Etiketë: QKUK

  • Anulohet konkursi për drejtor të QKUK-së

    Është anuluar konkursi për drejtor të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) i cili ishte shpallur më 04.12.2024.

    Njoftimi është publikuar në web-faqen e Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) të premten më 17.01.2025.

    Në këtë njoftim thuhet se “Divizioni i Burimeve Njerëzore të ShSKUK-së ka ardhur në përfundim se nuk plotësohen kriteret e veçanta për procesin e mëtutjeshëm dhe si rrjedhojë njofton për anulimin e konkursit publik”.

    Konkursi për drejtor të QKUK-së ishte shpallur më 04.12.2024. Në njoftimin e këtij konkursit thuhej se kandidatët kanë të drejt që deri më 02.01.2025 të dorëzojnë aplikacionin.

    Bordi i ShSKUK-së nuk kishte formuar komisionin i cili do të bënte këtë verifikimin e aplikacioneve që sipas rregullores procedurën e pranimit të nëpunësve të shërbimit publik në sektorin e shëndetësisë duhet të bëhet jo më larg se 15 ditë ga data kur është mbyllur afati për aplikim.

    KALLXO.com ka dërguar pyetje më 16.01.2025 në adresë të bordit të ShSKUK-së për emrat e kandidatëve për këtë pozitë dhe arsyen e mos formimit të komisionit, por që nuk kanë kthyer përgjigje.

     

  • Fluks i pacientëve në Klinikën e Pediatrisë

    Në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është shtuar fluksi i pacientëve.

    KALLXO.com ka vizituar këtë klinikë më 16.01.2024.

    Lidhur me numrin e pacientëve që po kërkojnë ndihmë mjekësore, drejtoresha e pediatrisë, Voleta Grajçevci Uka ka thënë se në këtë klinikë lajmërohen raste të ndryshme duke përfshirë viruset sezonale por edhe të tjera.

    “Në klinikën e pediatrisë lajmërohen rastet me probleme respiratore edhe me patologji të tjera të cilët kanë nevojë për hospitalizim. Disa prej tyre si shkaktarë të infeksionit janë viruset sezonale por ka edhe raste të tjera”- tha ajo për KALLXO.com

    Grajçevci Uka tha se momentalisht në Klinikën e Pediatrisë nuk ka raste kur në një shtrat janë të vendosur dy fëmijë.

     

  • Dosja ndaj kardiologut të akuzuar se ndihmoi një të akuzuar që të mungonte në gjykim

    Bekim Ademi, i akuzuar në cilësinë e kardiologut vaskular për “falsifikim të dokumentit” dhe Bozhidar Dejanoviq nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat që ua ngarkon Prokuroria Speciale.

    Ademi është deklaruar “i pafajshëm” për pretendimin e Prokurorisë se kishte lëshuar një vërtetim mjekësor, që i ndihmonte të akuzuarit Dejanoviq (në një çështje tjetër gjyqësore), që të mungonte në një seancë.

    I pafajshëm për këtë rast është deklaruar edhe Dejanoviq.

    Gjyqtari, Rrahman Beqiri ka njoftuar palët se kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë për hudhje të Aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

    Sipas Prokurorisë, më 30.08.2021, si mjek në QKUK ka falsifikuar dokumentet, me qëllim që t’i ndihmojë të pandehurit, Bozhidar Dejanoviq (tashmë i pandehur në këtë rast) që të shtyjë një seancë tjetër gjyqësore, e cila ishte paraparë të mbahej më 31.08.2021.

    Sipas Prokurorisë, dy të pandehurit janë dakorduar në telefon më 28.08.2021, që Ademi si mjek kujdestar ta pranojë në Spital të pandehurin tjetër Dejanoviq, kinse për kontroll mjekësore duke e vendosur në shtrat të Spitalit, ku më pas Dejanoviq pasi regjistrohet në këtë Repart largohet nga Spitali.

    Aktakuza thotë tutje se Ademi kishte përpiluar fletëlëshimin me të dhëna të pasakta, kinse Dejonaoviq kishte qëndruar në Spital nga data 28.08.2021 deri më 03.08.2021. Këtë dokument i akuzuari ia kishte dhënë – sipas Prokurorisë – mbrojtësit të tij, i cili e kishte prezantuar në Gjykatë për ta shtyrë seancën.

    Me këto veprime – sipas Prokurorisë – Bekim Ademi akuzohet se ka kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit”, kurse Dejanoviq akuzohet për veprën penale “legalizim i rremë”.