Etiketë: Lufta

  • Dita e dytë e armëpushimit, lirohen 90 të burgosur palestinezë

    Armëpushimi i brishtë ndërmjet Izraelit dhe “Hamasit” ka hyrë në ditën e dytë – ka konfirmuar për BBC-në të hënën, më 20.01.2025, një qytetar nga Gaza – duke thënë se për herë të parë prej nisjes së luftës ka bërë gjumë të mirë “sepse jam ndier i sigurt”.

    Ndërkohë, 90 të burgosur palestinezë janë liruar gjatë natës si pjesë e fazës së parë të armëpushimit – ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues Izraelit. Shumica prej të liruarve janë gra dhe fëmijë.

    Më herët u liruan tri gra izraelite, përfshirë njërën me shtetësi të dyfishtë britanike e izraelite, nga “Hamasi”. Ato janë trajtuar tashmë në Spitalin izraelit në Tel-Aviv dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

    Ka pasur ritakime emocionale në të dy anët: palestinezët janë pritur me përqafime dhe brohoritje prej familjeve të tyre, derisa Emily Damari, e cila ishte peng në duar të “Hamasit” ka shpërndarë një xhirim të momentit prekës të takimit me familjen e saj.

    Armëpushimi në Gazë është fuqizuar pas një vonese të minutave të fundit, por gëzimi ka mbetur në hije pasi palestinezët janë kthyer në shtëpitë e tyre të shkatërruara dhe ende nuk ka qartësi se çfarë do të sjellë e ardhmja – raportojnë korrespodentët e BBC-së.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Izraeli do ta aprovojë Marrëveshjen e armëpushimit dhe pengjeve – thotë Zyra e Netanyahut

    Kabineti izraelit do t’ia japë aprovimin përfundimtar ujdisë me grupin militant palestinez, “Hamas”, për armëpushim në Rripin e Gazës dhe për lirimin e pengjeve – ka bërë të ditur të premten, më 17.01.2025, Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu – raporton Agjencia e lajmeve Reuters.

    Në vetë Gazën, aeroplanët izraelitë kanë vazhduar sulmet e intensifikuara dhe autoritetet palestineze kanë thënë se të enjten janë vrarë 86 persona një ditë pas arritjes së Marrëveshjes.

    Me ndasitë e kahershme që janë të dukshme në mesin e Ministrave, Izraeli ka shtyrë takimet e pritura për të enjten kur Kabineti pritej të votonte paktin – duke fajësuar “Hamasin” për rigrupim.

    Por në orët e hershme të mëngjesit të së premtes, zyra e Netanyahut ka thënë se aprovimi do të jetë i menjëhershëm.

    “Kryeministri Benjamin Netanyahu është informuar prej ekipit negociues se Marrëveshjet janë arritur me pajtimin për lirimin e pengjeve.” – ka njoftuar Zyra Kryeministrore, në një deklaratë të shkruar.

    Kabineti i Sigurisë do të takohet të premten para një takimi të krejt ekipit qeveritar, për ta aprovuar Marrëveshjen e ndërmjetësuar në Katar, për të cilin rol kritik kanë pasur Administrata e presidenti amerikan, Joe Biden dhe ajo e presidentit të zgjedhur, Donald Trump.

    Marrëveshja parashihet të hyjë në fuqi më 19 janar – një ditë para inaugurimit të Trumpit president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Kryeministri britanik në Kiev, që të zotojë mbështetjen historike për Ukrainën

    Kryeministri britanik, Keir Starmer ka arritur në Kiev, për të nënshkruar atë që Downing Street po e quan “partneritet 100-vjeçar historik” me Ukrainën – bën të ditur të enjten, më 16.01.2025, televizioni britanik BBC.

    Pakti do të formalizonte mbështetjen ekonomike dhe ushtarake që tashmë e ka zotuar Mbretëria e Bashkuar ndaj Ukrainës, por do të ofrojë edhe shumë më shumë.

    Është vizita e parë e Kryeministrit britanik në këtë vend, pasi mori detyrën verës, si një dëshmi e mbështetjes për Ukrainën, pak ditë para se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump të marrë detyrën në Shtëpinë e Bardhë.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky pritet të ketë diskutime të rëndësishme për garancitë e sigurisë nga aleatët kyç, si Britania e Madhe, në kohën kur raportohet se Administrata e re amerikane mund ta shtyjë Ukrainën që të arrijë Marrëveshje paqësore me Rusinë.

    Ndryshe prej Kryeministrave të tjerë që menjëherë vizitonin Kievin, Keirit ka marrë kohën e nevojshme para vizitës, por pas gjashtë muajsh në krye të Ekzekutivit britanik, ai i ka shprehur zotimin Ukrainës për mbështetje afatgjate, kundër atij që e ka quajtur “invazion barbar dhe ilegal” të Rusisë.

    Ai është pritur në Stacionin e trenit në Kiev prej ambasadorit britanik në Kiev, Martin Harris dhe emisarit ukrainas në Londër, Valeri Zaluzhnyi.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com