte një sistem i unifikuar pagash që garanton barazi për punonjësit me kompetenca të njëjta.

    Në anën tjetër, opozita maqedonase dha mbështetje për protestuesit. Ata nënvizuan se Qeveria e ka për detyrë të sigurojë kushte për nënshkrimin e Marrëveshjeve kolektive dhe rritjen e pagave.

    “Ne e kuptojmë zemërimin e nëpunësve në sektorin publik dhe mbështesim kërkesat e tyre për rritje të pagave, të cilat janë plotësisht të justifikuara.” – deklaruan nga Lidhja Socialdemokrate (LSDM).

    Protestat, siç potencuan nëpunësit e Ministrive, do të vazhdojnë edhe gjatë kësaj jave, çdo ditë, nga ora 11:00 deri 11:30. Ndërsa, të premten, më 17.01.2025, do të zhvendosen përballë Ministrisë së Financave, ku do të shprehin pakënaqësitë për mosnënshkrimin e Kontratave kolektive.

    Sindikata e Punëtorëve të Administratës, Organeve të Drejtësisë dhe Shoqatave të Qytetarëve (AOGJSH) i ka bërë thirrje Qeverisë së kryeministrit Hristijan Mickoski që të ulet dhe të dakordësojë një Marrëveshje, me qëllim që të mos ketë largim shtesë të punëtorëve nga sektori publik.

    Ndërkohë, nga Qeveria ditë më parë bën të ditur se nuk kanë pranuar një kërkesë të tillë nga Sindikatat, por edhe shtuan se një rritje prej 30% në këtë moment “është përtej mundësive të buxhetit shtetëror”.

    Në buxhetin e shtetit për vitin 2025 janë planifikuar të hyra totale në nivelin prej 358.8 miliardë denarë (5.83 miliardë euro), një rritje prej 13% krahasuar me vitin 2024, ndërsa shpenzimet e përgjithshme janë projektuar në nivel të 400 miliardë denarëve (6.50 miliardë euro) – duke shënuar një rritje prej 10%, krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar./REL