Etiketë: ShBA

  • Shkon në 16 numri i të vdekurve nga zjarret në Los Anxhelos

    Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga zjarret që e kanë shkatërruar zonën e Los Anxhelosit, është rritur në 16, ndërkohë që ekipet e zjarrfikësve po luftojnë për ta parandaluar përhapjen e zjarreve para se erërat e fuqishme të rikthehen.

    Druhet se rikthimi i mundshëm i erërave të fuqishme mund t’i devijojë flakët drejt disa prej vendeve më të famshme të qytetit.

    Pesë njerëz vdiqën nga zjarri “Palisades” dhe 11 të tjerë nga zjarri “Eaton”, thanë zyrtarët në Los Anxhelos të shtunën mbrëma.

    Para të shtunës natën, numri i konfirmuar i të vdekurve ishte 11, por zyrtarët thanë se prisnin që ky numër të rritej derisa ekipet po i vazhdonin kërkimet nëpër lagjet e bëra rrafsh me tokën.

    Autoritetet e kanë hapur një qendër ku njerëzit mund t’i raportojnë të zhdukurit.

    Druhet se erërat mund t’i lëviznin zjarret drejt Muzeut “J. Paul Getty” dhe Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos.

    Të shtunën në mbrëmje, Cal Fire raportoi se zjarret “Palisades”, “Eaton”, “Kenneth” dhe “Hurst” i kanë djegur rreth 160 kilometra katrorë tokë në Los Anxhelos.

    Në një përmbledhje të postuar online të shtunën në mbrëmje, Michael Traum nga Zyra e Shërbimeve të Emergjencave të Kalifornisë tha se 150.000 njerëz në qarkun e Los Anxhelosit janë nën urdhra evakuimi, dhe se më shumë se 700 njerëz janë strehuar në nëntë qendra strehimi.

    Cal Fire tha se zjarri “Palisades” është lokalizuar vetëm 11 për qind dhe ai “Eaton” 15 për qind, që nënkupton se lufta për shuarjen e këtyre zjarreve vazhdon.

    “Kushtet e motit janë ende kritike dhe një raund tjetër i erërave të forta pritet të fillojë të hënën,” tha Traum.

    Kostoja historike

    Zjarret që filluan të martën në veri të qendrës së Los Anxhelosit, kanë djegur më shumë se 12.000 struktura.

    Zjarrfikësit për herë të parë shënuan përparim të premten pasdite në zjarrin “Eaton” në veri të Pasadenës, i cili ka djegur më shumë se 7.000 struktura, një term që përfshin shtëpi, ndërtesa banimi, biznese, ndërtesa ndihmëse dhe automjete.

    Shumica e urdhrave të evakuimit për zonën u hoqën, thanë zyrtarët.

    Ende nuk dihet shkaktari i këtyre zjarreve, të cilat cilësohen si më të mëdhatë në Los Anxhelos, dhe vlerësimet fillestare tregojnë se këto zjarret me gjasë kanë shkaktuar dëmet më të mëdha si kurrë më parë.

    Sipas një vlerësimi fillestar nga AccuWeather dëmet dhe humbjet ekonomike deri më tani janë mes 135 dhe 150 miliardë dollarë./REL

  • Verma: Sanksionet ndaj NIS-it nuk janë të drejtuara kundër Serbisë, por Rusisë

    Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma tha të shtunën se sanksionet ndaj industrisë së naftës nuk janë drejtuar ndaj Serbisë por kundër Rusisë.

    Verma: Sanksionet ndaj NIS-it nuk janë të drejtuara kundër Serbisë, por Rusisë

    Ai i bëri këto komente gjatë vizitës në Beograd një ditë pasi Shtetet e Bashkuara përfshinë Industrinë Naftës së Serbisë në paketën e sanksioneve ndaj prodhuesve kryesorë rusë të naftës, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas.

    “Ato janë të drejtuar kundër Rusisë, jo Serbisë. NIS (Industria e Naftës e Serbisë) është një nga dy mijë kompanitë e mbuluara nga sanksionet që synojnë heqjen e pronësisë ruse”, tha ai duke nënvizuar se nuk do të ketë pasoja për Serbinë nëse hiqet pronësia ruse.

    “Është e qartë se Rusia nuk po investon në të ardhmen e Serbisë, sepse fitimet që ajo realizon nga Industria e Naftës e Serbisë nuk investohen në Serbi. Largimi i kapitalit rus, do të kontribuojë për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon”, tha zoti Verma, sipas një përkthimi të zyrës së Presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

    Industria e Naftës e Serbisë (NIS), mbi 56 për qind të aksioneve të së cilës u takojnë kompanive ruse Gazprom Neft dhe Gazprom, është furnizuesja e vetme e Serbisë me gaz dhe pronarja e të dy tubacioneve që transportojnë gaz nga Rusia për në Serbi.

    Lexoni edhe këtë

    SHBA sanksionon industrinë serbe të naftës për shkak të pronësisë ruse

    Sanksioneve, të cilat Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i kishte paralajmëruar që më 13 dhjetor të vitit që lamë pas u është bashkuara edhe Britania e Madhe.

    Presidenti serb tha se deklarimet që Serbia nuk ishte objektivi i sanksioneve, nuk është farë ngushëllimi.

    “Rreth 30 vende, sipas llogaritjeve fillestare, janë prekur në mënyra të ndryshme nga këto sanksione ose subjekte nga ato vende. Por, kudo ka të bëjë me pasuritë, kapitalin dhe interesat ruse”, tha ai.

