Etiketë: Arrestimi

  • Koreja Jugore e arreston Presidentin e saj për kryengritje

    Yoon Suk Yeol i Koresë Jugore është bërë Presidenti i parë në detyrë që arrestohet, duke i dhënë fund një përplasjeje njëjavëshe ndërmjet prokurorëve dhe sigurimit të tij personal – raporton të mërkurën në mëngjes, më 15.01.2025, transmetuesi britanik BBC.

    Yooni, përpjekja e dështuar e të cilit për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme e zhyti vendin në trazira dhe rezultoi me shkarkimin e tij në Parlament, po hetohet me akuzën për kryengritje.

    Megjithatë ai teknikisht është ende President, derisa Gjykata Kushtetuese të përcaktojë nëse shkarkimi ishte i vlefshëm.

    Hetuesit kanë përdorur shkallë dhe gërshërë për prerjen e telave gjemborë, në një mëngjes të acartë dimri, për ta arrestuar Yoonin, me Shërbimin Presidencial të Sigurisë (PSS), që kishte ngritur barrikada në përpjekje për ta pamundësuar arrestimin.

    64-vjeçari ka thënë se është pajtuar që të shkojë në Zyrën për Hetimin e Korrupsionin (CIO), për zyrtarët e lartë, për të shmangur gjakderdhjen. Në një xhirim prej tre minutash, Yooni ka thënë se do të bashkëpunojë me zyrtarët, megjithëse është kundër hetimit.

    Ai vazhdimisht ka pretenduar se fletarrestimi nuk është i ligjshëm. Yoon ka thënë se e ka parë me sytë e tij sesi autoritetet “pushtuan” perimetrin e sigurisë së shtëpisë së tij me ekipe zjarrfikësish.

    “Kam ndarë mendjen të dalë para CIO-s, megjithëse është një hetim ilegal, me qëllim që të parandalojë çfarëdo gjakderdhjeje të pandalshme.” – ka thënë ai.

    Më shumë se njëmijë policë dhe zyrtarë janë angazhuar në operacionin e hershëm të së mërkurës. Ishte përpjekja e dytë për arrestimin e tij.

    CIO, që po e heton Yoonin, më parë ishte munduar ta arrestonte atë më 3 janar.

    Zyrtarët kishin marrë fletarrestimin, pasi ai i kishte urdhëruar disa kërkesa zyrtare për t’u lajmëruar në Prokurori.

    Partia e Pushtetit Popullor e Yoonit e ka quajtur “ilegal” arrestimin. Lideri i saj, Kveon Seong-dong i ka përshkruar ngjarjet si aso “për të ardhur keq”.

    Në anën tjetër, lideri i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në opozitë, Park Chan-dae ka thënë se arrestimi i Yoonit ka treguar se “drejtësia në Korenë Jugore është gjallë”.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Prizren, policia arreston një burrë për dhunë në familje

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person për dhunë në familje, të premten më 10.01.2025.

    Sipas njoftimit, të njëjtit i është konfiskuar edhe një revole.

    “Pas raportimit se i dyshuari mashkull  kosovar (bashkëshorti) ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare (bashkëshortes). Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë me 24 copë fishekë  për të cilën kishte leje. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit  i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje  për 48 orë” – thuhet në njoftim.

  • Vjedhja në terminal doganor në Han të Elezit, arrestohen tre të dyshuar

    Policia ka bërë të ditur se ka arrestuar tre persona të dyshuar për vjedhje të rëndë në Han të Elezit.

    Personat e arrestuar A.R. (42-vjeç), R.R. (27) dhe I.L. (38) dyshohet se më  25.11.2024 kishin depërtuar me forcë në njërin nga objektet e terminalit doganor, duke vjedhur pjesë metalike me përmbajtje bakri.

    “Pas një pune intensive hetimore, sot, më datë 09.01.2025, policia ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë tre persona të dyshuar për këtë vepër penale”- thuhet në njoftimin e Policisë.

    Sipas njoftimit, me vendim të prokurorit të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë.

    Ndërkohë, personi N.L. i dyshuar për veprën penale – blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale është liruar dhe do të ndiqet në procedurë të rregullt.