Etiketë: zgjedhjet 2025

  • Kurti në Klinë, premton investime në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut

    Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me disa prej anëtarëve të listës me të cilën garon në zgjedhjet parlamentare, më 25.01.2025 ka mbajtur tubim elektoral në Klinë.

    Kurti ka thënë se Qeveria e tij i ka shpronësuar parcelat në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut, duke e berë atë pasuri publike shtetërore.

    “Parku arkeologjik do të ketë hapësirën muzeale, qendrën e trajnimit dhe qendrën për vizitorë, sepse do të shndërrohet në një pikë shumë të rëndësishme të turizmit kulturor e historik për Republikën tonë e për kombin shqiptar”- ka thënë ai.

    Kurti, në fjalën e tij, ka përmendur një bashkëpunim të qeverisë me qytetarët e Klinës, që sipas tij, ndali një projekt të dëmshëm të Korporatës Devolli.

    “Këtu në Klinë ne kemi bashkëpunuar për të parandaluar një krim të madh mjedisor – ndërtimin e fabrikës së çimentos. Katër mijë banorë, me plot të drejtë, e kanë kundërshtuar një projekt të tillë, sepse ndotja nga kjo fabrikë do të ishte e dëmshme për Klinën dhe për mbarë Dukagjinin. Fabrikën kishte ndërmend ta ndërtonte Korporata Devolli. Fabrika u parandalua falë banorëve që u ankuan te qeveria dhe falë qeverisë që u doli në ndihmë”- është shprehur ai.

    Kandidatja për deputete, Arbërie Nagavci, kujtoi se qeveria Kurti e ka treguar dhe dëshmuar se është e mundur të krijohen politika që janë në interes të qytetarëve e jo të grupeve të caktuara.

    “Sa herë që jemi bashkë dhe të vendosur, kemi arritur shumëçka. Andaj, edhe këtë 9 shkurt do të jemi bashkë për fitoren tonë të madhe. Për një qeveri të ndershme, të përgjegjshme dhe të gatshme të luftojë për interesat e qytetarëve të saj”- ka thënë ajo.

    Kandidatja për deputete, Teuta Mulaj, në fjalën e saj kujtoi disa prej të arriturave të qeverisë Kurti 2, të cilat, siç tha ajo, tregojnë qeverisjen me vizion të drejtë dhe gjithëpërfshirës.

    Lëvizja Vetëvendosje më 25.01.2025 ka qëndruar edhe në Malishevë.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

  • Adonjeta Zymberi (PDK): Digjitalizim të shkollave dhe 25 milionë euro bursa për studentët

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në programin e saj zgjedhor ka paraparë disa projekte edhe për fushën e arsimit.

    Kandidatja për deputete nga kjo parti, Adonjeta Zymberi, deri sa tha se “në programin e tyre e gjejnë vetën të gjithë qytetarët e Kosovës”, përmendi edhe planin për subvencionimin e familjeve që i kanë fëmijët të regjistruar në çerdhet private.

    “Pagesa 100 euro në muaj për secilën familje që do t’i regjistroj fëmijët në çerdhet privat, për shkak së çerdhet publike nuk janë të mjaftueshme dhe shpesh nuk kemi hapësirë që t’i regjistrojmë fëmijët në këto çerdhe”- tha Zymberi në “Debat Përnime”, më 25.01.2025.

    Një politikë e tillë, sipas saj, do të ndihmojë edhe angazhimin e grave në tregun e punës.

    Reformë tjetër që pritet të bëhet në arsim me “ardhjen e PDK-së në pushtet” është edhe digjitalizimi i teksteve shkollore si dhe pajisja e mësimdhënësve dhe nxënësve me llaptopë.

    “Digjitalizim i arsimit fillor dhe të mesëm- këtu hynë tekstet digjitale që janë shumë më interaktive. Do të ketë llaptopë për nxënës dhe mësimdhënës”- tha ajo.

    Në programin e PDK-së, është menduar edhe për studentët.

    Kjo parti ka paraparë 25 milionë euro bursa me qëllim të mbështetjes së tyre.

    Ndër të tjera, kandidatja për deputete, Zymberi, përmendi edhe investimet tjera që kanë planifikuar në fushën e kulturës në gjithë Kosovën.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

    RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Jeta Xharra, drejtuese e “DebatPërnime” tha në nisje të debatit se Kosova vazhdon të jetë mes vendeve më të varfëra në rajon, derisa ekonomia vazhdon të jetë e bazuar në tregti dhe në kokurrencë jolojale.

    “Midis qendrës të Prishtinës, makiatoja pihet pa fatura fiskale. Kontabanda dhe taksa doganore vazhdojnë të shmangen në kufi. Trepça nuk arrin as të paguaj rrymën që e harxhon e leje me gjeneru. Ferronikeli nuk është duke prodhu. Baza e ekonomisë vazhdon me qenë tregtia ‘blej ma lirë, shitë ma shtrenjtë’”- tha Xharra.

    Për më shumë lexoni në tekstin në vijim:

    https://kallxo.com/gjate/investime-kapitale-miliardeshe-dhe-lehtesira-tatimore-per-bizneset-plani-i-pdk-se-per-zhvillimin-ekonomik/

  • Hamza premton përfundimin e autostradës Prishtinë-Pejë dhe të projektit Borea në Rugovë

    Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, më 25.01.2025 ka mbajtur tubim me qytetarët e Pejës.

    Hamza ka thënë se Peja është qytet i intelektualëve, dëshmorëve dhe kampioneve e kampionëve.
    Ai ka premtuar përfundimin e rrugës Prishtinë – Pejë, përmirësimin e rrjetit hekurudhor dhe projektin Borea.

    “Jeni prej tatimpaguesve më të mëdhenj në Kosovë, ende nuk është përfunduar rruga. Paratë kanë qenë të siguruara, rruga Pejë-Prishtinë nuk është përfunduar. Ne do ta përfundojmë këtë rrugë. Do ta modernizojmë hekurudhën Pejë – Fushë Kosovë dhe atë Prizren – Klinë – Fushë Kosovë dhe do t’i elektrifikojmë hekurudhat. Do ta përmirësojmë rrjetin hekurudhor në krejt Kosovën. Sot vizitova Rugovën, është shumë e bukur. Sigurisht që shteti duhet ta kryejë pjesën e vet të punës. Ka nevojë për investime. Këtë punë duhet ta bëjë qeveria. Të krijojë kushte që të zhvillohet Rugova, të zhvillohet turizmi agrar, malor dhe do të përfundohet projekti i Boreas. Unë do i qëndroj prapa kësaj”- ka thënë Hamza.

    Kandidati i PDK-së për Kryeministër ka thënë se Peja ka shumë çfarë të fitojë nga programi i tij për qeverisjen e ardhshme.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.