Etiketë: Fushata

  • Bedri Hamza në Skenderaj: Pensionet për familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së do të rriten 50%

    Partia Demokratike e Kosovës më 16.01.2025 ka mbajtur tubim elektoral në Skenderaj.

    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka shpalosur programin e tij me zotimet për kategoritë që, sipas tij, i kanë dhënë më së shumti Kosovës.

    Ai u zotua se pensionet për këto kategori do të rriten për 50 për qind.

    “E para, për të gjitha këto kategori, duke përfshirë familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, pensionet do të rriten për 50 % në fillim të mandatit. E dyta, ju prindër të dëshmorëve që sot jeni këtu, ma nuk do të detyroheni të zgjidhni mes pensionit të moshës dhe pensionit të familjes së dëshmorit, sepse do t’i merrni të dyja pensionet. Ndërsa, ju veteranë, nëse dëshironi të punoni, ne do t’ua mundësojmë të jeni aktivë në tregun e punës, pa ua ndalur përfitimet nga shteti si veteranë të UÇK-së”- ka thënë ai.

    Hamza ka thënë se 50 për qind rritje do të ketë edhe për ushtarët e FSK-së, policët e Kosovës, për mësuesit, arsimtarët dhe profesorët, mjekët dhe infermierët, për zjarrfikësit, për shërbyesit civilë.

    Tutje ai ka thënë se në qeverinë e tij do të rriten pensionet e moshës 70 për qind, ndërsa pensionet kontributdhënëse do të rriten dhe do të përshkallëzohen duke u bazuar në përvojën e punës.

    Hamza ka premtuar po ashtu se do ta krijojë Fondin e Bursave me 25 milionë euro në vit për bursa studentore.

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se është i bindur se Kosova do ta zgjedhë një qeveri të re me Bedri Hamzën.

    “Kosovës i duhen aftësitë, nevoja dhe personaliteti i Bedriut për të materializuar planin tonë përformues”- ka thënë ai.

    I pranishëm ka qenë edhe nënkryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili fjalimin e tij në tubimin qendror në këtë qytet e nisi me brohorima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa tha se Drenica i ka qëndruar besnike PDK-së.

    Lushtaku u bëri thirrje qytetarëve që ta votojnë PDK-në për të rrëzuar një qeveri që, sipas tij, vetëm gënjen e mashtron.

    “Prandaj na duhet ndihma juaj, përkrahja juaj, që ta rrëzojmë një qeveri e cila përpos mashtrimeve dhe rrenave, deri më tani nuk ka realizuar bash kurrgjë. Me një kryeministër që veç përralla kallxon në fushata. Ai deri më tani në vend që të mburret me punën që e ka bërë gjatë qeverisjes, s’ka çka thotë se s’ka kryer asnjë projekt, s’e ka bërë asnjë punë, përveç rrenave dhe mashtrimeve, që çdo qytetar i Kosovës ka nisë me i pa” – ka thënë ai.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • AAK gjobitet më 12 mijë euro për deklaratat e Ramush Haradinajt kundër Albin Kurtit

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar me 12 mijë euro Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, pas Ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje me pretendimin se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka drejtuar akuza të pabaza dhe të pavërteta.

    Ankesa e LVV-së ishte se Haradinaj ishte drejtuar me fjalët “Duhet me hek mashtruesin” dhe “Dojmë me e rrit mbrojtjen, nuk dojmë me bo lojna me sigurinë nacionale, pas shpinës së aleatëve tanë, e në interes të Rusisë dhe Serbisë nga argati i tyre”.

    Sipas Ankesës së LVV-së, më tej, shkelja e Kryetarit të këtij subjekti vazhdon “Shko Albin te Prokurori, se nuk po dojmë me u vjedhë rezervat shtetërore, buka e ushtarit, as energjia. Shko te Prokurori, bashkë me hajnat se je Shef i hajnave.”, e duke vazhduar me shprehjet “A jeni për me e çu mashtruesin në shpi?”, “UÇK nuk ka mercenarë, ti dhe soji yt jeni mercenarë”.

    Tutje, në Ankesë parashtruesi thekson se në tubimin e njëjtë kandidati tjetër për Deputet nga radhët e AAK-së, Ardian Gini thotë “është Byro e Korrupsionit”.

    Për këtë rast, PZAP ka pranuar Ankesën e LVV-së dhe ka gjobitur AAK-në me 12 mijë euro.

    Sipas Vendimit, AAK-ja ka afat prej 15 ditësh që ta paguajë gjobën.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e gjobitur në këtë rast, ka kundërshtuar Ankesën – duke thënë se Ankesa është parashtruar mbi bazën e një lajmi të publikuar në Gazetën Nacionale.

    “Tutje, në përgjigje të Ankesës theksohet se Gazeta Nacionale në artikull përkatësisht ka parafrazuar. Pra, kryetari i subjektit politik AAK, Ramush Haradinaj, në asnjë pjesë të fjalimit të tij politik të datës 12.01.2025 nuk ka përdorur shprehjet e specifikuara në Ankesë. AAK thekson se nuk kemi të bëjmë me shkeljet e pretenduara nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.” – thuhet në Vendim.

    Vendimin e plotë të PZAP-së, mund ta gjeni në këtë LINK.

  • Hamza në Viti: Me mua në krye të Qeverisë gjithçka do të vihet në shërbim të suksesit të prodhuesve vendorë

    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, po vazhdon takimet me qytetarë gjatë ditëve të fushatës për zgjedhjet e 09.02.2025.

    Në një tubim elektoral ai ka thënë se ardhmja e Kosovës varet nga këto zgjedhje nacionale.

    Ai ka shprehur bindjen që qytetarët do të vendosin për drejtimin e duhur të Kosovës. Ndërsa, ka thënë se është i gatshëm për të udhëhequr.

    “E ardhmja e Kosovës varet nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Jam i bindur që qytetarët do të vendosin për drejtimin e duhur që do ta marrë shteti jonë. Unë qëndroj para jush i gatshëm për t’ju udhëhequr. A besoni se Kosova mundet ma mirë? Po, Kosova mundet ma mirë, dhe me mbështetjen tuaj do të bëhet ma mirë”- ka thënë Hamza.

    Hamza, gjatë një vizite në Viti më 15.01.2025, ka thënë se me të në krye të Qeverisë, gjithçka do të vihet në shërbim të suksesit të prodhuesve vendorë.

    Ai ka thënë se për ta rritur konkurrueshmërinë e produkteve dhe kompanive, do ta mbështesin modernizimin e teknologjisë së prodhimit.

    “Qëllimi jonë është që bizneset të krijojnë vende të punës, sepse ju punësoni njerëz, punësohet rinia, rrinë në Kosovë, shohin perspektivën në Kosovë dhe kur ju fitoni më shumë, ju i rritni pagat edhe në sektorin privat. Për shkak se e kemi qëllim edhe sektorin privat, po përmes sektorit privat me i përkrah edhe me i ndihmu, edhe punëtorët në sektorin privat, sepse jeni kontribuesi më i madh në rritjen ekonomike, po jeni edhe punëdhënësi më i madh në Kosovë”- tha Hamza.

    Më tej, Hamza premtoi se do të jetë përkrahës dhe mbështetës i prodhuesve vendorë, duke theksuar se shteti do ta kryejë punën e vet edhe përmes subvencioneve dhe granteve.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.