Etiketë: rrahman beqiri

  • Gjykimi ndaj Millosh Pleskoviq, i akuzuar për “krime lufte ndaj civilëve” në “Hoqa Mahallë” të Prizrenit

    Millosh Pleskoviq, i akuzuar për “krime lufte kundër popullsisë civile” gjatë luftës në Kosovë në zonën e Prizrenit është ulur sërish sot, më 14.01.2025, në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prishtinës.

    Millosh Pleskoviq po akuzohet nga Prokuroria Speciale se më 1 shtator të vitit 1998, në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla” kishte shtënë me armë të tipit  “Kallashnikov”, ku ishin vrarë 3 civilë teksa të njëjtit ishin duke shkuar për të marrë dru në mal.

    Seanca e sotme ka filluar me dëgjimin e dëshmitarit Xhenger Cana. I njëjti kishte filluar dëshminë dje më 13.01.2025, ndërsa sot ka arritur ta përfundojë dëshminë e tij.

    Ai gjatë dëshmisë së tij rrëfeu se gjatë kohës së luftës Millosh Pleskoviq i kishte pasur 18 apo 19 vjet, pasi i njëjti mendonte se ka lindur gjatë vitit 78-79.

    “Sa herë e keni parë Milloshin para incidentit kritik, për të cilin po thoni që ai ka qenë prezent?” – e pyeti mbrojtësja e të akuzuarit Millosh Pleskoviq, avokatja Jovana Filipoviq.

    “Dajt i ka te na në lagje, prej moti e njoh në lagje.” – tha Cana.

    Gjatë vitit 1998 dëshmitari Xhenger Cana tregoi se Milloshi kishte qenë i dobët, i hollë, flokët e hequra zero dhe kishte qenë biond.

    “Biond, pak koka trashë tash, se ma herët ka qenë më i dobët.” – tha Cana.

    Dëshmitari Xhenger Cana tha se pasi që kishte ndodhur vrasja, ai për herë të parë deklaratë lidhur me këtë rast kishte dhënë në Policinë e Kosovës.

    “A keni dhënë ndonjë deklaratë në EULEX apo UNMIK, apo ndonjë organizatë tjetër ndërkombëtare&quot?” – e pyeti mbrojtësja e të akuzuarit, Jovana Filipoviq.

    “Jo.” – u përgjigj dëshmitari Cana.

    Ndërsa në fund të dëshmisë dëshmitari Cana tha se të akuzuarin në vendin e ngjarjes e kishte parë të veshur me uniforma të ushtrisë së Policisë dhe se i kishin gjuajtur me armë. Po ashtu, i pari që kishte gjuajtur kishte qenë i akuzuari e, po ashtu, i kishin ofenduar e sharë në gjuhën serbe.

    “Kush ka sharë?” – e pyeti prokurori Kastriot Memaj dëshmitarin gjatë seancës së sotme.

    “Paramilitarët serbë.” – u përgjigj dëshmitari Cana.

    Po ashtu prokurori Memaj e pyeti dëshmitarin “Sa jeni i sigurt se e keni parë të akuzuarin në vendin e ngjarjes?”.

    “Të garantoj me jetën time për këtë.” – tha dëshmitari Cana.

    Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Xhenger Cana, seanca vazhdoi tutje me dëshminë e dëshmitarit të dytë të planifikuar për sot, Haxhi Cana.

    Haxhi Cana rrëfeu, gjatë dëshmisë së tij, se pas lufte iu kishte treguar të gjithëve për këtë rast.

    “Shtëpisë time, shokëve, familjarëve të mi, krejtve iu kom tregu për këtë rast.” – tha Haxhi Cana.

    Gjatë dëshmisë së tij tha se të akuzuarin e njeh që nga momenti kur ai i ka pasur 15 vjet, pasi ai kishte shkuar në mëhallë dhe po ashtu bëri të ditur se ai nuk e kishte parë Milloshin. Por, djali i tij i kishte treguar për të.

    “Unë vetë nuk e kam pa, por Xhengeri më ka treguar.” – tha Cana.

    Mbrojtësja e të akuzuarit e pyeti në rast se ai e kishte lajmëruar ndonjëherë Milloshin se kishte bërë diçka të keqe. Mirëpo, ai tha se pas përfundimit të luftës, pas 3-4 ditësh e kishte lajmëruar në mahallë.

