Etiketë: vjosa osmani

  • Presidentja Osmani nis përgatitjet për themelimin e Komisionit Presidencial për Drejtësinë Tranzicionale

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare të angazhuara në fushën e drejtësisë tranzicionale, të premten më 24.01.2025.

    Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi të lëshuar nga Presidenca, në të cilin thuhet se gjatë këtij takimi është diskuatuar lidhur me përgatitjet për procesin e themelimit të Komisionit Presidencial për Drejtësinë Tranzicionale. 

    Tutje, thuhet se nisma për themelimin e këtij Komisioni buron nga Strategjia për Drejtësinë Tranzicionale të Republikës së Kosovës. 

    “Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe angazhimin e të pranishmëve ndaj këtij procesi, si dhe njoftoi se gjatë javëve në vijim do të vazhdojnë takimet edhe me përfaqësues të tjerë nga organizatat përfaqësuese të viktimave, shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar, me qëllim të finalizimit të fillimit sa më të shpejtë të punës së këtij komisioni”- thuhet në njoftimin e datës 25.01.2025. 

  • Delegacioni presidencial i Kosovës në inaugurimin e Trumpit thekson rëndësinë e bashkëpunimit me SHBA-në

    Presidenca e Kosovës ka njoftuar se delegacioni i saj ka marrë pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e inaugurimit të presidentit amerikan, Donald Trump.

    Siç thuhet nga Presidenca, ky delegacion ka marrë pjesë në “Ceremoninë e Betimit të Presidentit Trump në Capitol Hill, tubimin e mbajtur para Ceremonisë së Betimit në Capital One Arena, Ballon e Komandantit Suprem, Ballon Presidenciale ‘The Liberty Ball’, Ballon ‘Black Tie and Boots’ të organizuar nga Texas State Society, Midwest Galla, pritjen e organizuar nga Dr. Miriam Adelson, Tilman Fertitta, Sylvie Legere & Todd Ricketts e Mark Zuckerberg, si dhe në Shërbesën e Lutjeve Kombëtare në Washington National Cathedral”.

    Në komunikatën e Presidencës thuhet se delegacioni është takuar me disa zyrtarë të lartë, senatorë, kongresistë, njerëz të biznesit dhe nga sfera të tjera.

    Gjatë takimeve me zyrtarë amerikanë thuhet se u theksua edhe rëndësia e vizitave të ndërsjella dhe rëndësia e bashkëpunimit për ruajtjen e sigurisë në rajon.

    “Gjatë këtyre aktiviteteve, ata kanë pasur mundësinë të bisedojnë me: kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, Mike Johnson; të nominuarin e presidentit Trump për Drejtor të CIA-s, John Ratcliffe; kongresistin dhe kryesuesin e Nënkomitetit për Evropë në Komitetin për Politika të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, Keith Self; kongresistin, Chip Roy; kongresistin, Ronny Jackson; senatorin, John Cornyn, kongresistin, Ted Cruz; guvernatorin e Teksasit, Greg Abbott; guvernatoren e Ioëa, Kim Reynolds; ambasodorin e nominuar të presidentit Trump në NATO, Matt Ëhitaker; zëvendësguvernatorin e Teksasit, Dan Patrick; prokurorin e Përgjithshëm të Teksasit, Ken Paxton; ish-sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg; senatoren e Teksasit, Angela Paxton; këshilltarin lokal, Gino Mulliqi dhe ish-kongresistin Jack Fields. Si dhe, përfaqësues të shumtë të mërgatës.” – thuhet në komunikatën e Presidencës.

    Tutje, thuhet se në takime u përcollen urimet e presidentes Vjosa Osmani për presidentin Trump dhe u konfirmua angazhimi i Kosovës për avancimin e raporteve bilaterale.

    Delegacioni i Presidencës që mori pjesë në këto aktivitete përbëhej nga ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli; shefja e Stafit të Presidentes, Learta Hollaj dhe këshilltarja për Politikë të Jashtme, Rejhan Vuniqi.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk ka marrë pjesë në Ceremoninë e Inaugurimit të presidentit amerikan, Donald Trump më 20.01.2025.

    Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani, kishte thënë për KALLXO.com që Osmani ka marrë ftesë nga anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara (Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve).

    Mirëpo, Kupina më 18.01.2025 pati deklaruar se duke u bazuar në traditën protokolare, shumica e vendeve përfaqësohen në këto Ceremoni nga ambasadorët e tyre të akredituar në Washington D.C, kështu që ka deleguar një delegacion nga Presidenca.

    “Duke e vlerësuar këtë ngjarje si një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet në mes Kosovës dhe SHBA-ve, Presidentja ka vendosur ta dërgojë një delegacion të Kabinetit të saj, i cili së bashku me ambasadorin në SHBA, Ilir Dugolli do ta përfaqësojnë Kosovën në aktivitetet inauguruese të datave 19-21 janar.” – tha Kupina, më 18.01.2025.

    https://kallxo.com/lajm/mori-ftese-nga-tre-kongresmene-por-nuk-do-te-shkoje-osmani-dergon-delegacion-ne-inaugurimin-e-trumpit/

  • Presidenca e Kosovës e riparon veturën që i shpëtoi jetën presidentit Rugova nga eksplozivi

    Para 20 vjetësh përdorej nga presidenti Ibrahim Rugova. 20 vjet më vonë, vetura e presidentit historik të Kosovës u pa përsëri në rrugë më 21.01.2025, pasi presidentja Vjosa Osmani vendosi ta riparojë atë.

    Osmani me këtë veturë udhëtoi për homazhe te varri i presidentit Rugova në 19-vjetorin e vdekjes së tij.

    Nga kabineti i presidentes Vjosa Osmani për KALLXO.com thanë se vetura do të përdoret vetëm për raste solemne dhe do të ruhet në garazhin e Presidencës së Kosovës.

    Riparimi i veturës, që është prodhim amerikan, Zyrës së Presidencës i ka kushtuar 16 mijë e 700 euro. Përveç në pjesët motorike, sikurse servisimi i motorit është riparuar edhe pjesa e jashtme e veturës dhe janë ndërruar xhamat që ishin të thyer.

    Po ashtu është ndërhyrë edhe në pjesën e brendshme të veturës, ku është bërë riparimi i enterierit dhe është ndërhyrë edhe në mekanizmin e ulëseve.

    Pikërisht falë kësaj veture të fuqishme e modifikuar në nivelin më të lartë të blindimit, ish-presidenti Rugova i shpëtoi një atentati.

    Më 15 mars të vitit 2005, teksa eskorta e ish-presidentit Rugova po lëvizte në këtë rrugë që tash quhet “Agim Ramadani” u bë atentat ndaj tij.

    Kur vetura në të cilën ndodhej Rugova erdhi pikërisht në atë vend, ndodhi një shpërthim. Eksplozivi dyshohet se ishte vendosur në disa kontejnerë.

    Rugova i shpëtoi atentatit dhe më pas u takua në Prishtinë me ish-Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Europian, Javier Solana.

    Vetura e ish-presidentit Rugova e cila u përdor të martën për homazhe nga presidentja Vjosa Osmani, do qëndrojë e ekspozuar në sheshin që mban emrin e tij në Prishtinë, deri më 23.01.2025.

    Ibrahim Rugova ishte presidenti i parë i Kosovës. Ai vdiq më 21.01.2006 pas një sëmundje të rëndë.