Etiketë: ShBA

  • Biden zgjeron fushën e sanksioneve për kompanitë dhe njerëzit në Ballkanin Perëndimor

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka zgjeruar të mërkurën fushën e sanksioneve për kompanitë dhe njerëzit e përfshirë në destabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Kjo vlen për ata të cilët u nënshtrohen masave ndëshkuese amerikane për sfidimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, cenimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës, si dhe pjesëmarrjen në korrupsion të konsiderueshëm që cenon sundimin e ligjin dhe besimin në qeverisjen demokratike dhe shmangien e sanksioneve të qeverisë amerikane.

    Me këtë urdhër ekzekutiv, Biden ka ndërmarrë hapa shtesë, duke ndryshuar dhe plotësuar tre urdhrat në lidhje me Ballkanin Perëndimor nga viti 2021, të cilat kanë të bëjnë me bllokimin e aseteve dhe ndalimin e hyrjes në SHBA për njerëzit që kontribuojnë në destabilizimin e rajonit, tha Shtëpia e Bardhë në një njoftim.

    Rregullorja e vitit 2021 parashikon që sanksionet – bllokimi i aseteve dhe ndalimi i hyrjes në SHBA – të zbatohen për personat që janë direkt ose indirekt përgjegjës për veprimet dhe politikat që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të një zone ose një shteti në Ballkanin Perëndimor, minojnë proceset apo institucionet demokratike, shkelin të drejtat e njeriut apo përfshihen në korrupsion.

    Sanksionet zbatohen ndaj njerëzve që, në mënyrë direkte ose indirekte, kanë marrë pjesë ose kanë tentuar të marrin pjesë në shkeljen, pengimin ose rrezikimin e zbatimit të sigurisë rajonale, marrëveshjeve të paqes ose marrëveshjeve për njohjen reciproke në Ballkanin Perëndimor, thuhet në njoftim.

    “Këtu përfshihen Marrëveshja e Prespës e vitit 2018, Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001, Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244, Marrëveshja e Dejtonit, ose konkluzionet e Këshillit për Zbatimin e Paqes të mbajtur në Londër në dhjetor 1995, duke përfshirë vendimet ose konkluzionet e Përfaqësuesit të Lartë, Këshilli për zbatimin e paqes ose Bordi i tij Drejtues ose Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, d.m.th., Mekanizmi Ndërkombëtar i mbetur për Gjykatat Penale”, thuhet tutje në njoftim.

    Çfarë ka të re?

    Rregullorja e re thekson se sanksionet zbatohen për këdo që Departamenti amerikan i Thesarit, në konsultim me Departamentin amerikan të Shtetit, përcakton të jetë drejtues, oficer ose anëtar i një njësie, duke përfshirë një ent qeveritar, i cili ka marrë pjesë ose ka tentuar të marrë pjesë në ndonjë prej aktivitetet e përcaktuara me rregulloren e mëparshme.

    Masat do të vlejnë gjithashtu për personat që ndihmuan, sponsorizuan ose ofruan mbështetje financiare, materiale ose teknologjike, ose mallra ose shërbime mbështetëse, për çdo person, pasuritë dhe interesat e të cilit në asete janë të bllokuara në përputhje me atë rregullore.

    Ato vlejnë edhe për ata që konstatohet se zotërojnë ose kontrollojnë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, çdo person të cilit i bllokohen pasuritë dhe interesat në pasuri në përputhje me rregulloren.

    Masat tani vlejnë edhe për bashkëshortët apo fëmijët e rritur të personave të cilëve u bllokohen pasuritë dhe interesat në pasuri në përputhje me rregulloren.

    Biden theksoi në dekret se hapa shtesë po ndërmerren “në funksion të ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë përpjekjet e vazhdueshme të individëve për të sfiduar sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve të Ballkanit Perëndimor, për të minuar marrëveshjet dhe institucionet e pasluftës, për t’u angazhuar në korrupsion të konsiderueshëm që minon sundimin e ligjit dhe besimin në qeverisjen demokratike dhe shmangien e sanksioneve të qeverisë amerikane”. /REL

  • Blinken: Ideja e Trumpit që SHBA-ja ta marrë nën kontroll Grenlandën s’do të realizohet

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se bota “nuk duhet të humbë shumë kohë” me atë që është duke e thënë presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, rreth Grenlandës.

    Trumpi e bëri të qartë përsëri këtë javë se dëshiron që territori gjysmautonom i Danimarkës të vihet nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara dhe tha se nuk e hedh poshtë as mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake për ta arritur këtë.