    “Në mahallë e kam lajmëru që ka bo keq, krejt Prizreni e di.” – tha Haxhi Cana.

    “Pas lufte, pas 3-4 ditësh.” – shtoi tutje Cana.

    Gjykimi ndaj të akuzuarit për “krime lufte” Millosh Pleskoviq pritet të vazhdojë edhe pasdite, ku pritet të dëgjohen edhe dy dëshmitarë të tjerë.

    I akuzuari në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 21.06.2024 nuk e kishte pranuar fajësinë.

    “Nuk e pranoj fajësinë.” – kishte thënë i akuzuari Pleskoviq.

    Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës në përbërje të Trupit Gjykues Rrahman Beqiri (kryetar i Trupit Gjykues) dhe dy anëtarët, Violeta Namani-Hajra e Kujtim Krasniqi.

    Ndërsa, Aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Kastriot Memaj.

    Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë?

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, i akuzuari gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999, në Prizren gjatë një konflikti me karakter jondërkombëtar të zhvilluar në mes të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave Ushtarake të Republikës Federative të Jugosllavisë (RFJ) dhe forcave policore të Serbisë, i pandehuri Millosh Pleskoviq, me dashje e në bashkëkryerje me persona të tjerë, i ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, duke kryer vrasjen e viktimave, në atë mënyrë që në periudhën kohore relevante për këtë Aktakuzë, forcat policore dhe ushtarake të RFJ dhe Serbisë ishin stacionuar në kodrat përreth Prizrenit, për shkak të konfliktit të armatosur që ishte duke ndodhur në atë zonë.


    Sipas Aktakuzës, rreth datës 1 shtator 1998, në afërsi të Lagjes “Hoqa Mahalla”, në Prizren, viktimat R. D., B. D., F. B., së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, kanë shkuar në malin e tyre, i cili gjendej afërsisht rreth 300 metra në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla”, për të marrë dru për ngrohje, derisa ishin duke ecur, kanë hasur në një grup prej 7-8 persona, të armatosur të nacionalitetit serb, të cilët kishin dalë nga mali dhe ishin me uniforma policore dhe ushtarake, me shirita në krah dhe në kokë dhe njëkohësisht ishin të armatosur me armë të gjata automatike e të cilët i kishin urdhëruar fillimisht që të ndaleshin, pastaj i kanë fyer në gjuhën serbe.

    Sipas Aktakuzës në mesin e tyre e kishin parë edhe të pandehurin në fjalë. Në atë moment i pandehuri kishte shtënë me armë të tipit “kallashnikov”, në drejtim të tyre dhe me të filluar të shtënat, viktima, tani i ndjeri B.D, e ka shtyrë me krah të dëmtuarin Xhenger Cana – duke e futur nën rrugë, në mënyrë që ta shpëtojë nga vrasja, pasi që ishte më i riu në grup,

    Gjithnjë – sipas Aktakuzës – të dëmtuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kanë vrapuar në drejtim të shtëpive të tyre, kurse viktimat, tani të ndjerit: B. D., R. D. dhe F. B. kanë mbetur në vendin e ngjarjes të vrarë, si pasojë e të shtënave, ashtu që pas një jave, me lejen e Policisë serbe, familjarët e viktimave kanë shkuar që t’i marrin trupat e tani të ndjerëve R. D., B.D. dhe F. B., te te cilët kanë parë se trupat e viktimave janë të gjymtuar, ashtu që R. D. dhe B. D. ishin vendosur njëri mbi tjetrin. Njëri nga ta e kishte këmbën e prerë nga trupi, kurse viktima Fatmiri nuk e kishte pasur kokën në trup.

    Në bazë të akuzave të lartcekura ekziston dyshimi i bazuar mirë se, në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile”.

    Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

    Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit” të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

    Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli – teksa po mbahej në paraburgim.

    Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

    Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg, për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

    Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

    Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë Jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

    Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë Jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

    Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

    Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.

     

  • Dosja ndaj kardiologut të akuzuar se ndihmoi një të akuzuar që të mungonte në gjykim

    Bekim Ademi, i akuzuar në cilësinë e kardiologut vaskular për “falsifikim të dokumentit” dhe Bozhidar Dejanoviq nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat që ua ngarkon Prokuroria Speciale.

