Etiketë: fushata zgjedhore

  • Kurti në Gjilan, zotohet për investime milionëshe në 20 stadiume në komunat e Kosovës

    Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me disa prej anëtarëve të listës me të cilën garon në zgjedhjet parlamentare ka mbajtur tubim elektoral në qytetin e Gjilanit.

    Kurti ka thënë se gjatë katër viteve të qeverisjes së tij, Kosovën e kanë bërë të pavarur nga korrupsioni qeveritar dhe pazaret me Serbinë.

    “Në fund të këtij mandati tonë s’ka dyshim që këto katër vite ishin katër vitet më të mira jo vetëm në Kosovën e pa varur por që nga çlirimi”- u shpreh ai më 18.01.2025.

    Kurti ka theksuar se gjatë këtij mandati kanë rinovuar klinika, ndërsa thënë se për Spitalin e Gjilanit janë ndarë 8 milionë euro për renovimin e disa reparteve.

    Ai u zotua për investime milionëshe në 20 stadiume moderne në komunat e Kosovës.

    “Në mandatin tonë tjetër në përgatitje të Lojërave Mesdhetare me 200 milionë investime në total do t’i kemi 20 stadiume moderne në 18 komuna të Kosovës përfshirë stadiumin e Gjilanit. Stadiumin e Gjilanit do ta përfundojmë. Me na vonu na kanë vonu, me na ndalë nuk ka mundësi. Na kanë vonu ata që kontratën e kaluar e kanë bërë me shkelje”- u shpreh ai.

    Kurti tutje ka thënë se shqiptarët e Luginës me qeverinë e tij kanë linjë të rregullt buxhetore.

    Numri dy i listës së LVV-së, Glauk Konjufca gjatë fjalimit “ja uroi” Kurtit mandatin e tretë të Qeverisë që tash pasi tha se po e sheh përkrahjen e qytetarëve nëpër tubime.

    Sipas tij, Gjilani është ndër qytetet e para që është lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër, lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • Dyshimet për fletvotime të plotësuara në rrjete sociale – Prokuroria autorizon Policinë të nis hetimet

    Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës që të hetoj rastet e dyshuara për veprën penale ‘Cenimi i fshehtësisë së votimit’.

    Prokuroria thotë se do të ndaloj çdo qytetar që tenton të ndikoj apo të keqpërdorë votën e lirë.

    Përmes këtij njoftimi ftohen qytetarët që të bashkëpunojnë me Prokurorinë dhe t’i përcjellin informatat në lidhje me keqpërdorimin e votës së lirë.

    “Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informon opinionin publik se Prokurori i Shtetit ka filluar angazhimin në mbrojtjen e votës së lirë për qytetarët e Republikës së Kosovës, për zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 9 shkurt 2025”– thuhet mes tjerash në komunikatë.

    Në rrjete sociale janë duke qarkulluar disa video dhe video në të cilat po mbushen fletvotime apo shfaqen fletvotime të plotësuara për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që mbahen më 09.02.2025.

    Videot shpërfaqin mbushjen e fletvotimeve për parti politike të ndryshme.

    Videot dhe fotografitë mund t’i qasni këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu.

    Rreth kësaj çështjeje, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve por që deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka pranuar përgjigje.

  • Shpërndarja e pakove ushqimore dhe higjienike në kohë fushate – Komuna e Gjilanit anulon Konferencën për media

    Komuna e Gjilanit ka anuluar Konferencën e thirrur për media, për të dhënë sqarime lidhur me dhënien e pakove ushqimore për familjet në nevojë në kohë të fushatës zgjedhore.

    Anulimin e kësaj Konference e ka konfirmuar Besim Toska, zyrtar për Informim në Komunën e Gjilanit, e cila udhëhiqet nga Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Një herë për një herë nuk po mbahet për sot.” – deklaroi ai, e pastaj kur u pyet se cili ka qenë arsyetimi i anulimit të Konferencës u përgjigj me “Nuk e di”.

    KALLXO.com ka raportuar të mërkurën e 15.01.2025 se kjo Komunë shpërndau pako ushqimore dhe higjienike për 500 familje.

    Këto ndihma janë ndarë në kohë të fushatës zgjedhore për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Fushata ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

    Se këto ndihma janë ndarë në kohë fushate, më 15.01.2025, e ka konfirmuar edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shëndetësisë të Komunës së Gjilanit, Hekuran Rapuca.

    Ai tha se aktiviteti ka qenë i organizuar nga vetë Komuna, për t’u dalë në ndihmë familjeve, të cilat janë përfituese të asistencës sociale.

    Sipas Rapucës, shpërndarja e ndihmave nga Komuna e Gjilanit për familjet nevojtare nuk është bërë për shkak të fushatës zgjedhore – duke mohuar se një organizim i tillë ka pasur qëllime politike.

    “Jo vetëm miell, faktikisht kanë qenë pako ushqimore dhe higjienike. Është organizim i njëjtë që mbahet për tri vjet me radhë. Unë veç pashë në disa shkrime, që ka marrë konotacion tjetër. Komuna është siguru që në secilin prej viteve prej që jemi në qeverisje, me shpërnda pako të tilla, edhe duke e ditë që janari e shkurti janë ndoshta muajt më të dobët financiarisht te secili. E kemi planifiku në këtë kohë, nuk ka të bëjë me fushatën kjo.” – ka deklaruar Rapuca.

    https://kallxo.com/lajm/ne-kohe-fushate-komuna-e-gjilanit-shperndan-ndihma-pako-ushqimore-e-higjienike/

    Në një postim në Facebook, Rapuca ka thënë se është e pavërtetë që ndihmat janë ndarë për qëllime politike.

    “Sqarojmë se as Kryetari i Komunës dhe asnjë figurë tjetër që mund të jetë pjesë e garës politike nuk ka qenë pjesë e këtij aktiviteti. Këto ndihma janë shpërndarë nga Komuna e Gjilanit dhe jo nga VETËVENDOSJE!.” – ka shkruar ai.