    Presidenti serb tha se ka shumë paqartësi lidhur me sanksionet.

    “Së pari duhet të kalojmë të paktën shtatë deri në 10 ditë të tjera duke biseduar me amerikanët, për të parë saktësisht se çfarë përmban e gjithë paketa e sanksioneve, në mënyrë që të mund t’u drejtohemi rusëve dhe më pas të flasim me ta për atë që duhet të bëjmë”, tha zoti Vuçiç.

    Presidenti serb tha të premten se Shtetet e Bashkuara kërkojnë “tërheqjen e plotë të kapitalit dhe interesave ruse” nga Industria serbe e Naftës, transformimi i pronësisë duhet të përfundojë brenda 45 ditësh dhe duhet të miratohet nga Shtetet e Bashkuara.

    Vuciç: Azerbajxhani e ka pezulluar furnizimin e Serbisë me gaz

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha të shtunën se furnizimi i Serbisë me Gaz nga Azerbajxhani është pezulluar dhe është e paqartë se kur do të rifillojë.

    “Kam marrë informacion nga vëllezërit dhe miqtë tanë nga Azerbajxhani se për shkak të problemeve që ata kanë, nga sot nuk mund të llogarisim në 1.7 milionë metra kub gaz që vinte çdo ditë”, tha Presidenti Vuçiç, duke theksuar se “kjo do të thotë se që nga sot do të fillojmë të shpenzojmë rezervat e gazit”.

    Ai shfaqi shpresën se për një ose dy muaj të rifillojë furnizimi me gaz nga Azerbajxhani.

    Në vitin 2023, Serbia, e cila shpenzon më shumë se 3 miliardë metra kub gaz në vit, nënshkroi një marrëveshje me Azerbajxhanin për të blerë 400 milionë metra kub gaz natyror, nga viti 2024.

    Pjesën tjetër të gazit Serbia e siguron nga Rusia.

    Autoritetet në Azerbajxhan nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese të agjencisë së lajmeve Reuters për të komentuar në lidhje me eksportet e gazit në Serbi.

    Serbia e cila zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ruan marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se me zëvendës Sekretarin Verma biseduan edhe për vendosjen e një dialogu strategjik që sipas tij do t’i çojë marrëdhëniet në mes dy vendeve në një nivel më të lartë.

    “Dialogu strategjik nuk është diçka që do të zgjidhë problemet, veçanërisht rreth Kosovës, por hap mundësi dhe sfida të rëndësishme, të mëdha për qeveritë e ardhshme në Serbi dhe administratat në Shtetet e Bashkuara. Ne jemi një vend i vogël për ta, por besoj se fakti që ata kanë treguar interes për një dialog strategjik me Serbinë për herë të parë, tregon se marrëdhëniet tona kanë ndryshuar për mirë”, tha presidenti serb.

    “Dialogu strategjik na siguron një format të strukturuar në mënyrë që qeveritë tona të mund të përqendrohen në tema thelbësore të bashkëpunimit si në fushat e mbrojtjes, energjisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Ky dialog dëshmon për rëndësinë që ne i kushtojmë marrëdhënieve me Serbinë, të cilat bazohen në respektin e ndërsjellë dhe përkushtimin për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë”, tha zëvendës sekretari Verma.

    Lexoni edhe këtë

    Osmani: Kosova dhe Shtetet e Bashkuara do të përmbyllin së shpejti dialogun strategjik

    Zyrtari amerikan shkoi në Serbi pas vizitës që zhvilloi në Kosovë, pas së cilës autoritetet në Prishtinë thanë se pritet që së shpejti të përmbyllet dialogu strategjik mes dy vendeve që sipas tyre do të përfshijë fusha të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës./VOA

  • Stuhi e fuqishme dimërore në jug e lindje të SHBA

    Mes një numri të madh fluturimesh të anuluara, zyrtarët në disa shtete jugore paralajmëruan të shtunën qytetarët të mos udhëtojnë për shkak të rrezikshmërisë që paraqesin rrugët, kryesisht ato të brendshme.

    Stuhia dimërore shoqëruar me rreshje bore e temperatura të ulta po lëviz në shtetet që shtrihen në brigjet lindore të vendit. Në përfundim të ditës pritet që temperaturat të bien edhe më shumë, duke rritur rrezikun për shdërrimin e korridoreve rrugore, në korridore të rrezikshme me akull.

    Sipas Scott Carroll, meteorolog i Shërbimit Kombëtar të Motit në Atlanta rreziqet do të jenë më të mëdha në rrugët dytësore, pasi rrugët kryesore janë kryesisht të pastra.

    Disa aeroporte përfshirë ai në Atlanta të Xhorxhias dhe Charlotte në Karolinën e Veriut, njoftuan sot për ndërprerje të udhëtimeve.

    Disa linja ajrore njoftuan për vonesa disa orëshe.

    Deri në mesditën e së shtunës, më shumë se 300 fluturime brenda dhe jashtë aeroportit ndërkombëtar Hartsfield-Jackson të Atlantës u anuluan, ndërsa gati 500 të tjera u shtynë, sipas programit të gjurmimit të fluturimeve ‘FlightAware’.

    Më shumë se 200 fluturime si brenda dhe jashtë qytetit Charlotte u anuluan, dhe pothuajse 200 të tjera, u shtynë./ VOA