Etiketë: Xhelal Sveçla

  • Mbyllja e institucionit paralel në Veri – Sveçla: Do ta luftojmë çdo paralelizëm kriminal të Serbisë përballë institucioneve tona

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçka ka reaguar në lidhje me mbylljen objektit që ka funksionuar si zyrë tatimore e Serbisë.

    Aktiviteti ilegal i Agjensionit Tatimor të Serbisë, sipas tij, do të hetohet nga të gjithë mekanizmat institucionalë.

    Sveçla ka potencuar se “do të vazhdohet të luftohet çdo paralelizëm kriminal i Serbisë përballë institucioneve të Republikës së Kosovës”.

    “Ky insitucion ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë e subjekte që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës. Haraçi është i dënueshëm dhe rreptësisht i ndaluar për këdo që e zhvillon atë. E në këtë rast, ai zhvillohej nga grupe kriminale lojale ndaj Serbisë agresore dhe figurave si Vladimir Putin.” – ka shkruar Sveçla në llogarinë e tij në Facebook.

    Policia e Kosovës ka ndërhyrë në një ndërtesë në Mitrovicë të Veriut mëngjesin e së mërkurës, më 08.01.2025. Për këtë objekt KALLXO.com kishte raportuar në nëntor të vitit 2024, se i njëjti funksiononte ilegalisht si administratë tatimore.

    Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

    Ai ka thënë se objekti ka funksionuar si Zyrë Tatimore nga Serbia.

    “Rreth orës 09:00 kemi hyrë në këtë ndërtesë, e cila sipas informacioneve tona ka funksionuar si zyrë tatimore, si Degë e Ministrisë së Financave të Serbisë.” – tha ai.

    KALLXO.com, më 01.11.2024, ka raportuar për dëshmitë për funksionimin e institucionit paralel ilegal në Mitrovicë të Veriut.

    Ekipi i KALLXO.com verifikoi më 30.10.2024 se në këtë objekt paralel funksiononte e ashtuquajtura “Administrata Tatimore”.

    KALLXO.com hyri brenda këtij objekti paralel, ku kishte punonjës dhe po funksiononte. Për të verifikuar çka po ofrohet konkretisht, gazetarët thanë se “po u duhet certifikata e lindjes që ta nxjerrin letërnjoftimin e Serbisë”.

    “Ky dokument duhet të nxirret në Komunë. Na jena ‘Administrata Tatimore’ këtu zotëri.” – ishte përgjigjja e punonjësve.

  • Sveçla e Krasniqi vizitojnë dy familje në Shtërpcë për t’ua uruar Krishlindjet ortodokse

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi vizituan familjet Illic dhe Filipovic në Shtërpcë.

    Arsyeja e vizitës sipas Sveçlës është për t’ua uruar festën e “Krishlindjeve Ortodokse”, më 07.01.2025.

    “Bashkë me Ministrin Elbert Krasniqi vizituam familjet Illic dhe Filipovic në Shtërpcë të cilët hapën dyert për uruar e festuar së bashku me ta Krishtlindjen ortodokse. Nga këto familje mikpritëse e punëtore ua përcjellim urimet e përzemërta të gjithë besimtarëve bashkëqytetarë tanë që festojnë sot Krishtlindjet ortodokse sipas kalendarit julian”- ka shkruar ministri Sveçla.

  • Rastet e vrasjeve që tronditën vendin gjatë vitit 2024

    Viti 2024 nisi me një rast tragjik në Podujevë ku dy të mitur ia morën jetën një 18-vjeçari, e përfundoi me dy të rinj që u vranë në një kafene në qendër të Klinës. Nuk munguan as rastet e vrasjeve të grave nga burrat e tyre.

    Në varrezat e qytetit në Podujevë me 21.01.2024 iu dha lamtumira e fundit Lulzim Fejzullahut, 18-vjeçarit që vdiq pas plagëve të marra nga rrahja që kishte ndodhur një javë më parë.

    Kjo ishte një prej vrasjeve më të rënda që u regjistrua qysh në fillim të vitit 2024, ku të akuzuar përfunduan dy të mitur me inicialet A.A dhe E.K.

