Etiketë: Serbia

  • Takimi i parë Kosovë-Serbi në Bruksel i Komisionit të Përbashkët për të Pagjeturit

    Në Bruksel sot, më 15.01.2025, zhvillohet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të Pagjeturit.

    Ngritja e këtij Komisioni është bërë në bazë të një marrëveshjeje të arritur vitin e kaluar, në kuadër të Dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.

    Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta. Se kush janë, mund të lexoni këtu.

    Në takim, delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga Halil Cenaj – bëri të ditur kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.

    Ndërkaq, para takimit Serbia nuk bëri të ditur se kush do të udhëheqë delegacionin e saj.

    Sipas burimeve në BE, në këtë takim nuk pritet ndonjë veprim konkret, por do të jetë më shumë i karakterit simbolik dhe ceremonial, duke qenë se do të jetë takimi i parë i këtij Komisioni. Po ashtu, fakti që Kosova është në periudhë të fushatës zgjedhore, ndikon që ky të jetë vetëm një takim simbolik.

    Burimet në Bruksel thanë se takimi do të jetë rast që palët të paraqesin prioritetet e tyre dhe të merren vesh për datat e takimeve të ardhshme, në të cilat priten rezultate konkrete.

    Kryetari i Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur, Andin Hoti shkroi në Facebook se në Bruksel do të përcaktohen Plani i punës dhe takimet e radhës.

    Ai u shpreh se në këtë drejtim, delegacioni i Kosovës do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, “me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar te Vuçiqi dhe çështje të tjera të rëndësishme në këtë fushë”.

    “Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të Marrëveshjes ekzistuese – Deklaratës për Persona të Zhdukur, e miratuar më 02.05.2023.” – tha ai.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të formonin këtë Komision të Përbashkët për të zbatuar Deklaratën dhe BE-ja e kishte cilësuar si një nga rezultatet më të rëndësishme të Dialogut vitin e kaluar.

    Deklarata politike ishte arritur në maj të vitit 2023, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq.

    Megjithatë, deri më tani nuk është bërë ndonjë veprim konkret për zbatimin e saj, teksa familjarët e më shumë se 1.600 persona të pagjetur – kryesisht shqiptarë – me ankth presin të dinë për fatin e më të dashurve të tyre.

    Një nga ta është edhe Fitim Dubovci, i cili kërkon babanë e tij të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, më 1998-1999.

    “Babanë e kanë marrë të gjallë, por sot vetëm 1% besoj se mund të jetë i gjallë diku.” – tha ai për REL-in, në prill të vitit 2024.

    Fitimi nga Çikatova e Drenasit, përveç babait ka edhe pesë familjarë të tjerë të zhdukur.

    “Sa e sa familjarë të personave të zhdukur tashmë kanë vdekur ‘me sy hapur’, sepse nuk e kanë ditur ku i kanë më të dashurit e tyre.” – tha ai.

    BE-ja ka thënë më herët se për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur duhet funksionalizimi i Komisionit të Përbashkët.

    Megjithatë, në të kaluarën palët kishin akuzuar njëra-tjetrën për mungesë të gatishmërisë, për të dhënë informacione për të pagjeturit, si dhe qasje në dokumente relevante e arkiva ushtarake të rëndësishme për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

    Në Deklaratën për Personat e Zhdukur thuhet se palët angazhohen për identifikimin e vendeve të varrimit dhe më pas që në to të gërmohet.

    Aty po ashtu palët pajtohen që të ofrojnë qasje të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që do të ndihmonin në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur, në periudhën 01.01.1998 – 31.12.2000.

    “Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet dhe çdo dokument tjetër – përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, nën posedimin e institucioneve të të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst.” – thuhet në Deklaratë.

    Në këtë Deklaratë nuk përmenden arkivat ushtarake apo policore, që Kosova ka kërkuar që Serbia t’i hapë pasi thotë se në to janë edhe informacionet për të zhdukurit.

    Megjithatë, aty përmenden dokumentet me status të klasifikuar, që sipas njohësve iu referohet dokumenteve konfidenciale apo arkivave shtetërore ushtarake e policore, të cilat sipas tyre do të ndihmonin në gjetjen e personave të pagjetur.

    Kosova ka kryer gërmime në lokacione të ndryshme ku dyshohen për mbetje mortore të personave të vrarë gjatë luftës. Por, autoritetet shpesh kanë thënë se problemi qëndron në lokacionet në Serbi, ku dyshohet se janë varrosur viktimat e luftës në Kosovë.

    Në rajon, nga konfliktet në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë zbardhja e fatit të personave të zhdukur është po ashtu pjesë e punës së Komisioneve të Përbashkëta mes këtyre shteteve./REL

  • Lavrov: Moska në kontakt me Serbinë lidhur me pronësinë e NIS-it

    Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha të martën, më 14.01.2025, se Moska është në kontakt me “miqtë e saj serbë”, lidhur me fatin e pronësisë së kompanisë serbe të naftës NIS, e cila u vu nën sanksionet e SHBA-së.

    Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, pas një takimi me ambasadorin rus në Serbi, Bocan-Harçenko tha se ka kërkuar “nga miqtë rusë” fillimin e konsultimeve dhe mbajtjen e takimeve për funksionimin e NIS-it në të ardhmen.