    Ademi është deklaruar “i pafajshëm” për pretendimin e Prokurorisë se kishte lëshuar një vërtetim mjekësor, që i ndihmonte të akuzuarit Dejanoviq (në një çështje tjetër gjyqësore), që të mungonte në një seancë.

    I pafajshëm për këtë rast është deklaruar edhe Dejanoviq.

    Gjyqtari, Rrahman Beqiri ka njoftuar palët se kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë për hudhje të Aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

    Sipas Prokurorisë, më 30.08.2021, si mjek në QKUK ka falsifikuar dokumentet, me qëllim që t’i ndihmojë të pandehurit, Bozhidar Dejanoviq (tashmë i pandehur në këtë rast) që të shtyjë një seancë tjetër gjyqësore, e cila ishte paraparë të mbahej më 31.08.2021.

    Sipas Prokurorisë, dy të pandehurit janë dakorduar në telefon më 28.08.2021, që Ademi si mjek kujdestar ta pranojë në Spital të pandehurin tjetër Dejanoviq, kinse për kontroll mjekësore duke e vendosur në shtrat të Spitalit, ku më pas Dejanoviq pasi regjistrohet në këtë Repart largohet nga Spitali.

    Aktakuza thotë tutje se Ademi kishte përpiluar fletëlëshimin me të dhëna të pasakta, kinse Dejonaoviq kishte qëndruar në Spital nga data 28.08.2021 deri më 03.08.2021. Këtë dokument i akuzuari ia kishte dhënë – sipas Prokurorisë – mbrojtësit të tij, i cili e kishte prezantuar në Gjykatë për ta shtyrë seancën.

    Me këto veprime – sipas Prokurorisë – Bekim Ademi akuzohet se ka kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit”, kurse Dejanoviq akuzohet për veprën penale “legalizim i rremë”.

  • Dosja ndaj të akuzuarve për 400 kg kokainë – dështon seanca gjyqësore

    Ka dështuar të mbahet seanca e sotme, më 10.01.2025, ndaj të akuzuarve: Izet Sheqiri, Kadri Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyçi.

    Izet Sheqiri, Kadri Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyçi nga Prokuroria po akuzohen se përmes kompanisë “MC FOOD” kishin lidhur marrëveshje me një kompani “SEARA”, për importin e produkteve të mishit të pulës së ngrirë, por sipas Prokurorisë në to ishin vendosur substanca narkotike.

    Arsyeja pse ka dështuar të mbahet kjo seancë është për shkak se nuk pati kushte, pasi që ka munguar i akuzuari Kadri Sheqiri.

    Avokati i tij Xhafer Maliqi bëri të ditur se me klientin e tij kishte biseduar dhe i njëjti e kishte njoftuar se ndodhet në Shqipëri, ndërsa sot kishte tentuar disa herë por nuk kishte pasur qasje.

    Shqyrtimi gjyqësor i radhës pritet të mbahet më 16.01.2025.

    Kryetari i Trupit Gjykues, Ngadhnjim Arrni bëri të ditur se për të akuzuarin Kadri Sheqiri kjo Gjykatë do të lëshojë urdhërarrest për shoqërim për këtë datë.

    Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga Trupi Gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Ngadhnjim Arrni (kryetar i Trupit Gjykues) dhe dy anëtarët, Valon Kurtaj dhe Rrahman Beqiri.

    Ndërsa, aktakuza po përfaqësohet nga prokurori special Valdet Gashi.

    Pesë të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale të cilat po u vihen në barrë nga Prokuroria, ndërsa i akuzuari Izet Sheqiri kishte thënë se ndihet fajtor vetëm për veprën penale “armëmbajtje pa leje”.

    Sipas aktakuzës, të akuzuarit përmes bashkëpunimit me persona nga shteti i Brazilit duke shfrytëzuar kompaninë “MC Food” kanë lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA”, për importimin e produkteve të pulës së ngrirë dhe në brendi të pakove është vendosur substancë narkotike.

    Kjo substancë e llojit kokainë u gjet më 17.05.2021, në sasi prej 400 kilogramësh.

    Aktakuza ndaj të akuzuarve është ngritur më 14.11.2022.

    Emisioni “Kallxo Përnime” ka transmetuar pamje ekskluzive të aksionit të Policisë, me rastin e sekuestrimit të kësaj sasie të drogës.