Etiketë: Policia e Kosoves

  • Është raportuar e zhdukur që nga nëntori, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për vendndodhjen e 25-vjeçares (FOTO)

    Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët që mund të kenë informacion për vendndodhjen e qytetares Arianita Gajtani, e cila është raportuar e zhdukur nga data 20.11.2024.

    Sipas njoftimit të Policisë, Gajtani është banuese në Lipjan dhe që nga koha kur është raportuar “e zhdukur” Policia ka ndërmarrë një varg veprimesh.

    Policia ka bërë intervistime të personave të cilët mund të ndihmojnë në gjetjen e vendndodhjes së Gajtanit, kontrollimin e hyrjeve-daljeve në të gjitha pikat kufitare, kërkime në zona që ajo i kishte frekuentuar zakonisht – ambiente të mbyllura e të hapura, analizimin dhe hetimin e çdo lloj informacioni që lidhet me të.

    “Edhe pse veprimet dhe kërkimet policore janë duke vazhduar, pas marrjes së autorizimit nga ana e Prokurorit të Shtetit, nga ana juaj kërkojmë kontributin tuaj qytetar. Të gjithë ata që kanë çfarëdo lloj informacioni, që ndërlidhet me të, t’i përcjellin ato Policisë përmes numrit 192.” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 14.01.2025.

  • Policia në disa raste sekuestron qindra pako me cigare në Aeroportin e Prishtinës

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në disa raste, gjatë muajve dhjetor 2024 dhe janar 2025, ka sekuestruar qindra pako me cigare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

    Sipas njoftimit, pakot me cigare kanë qenë të destinuara kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar.

    “Në rastin e fundit të ndodhur më 11 janar 2025 është parandaluar kontrabandimi i 41 pakove – shtekave me cigare, të cilat i dyshuari mashkull shtetas bullgar ka tentuar t’i kontrabandojë përmes Kosovës në Londër, pasi destinimi i tij ishte për në këtë qytet.” – thuhet në njoftim.

    Sipas Policisë, në katër rastet në total, janë sekuestruar mbi 340 pako me cigare të llojeve të ndryshme.

    “Policia e Kosovës, së bashku me institucionet kompetente, njofton opinionin dhe qytetarët se ka rritur angazhimet dhe prezencën e saj në kontrollet e pasagjerëve, te të cilët ka dyshime për kontrabanda të tilla.” – thuhet në fund të njoftimit të Policisë së Kosovës.

  • IPK nis grumbullimin e informacioneve për pretendimet për keqtrajtim gjatë dy rasteve të arrestimeve në Veri

    Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur procesin e grumbullimit të informacioneve dhe hetimit preliminar për pretendimet se një qytetari të keqtrajtuar gjatë arrestimit në Leposaviq, më 12.01.2025.

    IPK ka njoftuar se do të verifikojë rrethanat e arrestimit edhe të një qytetari tjetër në Mitrovicë dhe pretendimet për keqtrajtim.

    “Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) do të verifikojnë rrethanat e arrestimit dhe pretendimet për keqtrajtim nga Policia në Mitrovicën e Veriut, lidhur me një incident që raportohet të ketë ndodhur në mbrëmjen e 12 janarit 2025 dhe pretendimet për keqtrajtim gjatë ndërmarrjes së veprimeve policore, në një rast tjetër të një arrestimi në Soqanicë të Leposaviqit.” – thuhet në njoftim.

    Politikani serb i Kosovës, Aleksandër Arsenijeviq, lider i partisë Demokracia Serbe, është arrestuar e më pas është liruar nga Policia e Kosovës, më 12.01.2024.

    Arsenijeviqit i është shqiptuar tiketë për moszbatim të urdhërit policor.

    Po ashtu, Arsenijeviq në një postim gjatë ditës së djeshme në rrjetin social Facebook ka pretenduar se një qytetar serb është lënduar fizikisht nga Policia e Kosovës në Leposaviq.

    Ai ka kërkuar hetim dhe transparencë të plotë në lidhje me rastin.

    “Kërkojmë nga institucionet relevante, sidomos Eulex, që urgjentisht të reagojnë, të kryejnë hetim të paanshëm, të ofrojnë ndihmë adekuate mjekësore për Vladimir Djordjeviq dhe të mundësohet transparencë e plotë në këtë rast. Gjithashtu, apelojmë te përgjegjësit që të parandalojnë fshehjen e fakteve dhe të sigurojnë drejtësi për të gjithë qytetarët që janë ekspozuar ndaj veprimeve të tilla.” – ka shkruar ai në Facebook

    https://kallxo.com/lajm/policia-speciale-ne-sheshin-e-mitrovices-se-veriut-arsenijeviq-proteston/

    https://kallxo.com/lajm/arrestohet-e-me-pas-lirohet-arsenijeviqit-i-shqiptohet-tikete-per-moszbatim-te-urdhrit-policor/