Etiketë: Suharekë

  • Detaje nga Policia: Përveç nxënësve, qeni sulmoi edhe disa policë – arrestohet pronari

    Disa nxënës dhe disa zyrtarë policorë kanë marrë lëndime, pasi janë sulmuar nga një qen i cili kishte hyrë brenda objektit të shkollës “17 shkurti” në Shirokë të Suharekës.

    Policia ka dhënë detaje për ngjarjen duke njoftuar se rasti është raportuar, më 22.01.2025, rreth orës 09:50 minuta.

    Dy nxënës kanë marrë lëndime nga sulmi i qenit dhe janë duke marrë trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Një nxënëse e lindur në vitin 2017 ka lëndime më serioze në kokë nga kafshimi i qenit – thekson Policia për KALLXO.com.

    Ndërkaq, sipas PK-së, dy nxënës kanë marrë lëndime të lehta gjatë ikjes.

    “Patrullat policore i janë përgjigjur rastit me urgjencë. Kur kanë arritur në shkollë kanë vërejtur një qen brenda shkollës, i cili kishte sulmuar nxënësit e shkollës dhe paraqiste rrezik potencial ende. Qeni ka sulmuar edhe policët, mirëpo në shpejtësi është asgjësuar – duke e mënjanuar rrezikun e mëtutjeshëm.” – ka thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë në Prizren, Vesel Gashi.

    Tutje, ai njoftoi se Policia ka ndihmuar nxënësit të dërgohen në urgjencë për mjekim e ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore, në lidhje me rastin në fjalë.

    Për ngjarjen është njoftuar Prokurori kompetent, Hetimet Rajonale në Prizren, IPK-ja si dhe është identifikuar pronari i qenit dhe i njëjti është arrestuar.

    Rasti është iniciuar, si: “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

    Policia shton se Njësitet përkatëse policore janë duke hetuar rastin.

  • Qeni hyn brenda një shkolle në Suharekë, sulmon një nxënës

    Një nxënës ka marrë lëndime trupore, pasi është sulmuar nga një qen.

    KALLXO.com mëson se në një Shkollë fillore në Shirokë të Suharekës, më 22.01.2025, një qen ka hyrë brenda objektit të shkollës dhe në korridor ka sulmuar një nxënës.

    Në lidhje me këtë rast KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës.

    Vesel Gashi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prizrenit, i ka thënë KALLXO.com se nxënësi i lënduar tashmë është dërguar në Spital për trajtim mjekësor.

    “Policia ka intervenuar menjëherë pas marrjes së informatës dhe ka neutralizuar qenin.” – tha Gashi për KALLXO.com.

    Tutje, ai shtoi se rasti po vazhdon të trajtohet edhe më tutje.

  • Suharekë – Vdes një burrë në veturë teksa po shkonte te mjeku

    Një burrë raportohet se derisa ishte duke shkuar për të kërkuar tretman mjekësor, pasi nuk ishte ndier mirë me shëndet, gjatë rrugëtimit kishte mbetur i shtrirë në veturë, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

    Rasti ka ndodhur në Suharekë, më 21.01.2025.

    Mjeku kujdestar me të arritur në vendin e ngjarjes ka konstatuar se viktima kishte pësuar sulm kardiak në zemër dhe e kishte konstatuar vdekjen e tij në vendin e ngjarjes.

    Me vendim të Prokurorit, trupi i pajetë iu është liruar familjarëve.