Etiketë: Policia e Kosoves

  • Policia në Vushtrri konfiskon dy armë, në dy raste të ndryshme – FOTO

    Policia e Kosovës ka konfiskuar dy armë në dy raste të ndryshme në Vushtrri, brenda 24 orëve.

    Sipas një komunikate për media, në rastin e parë Policia ka arrestuar një person në gjendje të dehur në rrugën “Ana Lin”, gjatë kontrollit të së cilit organet e rendit i kanë gjetur në posedim një pistoletë me katër fishekë.

    Me vendim të Prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.

    Në rastin e dytë, Policia thotë se në rrugën “Ahmet Selaci” ka arrestuar një person të dyshuar, pasi gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar një armë – pistoletë. Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Në komunikatë bëhet e ditur se, ndaj dy të dyshuarve janë iniciuar raste për veprën penale: “mbajtje në pronësi, posedim, kontroll të paautorizuar të armës”.

  • Gjendet i vdekur 26-vjeçari i cili ishte zhdukur që nga dhjetori

    26-vjeçari i raportuar si “i zhdukur” që nga 24.12.2024 është gjetur i vdekur në lumin “Drini i Bardhë”, në afërsi të urës në fshatin Rugovë.

    Për KALLXO.com, kjo u konfirmua nga zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Vesel Gashi. Ai tha se trupin e viktimës e kishte vërejtur një qytetar.

    “Më 14.01.2025, rreth orës 08:20, Policia është informuar se një qytetar e ka vërejtur një trup të pajetë në lumin “Drini i Bardhë”, në afërsi të urës së fshatit Rugovë. Me të marrë këtë informacion, hetuesit nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren dhe zyrtarë nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës kanë dalë në vendngjarje, ku kanë vërejtur një trup të pajetë.” – tha Gashi për KALLXO.com.

    Policia e ka identifikuar viktimën përmes dokumentacionit personal, të gjetur në rrobat e tij.

    “Pas kontrollimit të viktimës nga njësitet përkatëse, në rrobat e viktimës është gjetur dokumentacion personal, në emër të Arban HISARI, DL. 05.06.1998, si dhe rrobat të cilat i kishte viktima. Ishin të njëjtat sikur në ditën kur është raportuar “i zhdukur” nga familjarët, andaj besohet se trupi i pajetë është i viktimës së lartcekur.” – shtoi zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Vesel Gashi.

    Për rastin është informuar edhe Prokurori i Shtetit.

    Policia e Kosovës kishte njoftuar se kërkimet për 26-vjeçarin kishin filluar që nga data 25.12.2024.

    Më 10.01.2025, FSK-ja njoftoi se ka angazhuar ekipe të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacionin e kërkimshpëtimit malor dhe ujor në kërkim të 26-vjeçarit.

    https://kallxo.com/lajm/fillojne-kerkimet-ne-lumin-drini-i-bardh-per-nje-person-te-zhdukur/

  • Dy persona janë gjetur të vdekur në banesat e tyre në Prishtinë – Policia po i heton rastet

    Policia ka njoftuar se është duke i hetuar dy raste të vdekjeve, të cilat janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit.

    Dy personat, një mashkull dhe një femër, janë gjetur pa shenja jete në banesat e tyre respektive në Prishtinë.

    “Viktima femër kosovare është gjetur pa shenja jete në banesën e saj. Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës.” – bëri të ditur Policia, më 14.01.2025.

    Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Policia njofton se rasti është duke u hetuar.

    Organet e rendit kanë njoftuar se janë duke hetuar edhe vdekjen e një burri në Prishtinë. I njëjti, po ashtu, është gjetur pa shenja jete në banesën e tij.

    Në Raportin policor thuhet se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante dhe njësia e Emergjencës të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

    “Me vendim të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.” – thuhet në njoftimin e Policisë.