    “(Diskutuam edhe për) gjetjen e zgjidhjes më të mirë në interes të ndërsjellë, duke ruajtur marrëdhëniet e partneritetit dhe ato miqësore ndërmjet Serbisë dhe Federatës Ruse.” – shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram, të martën, më 14.01.2025.

    Vuçiq tha të premten, më 10.01.2025, se pas sanksioneve të reja të Shteteve të Bashkuara kundër sektorit të naftës ruse, kompanisë Gazprom Neft të Rusisë do t’i jepet një afat prej 45 ditësh për të dalë nga pronësia e NIS-it.

    Ky afat vlen edhe për Serbinë që të përfundojë “nënshkrimin e çfarëdo Marrëveshjeje apo Kontrate me palën ruse”.

    Pas kësaj, siç tha ai, sanksionet hyjnë në fuqi “plotësisht”.

    Gazprom Neft ka aksione në NIS, që nga viti 2022. Aksione ka edhe kompania e saj amë Gazprom.

    Sipas të dhënave të NIS-it, kompania Gazprom Neft zotëron sot 50% të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë zotëron 29.87% të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom zotëron 6.15% të aksioneve.

    Industria e Naftës e Serbisë u sanksionua nga Departamenti i Financave i Shteteve të Bashkuara më 10 janar, për shkak të të ashtuquajturit “rrezik sekondar”, do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.

    Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard Verma tha në Beograd të shtunën, më 11.01.2025, se Serbia nuk do të përballet me pasoja ekonomike – nëse pronësia ruse hiqet nga NIS-i./REL

  • Gjuriq: Serbia mund të jetë nikoqire e takimit eventual mes Trumpit e Putinit

    Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq tha se Serbia është e gatshme të mirëpresë një takim të mundshëm midis presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

    “Serbia mund të luajë një rol të rëndësishëm si mikpritëse. Presidenti [Aleksandër] Vuçiq ka ndërtuar një reputacion ndërkombëtar, që na mundëson të jemi vend i takimeve të tilla.” – tha Gjuriq për Radio Televizionin e Serbisë.

    Media të ndryshme ndërkombëtare janë duke raportuar ditëve të fundit për mundësinë e një takimi të tillë, derisa Trump – i cili është zotuar se do ta përfundojë shpejt luftën e Rusisë në Ukrainë – pritet ta marrë zyrtarisht detyrën, më 20 janar.

    Kremlini tha të hënën se nuk ka ende ndonjë përgatitje specifike për këtë takim, ndërsa një këshilltar i Trumpit tha se dy udhëheqësit pritet të bisedojnë përmes telefonit në ditët ose javët në vazhdim – raporton Reuters.

    Duke folur për RTS-në, Gjuriq tha se Beogradi mund të bëhet me sukses vend i takimit.

    “Besoj se mund ta japim kontributin tonë dhe të luajmë një rol të vogël, por jo krejtësisht të parëndësishëm dhe t’ua ofrojmë një gjë të tillë partnerëve tanë.” – tha Gjuriq.

    Për gatishmërinë e Serbisë për t’u bërë nikoqire e mundshme e Trumpit dhe Putinit foli një ditë më herët edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Serbia, aleate e Rusisë, është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

    Javën e kaluar, industria e saj e naftës, NIS e cila në masë të madhe është nën pronësinë e një kompanie ruse, është sanksionuar nga SHBA-ja.

    Por, Gjuriq tha se Serbia i ka marrë të gjitha masat për t’i shmangur trazirat në treg.

    Ai tha, gjithashtu, se Serbia do të nisë Dialogun Strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

    “Kjo është e një rëndësie të jashtëzakonshme për pozicionin ndërkombëtar të Serbisë. Partneriteti e bën të rregullt shkëmbimin ndërmjet institucioneve tona dhe kontribuon në zhvillimin e marrëdhënieve në fushën e ekonomisë, teknologjisë së re, kulturës dhe arsimit, me një numër më të madh të bursave.” – tha Gjuriq.

    Për Zgjedhjet në Kosovë

    Kryediplomati serb foli edhe për Zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Kosovë më 9 shkurt.

    “Është e rëndësishme që populli ynë të mbetet unik dhe që Lista Serbe të marrë pjesë në Zgjedhje, për të treguar se nuk po tërhiqemi.” – tha Gjuriq.

    “Unë vërtet dua që serbët të dalin në Zgjedhje, t’i tregojmë [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti, se nuk dorëzohemi, se nuk largohemi nga institucionet dhe se serbët dhe Serbia nuk tërhiqen.” – shtoi ai.

    Lista Serbe është formuar në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe që atëherë është e vetmja parti që ka mbështetjen e Serbisë për pjesëmarrje në institucionet e Kosovës.

    Përveç Listës Serbe, në garë për dhjetë ulëset e garantuara për serbë në Kuvendin e Kosovës janë edhe pesë subjekte të tjera politike që përfaqësojnë komunitetin serb: Lëvizja Popullore Serbe, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë; Partia e Serbëve të Kosovës, Demokracia Serbe dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore./REL