Etiketë: armëmbajtje pa leje

  • Dorëzohen në Polici dy të dyshuarit për plagosjen në Mitrovicë të Jugut në tetor 2024

    Policia e Kosovës ka njoftuar se janë vetëdorëzuar dy të dyshuarit për rastin e ‘vrasjes së rëndë në tentativë’, që ndodhi në Mitrovicë të Jugut, më 05.10.2024.

    Në këtë rast, kishte mbetur i plagosur një 38-vjeçar. Ndërsa, të dyshuarit janë vetëdorëzuar në Polici, më 14.01.2025.

    Sipas njoftimit të Policisë, të dyshuarit kanë dorëzuar armë me të cilën dyshohet se është kryer vepra.

    “Të dyshuarit pas intervistimit në prani të avokatëve, me vendim të Prokurorit, janë dërguar në mbajtje.” – njofton Policia, më 15.01.2025.

    Policia e kishte cilësuar si ‘vrasje të rëndë në tentativë’ rastin e plagosjes së 38-vjeçarit, më 05.10.2024, në Mitrovicë të Jugut. Kurse, në Raportin e datës 15.01.2025 e ka cilësuar edhe ‘armëmbajtje pa leje’.

    Ilmi Prekazi nga Zyra për media e Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës së Jugut kishte bërë të ditur për KALLXO.com, më 05.01.2024, se “janë identifikuar të dyshuarit dhe janë në kërkim”.

    38-vjeçari i cili mori plagë në këmbë u dërgua fillimisht në Spitalin e Mitrovicës së Jugut, më pas në QKUK për trajtim të mëtejshëm.

    Ngjarja kishte ndodhur në rrugën “Shemsi Ahmeti” në Mitrovicë të Jugut, rreth orës 14:46.

     

  • E ekspozoi armën në ballkon, i dyshuari në Pejë u drejtohet policëve: “Nëse afroheni, do t’ju gjuaj…”

    Policia e Kosovës ka njoftuar se dje, më 14.01.2025, ka arrestuar një person në Pejë për “armëmbajtje pa leje” dhe “përdorim të armës”.

    Sipas Policisë, i dyshuari gjatë arrestimit ka rezistuar – duke iu thënë policëve se “nëse afroheni, do t’ju gjuaj ose do ta vrasë veten.”

    Policia kishte marrë fillimisht informatën se në rrugën “Ali Bajraktari” në Pejë ka të shtëna me armë.

    Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku fillimisht i dyshuari është vërejtur me armë – duke e ekspozuar në ballkonin e banesës.

    I njëjti më pas – sipas Policisë – ka refuzuar të dorëzohet, duke iu drejtuar zyrtarëve policorë se nëse afroheni do t’i gjuante ose do ta vriste veten.

    Pas një kohe negocimi me të dyshuarin, i njëjti është qetësuar dhe më pas edhe arrestuar.

    Nё banesën e tё dyshuarit janё gjetur dhe sekuestruar: 1 pushkё automatike dhe 1 karikator i sё njëjtёs armё; 1 armё pistoletё Zoraki; 36 fishekё kal: 7.63×39; 35 fishekё kal:32; 3 gёzhoja kal: 7.63×39; 2 gёzhoja kal: 32 auto; 1 thikё.

    Pas intervistimit nga hetuesit, me vendim tё Prokurorit tё shtetit i dyshuari ёshtё dёrguar nё mbajtje pёr 48 orё.

  • Policia në Vushtrri konfiskon dy armë, në dy raste të ndryshme – FOTO

    Policia e Kosovës ka konfiskuar dy armë në dy raste të ndryshme në Vushtrri, brenda 24 orëve.

    Sipas një komunikate për media, në rastin e parë Policia ka arrestuar një person në gjendje të dehur në rrugën “Ana Lin”, gjatë kontrollit të së cilit organet e rendit i kanë gjetur në posedim një pistoletë me katër fishekë.

    Me vendim të Prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.

    Në rastin e dytë, Policia thotë se në rrugën “Ahmet Selaci” ka arrestuar një person të dyshuar, pasi gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar një armë – pistoletë. Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Në komunikatë bëhet e ditur se, ndaj dy të dyshuarve janë iniciuar raste për veprën penale: “mbajtje në pronësi, posedim, kontroll të paautorizuar të armës”.