Etiketë: Mitrovicë

  • Grabitje e armatosur në një pompë të derivateve në Mitrovicë, policia jep detaje

    Dy persona të maskuar nën kërcënimin e armës dyshohet se kanë grabitur një shumë të parave dhe më pas kanë ikur.

    Rasti ka ndodhur më 17.01.2025 rreth orës 04:15 në një pompë derivatesh në fshatin Shupkovc të Mitrovicës, konfirmon zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

    “Bazuar në informatat dhe hetimet  fillestare, dyshohet se dy persona të maskuar nën kërcënimin e armës kanë grabitur një shumë të parave dhe kanë ikur në drejtim të panjohur”- tha Zahiti për KALLXO.com.

    Ai potencoi se njësitet përkatëse policore janë duke ndërmarrë veprime hetimore në drejtim të identifikimit të personave të dyshuar dhe mbledhjen e provave relevante në lidhje me këtë rast.

  • Mitrovicë – Instruktori dyshohet se pranoi ryshfet për kalimin e testit me shkrim për patentë-shofer

    Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar dy persona për dhënie dhe marrje të ryshfetit, në Mitrovicë, të enjten, më 15.01.2025. 

    Sipas Policisë, dyshohet se njëri prej të arrestuarve, në cilësinë e instruktorit të vozitjes në një Autoshkollë private, ka pranuar nga i dyshuari tjetër para, me qëllim të lehtësimit të procedurës për kalimin e testit me shkrim për kategorinë B të vozitjes. 

    Ndërkaq, Policia thotë se në cilësi të provave materiale janë sekuestruar 600 euro, para të gatshme dhe dy telefona celularë. 

    “Me urdhër të Prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.” – njofton Policia, më 16.01.2025. 

  • Eman Rrahmani në Mitrovicë premton nga 500 euro në muaj për gratë lehona

    Koalicioni për Familjen më 15.01.2025 ka mbajtur tubim elektoral në qytetin e Mitrovicës duke vazhduar fushatën për zgjedhjet e 09.02.2025.

    I pari këtij Koalicioni, Eman Rrahmani, ka thënë se garantojnë që do të realizojnë projektin për mbështetjen e nënave.

    Ai ka premtuar se për secilën grua që lind fëmijë do të ketë mbështetje financiare prej 500 eurove çdo muaj për dy vite.

    “E keni pa se çka është provu të bëhet në vendin tonë. Ju në Mitrovicë keni edhe probleme për shkak të aktiviteteve të strukturave paralele në veri. E di që e keni edhe më të domosdoshme dhe më të nevojshme që të angazhohemi që kjo kauzë të shkojë përpara sepse nuk mundemi që në 2025 nataliteti të jetë më i lartë në vendet fqinje se në Mitrovicë”- ka thënë ai.

    Ai ka shtuar se ky Koalicion nuk lejon martesat mes personave të gjinisë së njëjtë.

    Ndërsa, kandidati për deputet i këtij Koalicioni, Selim Pacolli, ka thënë se këto subjekte politike janë bërë bashkë me qëllimin për të mbrojtur familjen e traditave.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.