    “Neve na nevojitet Grenlanda për qëllime të sigurisë kombëtare”, tha Trump.

    Megjithatë, sekretari në shkuarje i Shtetit tha se qëllimet e presidentit të ri amerikan me gjasë nuk janë asgjë më shumë se vetëm fjalë.

    “Ideja e shprehur për Grenlandën nuk është e mirë, natyrisht”, tha Blinken gjatë një vizite në Paris.

    “Mbase më e rëndësishme është, sigurisht, ideja se kjo nuk do të ndodhë. Prandaj, ne mbase nuk duhet të humbim shumë kohë duke folur për këtë”, tha ai.

    Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, gjithashtu hodhi poshtë mundësinë që forcat amerikane të vendosen kundër Danimarkës, e cila është aleate e SHBA-së në aleancën ushtarake të NATO-s.

    Megjithatë, Barrot paralajmëroi se Evropa duhet të përgatitet për një periudhë turbulencash në të ardhmen.

    “A mendon dikush se Shtetet e Bashkuara do ta pushtojnë Grenlandën? Përgjigja është ‘jo’”, tha ministri francez.

    “Por, a mendojmë se po hyjmë në një periudhë ku ligji i më të fortit po kthehet? Përgjigja është ‘po’”, shtoi ai.

    Barrot theksoi se Evropa duhet të bëhet më e fortë ushtarakisht dhe më konkurruese ekonomikisht e komercialist për t’iu përgjigjur kësaj situate.

    “Duhet të shkojmë shumë më larg për ta ritheksuar se kush jemi dhe çfarë duam”, tha ai.

    Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka thënë se nuk beson se Shtetet e Bashkuara do ta përdorin fuqinë ushtarake ose ekonomike për ta marrë kontrollin mbi Grenlandën dhe i ka bërë thirrje SHBA-së të ketë sjellje më “respektuese ndaj popullit të Grenlandës”.

    Në Gjermani, kancelari Olaf Scholz theksoi të mërkurën se parimi i paprekshmërisë së kufijve vlen për çdo vend, pavarësisht sa i fuqishëm është ai, duke reaguar ndaj komenteve të Donald Trumpit, pa e përmendur presidentin e zgjedhur me emër.

    “Kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë”, tha Scholz./REL

     

  • Shtëpia e Bardhë: SHBA mbështet një Kosovë sovrane që respekton komunitetet pakicë

    UASHINGTON – Në një përmbledhje të politikës së jashtme të amerikane gjatë katër viteve të fundit nën udhëheqjen e Presidentit Joe Biden, zëvendës-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jon Finer tha të mërkurën se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor mbetet “një shqetësim i madh për Shtetet e Bashkuara.”

    I ftuar për të diskutuar çështjet e ndryshme globale në institutin ndërkombëtar Chatham House, me seli në Londër, zoti Finer, i cili ka shërbyer në këtë pozitë të lartë në Shtëpinë e Bardhë, u pyet edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor, ndikimin rus dhe kinez në rajon dhe konfliktin e pazgjidhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Ai tha se “ekzistojnë dy vija kryesore ndarëse për të cila jemi më të shqetësuar se për të tjerat” në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që theksoi se Presidenti Biden mbetet i përkushtuar në çështjet e sigurisë së këtij rajoni që nga koha kur kryesonte Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

    “Njëra është situata në Kosovë, një aleat thelbësor i Shteteve të Bashkuara, që është në tehun e thikës”, deklaroi zoti Finer.

    Finer tha se sa i përket Kosovës, është qëndrim amerikan që ajo “duhet të jetë edhe sovrane edhe të respekojë komunitetet pakicë të cilat ekzistojnë përbrenda asaj që është një Kosovë sovrane”.

    Finer theksoi se këto janë çështje që administrata e Presidentit Biden është angazhuar “t’i menaxhojë, shpesh nën radar përmes diplomacisë së kujdesshme përgjatë tërë (mandatit) të kësaj administrate” dhe se ato mbesin sfida të cilat duhet vëzhguar dhe ku situata vazhdon të jetë shqetësuese.

    Ai tha se shqetësim tjetër për SHBA-të në këtë rajon “është ndarja e mundshëm,” e Bosnjës, “ku të paktën njëri nga udhëheqësit, zoti Dodik, të paktën në formë retorike po ndjekë një agjendë që bën thirrje për shpërbërjen e shtetit, të cilin ne e kundërshtojmë fuqishëm”.

    Ai tha se Shtetet e Bashkuara besojnë që “nuk ka qasje më të mirë se (Marrëveshja) e Dejtonit për të ruajtur paqen në Bosnjë”./VOA