    Ata dyshohet se si rezultat i një sherri të nisur ditë më parë, e kishin rrahur viktimin me shkopinj bejsbolli, duke i shkaktuar lëndime që në fund i morën jetën.

    Më 26.03.2024, rreth orës 13:53, në lagjen Kolovicë të Prishtinës, policia do merrte informacion për të shtëna më armë, ku i plagosur kishte mbetur Naim Berisha.

    Por, kjo ngjarje nuk do përfundonte me kaq, pasi në orët e mbrëmjes të po asaj dite do të qëlloheshin me armë dy persona, njëri prej tyre vdiq atë natë kurse viktima e dytë një grua, qytetare e rastit, që po qëndronte në veturë pranë shëpisë së saj ndërroi jetë një ditë më pas në QKUK.

    Aksidentale nuk do ishte rasti i radhës, që gjithashtu pati për viktimë një grua të re në moshë.

    Rasti tronditës ku viktimë ishte 21 vjeçarja Erona Cokli, ndodhi në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ku dorasi është ish-bashkëshorti i viktimës, Valon Aliu, që u arrestua e dërgua në mbajtje.

    Rasti nxiti reagime të ashpra nga presidentja e vendit Vjosa Osmani, kryeministri Kurti, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe ai Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të cilët e dënuan aktin.

    E pikërisht në atë muaj, deri sa po dënohej vrasja e 21-vjeçares, një vrasje tjetër do trondiste vendin.

    Kësaj radhe në Pejë, përsëri nga bashkëshorti në banesën e tyre në rrugën “Bill Clinton” u vra një grua. Jetën e Gjyljeta Ukellës e mori burri i saj Edmond Lajqi me një plumb në kokë.

    I akuzuari, kishte edhe një dënim për dhunë në familje në vitin 2021. Arsyejet ishin mosmarrëveshjet familjare ndërkaq, gjersa i njëjti kishte një aktgjykim për dhunë në familje gjatë vitit 2021.

    Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, pas vrasjes në Pejë, kanë protestuar në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që po mbahej nën organizimin e presidentes Vjosa Osmani.

    Përmes një baneri gjigant, ata kanë kërkuar të anulohet ky forum, derisa në Kosovë po vriten gratë.

    Më 20.09.2024, një burrë u vra nga një një grua në Prishtinë.

    Një 56-vjeçare vrau kunatin e saj me të cilin jetonin në një shtëpi, shkaku i problemeve familjare, dhe ishte dorëzuar menjëherë në polici.

    I vrarë mbeti edhe një person në lagjën “Aktash” dhe 5 të tjerë të plagosur, shkak si një mosmarrëveshje më herët mes dy grupeve të njohura nga organet e rendit.

    Rastet e vrasjeve brenda familjes nuk do të përfundonin me rastin që ndodhi në Kodrën e Triamve, pasi që më 27.10.2024 u regjistrua një tjetër rast i rëndë.

    Vëllai do të vriste vëllain me thikë, në incidentin që ndodhi në rrugën “Tirana” të kryeqytetit.

    Policia por edhe familja thanë se nuk i dinë ende arsyejet e kësaj vrasje andaj kërkuan që të pritet një raport i organeve të rendit.

    Në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit”, në Gjilan, më 07.11.2024, Sokol Osmani do të ekzekutohej, rast për të cilin u arrestuan Valmir Salihu dhe Florian Mitev nga ky qytet.

    Kurse nata e 15.11.2024 do të ishte fatale për dy të rinj në Klinë, që po qëndëronin në një kafene në qender të qytetit.

    Rexhep dhe Albison Shlivova, 23 dhe 21-vjeçar, u qëlluan për vdekje nga 19-vjeçari Jon Hoti.

    Të gjithë ishin të nga i njëjti fshat, dhe kishin pasur një konfikt disa ditë më parë para se të ndodhte ngjarja.

    Përgjatë vitit 2024, policia bëri angazhime të shtuara në reduktimin e armëve të zjarrit në duart e kosovarëve, por që megjithatë, rezultuan me raste të shumta që përfunduan me fatalitet./Dukagjini