Etiketë: Donald Trump

  • Putin thotë se është i gatshëm të bisedojë me Trumpin për Ukrainën

    Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se është i gatshëm për bisedime me homologun e tij amerikan, Donald Trump, për Ukrainën, duke e quajtur atë udhëheqës “të mençur” i cili do të mund ta kishte parandaluar nisjen e konfliktit më 2022.

    Kievi reagoi menjëherë, duke paralajmëruar kundër përjashtimit të tij nga negociatat.

    Udhëheqësi rus nuk tha se kur këto bisedime do të mbaheshin dhe Kremlini ka thënë më herët se po pret për “sinjale” nga Uashingtoni, pavarësisht se Trump një ditë më herët paralajmëroi se është i gatshëm të takohet “menjëherë” me Putinin.

    “Ne gjithmonë kemi thënë, dhe unë dua ta theksoj sërish, se ne jemi të gatshëm për këto negociata sa i përket çështjes ukrainase”, tha Putin për një gazetar të televizionit shtetëror rus.

    Duke e lavdëruar Trumpin dhe duke e quajtur njeri “të mençur” dhe “pragmatik”, Putin po ashtu përsëriti pretendimin e pabazuar të presidentit amerikan se kishte fituar zgjedhjet presidenciale amerikane kundër Joe Biden më 2020.

    Pothuajse tre vjet më parë nisja e konfliktit në Ukrainë bëri që raportet mes dy fuqive bërthamore të ishin në pikën më të ulët që nga Lufta e Ftohtë.

    Trump, që u inaugurua të hënën, e ka quajtur konfliktin “qesharak” dhe e ka kërcënuar Rusinë me sanksione ekonomike nëse nuk pajtohet të ndalë luftën.

    Ai po ashtu ka thënë se nëse ulen çmimet e naftës, atëherë lufta do të përfundonte shpejt, pasi Rusia përdor të ardhurat nga nafta për të financuar luftën e saj kundër Ukrainës.

    Asnjëra palë nuk duket se po jep shenja për uljen e armiqësive që nga inaugurimi i Trumpit, i cili gjatë fushatës zgjedhore kishte thënë se do t’i jepte fund luftës brenda “24 orëve” pasi të merrte detyrën e presidentit.

    Pas deklaratave të Putinit, Kievi reagoi të premten dhe tha se nuk duhet të përjashtohet nga bisedimet.

    “Ai [Putini] dëshiron të negociojë për fatin e Evropës, pa Evropën. Ai dëshiron bisedime për Ukrainën, pa Ukrainën”, tha, Andriy Yermak, shefi i zyrës së presidentit të Ukrainës.

    “Kjo nuk do të ndodhë. Putin duhet t’i kthehet realitetit apo do të bëjë kthim prapa. Kjo nuk ndodh në botën moderne”, tha ai./REL

  • A duhet të brengoset Putini nga kërcënimet e Trumpit me sanksione të reja?

    Shumë kohë para se ta merrte detyrën këtë javë dhe para Zgjedhjeve të Nëntorit, presidenti Donald Trump është zotuar se do ta lehtësojë një Marrëveshje, për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, megjithëse ka dhënë shumë pak hollësi se si do ta arrinte një gjë të tillë.

    Më 22 janar, dy ditë pasi e nisi mandatin e dytë, Trumpi tregoi një veprim që do ta ndërmerrte për ta bërë Rusinë të ulet në tavolinën e bisedimeve, që është hap fillestar por vendimtar dhe sfidues drejt një Marrëveshjeje. Ai tha se do të vendosë sanksione shtesë ndaj Moskës – nëse ajo nuk bindet.

    “Nëse nuk bëjmë ‘Marrëveshje’ së shpejti nuk do të kem zgjidhje tjetër, përpos të vendos taksa, tarifa dhe sanksione të nivelit të lartë ndaj çdo gjëje që shitet nga Rusia në Shtetet e Bashkuara dhe ndaj vendeve të ndryshme pjesëmarrëse.” – shkroi Trump në rrjetin e tij social, Truth Social.

    Në të kaluarën, Trumpi e kishte lavdëruar Putinin, e kishte kritikuar SHBA-në për mbështetjen e Ukrainës dhe kishte ngulur këmbë për përfundimin e shpejtë të luftës – duke ngritur shqetësime në mesin e përkrahësve të Ukrainës se ai mund t’i flijojë interesat e Kievit, në emër të një Marrëveshjeje, e cila në fund do ta fuqizonte Rusinë.

    Por, Trumpi ka folur ashpër këtë javë. Postimi i 22 janarit ishte më i fundit në një varg komentesh, përmes së cilave ai tha se lufta po e rrënon Rusinë dhe se Putini duhet të kërkojë paqe – para se të bëhet tepër vonë. Ekonomia e Rusisë “po dështon” – shkroi Presidenti amerikan.

    “A e kemi armikun në prag të shtëpisë?”

    Toni dhe përmbajtja e komenteve të Trumpit janë mirëpritur nga Kievi, por edhe nga Perëndimi, i cili kërkon trysni ndaj Rusisë. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha tha se deklaratat e Trumpit dërguan “sinjal të fuqishëm”.

    Ndërkohë, Moska nuk humbi kohë për të për t’u përgjigjur – duke thënë se kërcënimi me sanksione të reja nuk do të kryejë punë. Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov tha më 23 janar se Kremlini nuk sheh “asgjë veçanërisht të re këtu”.

    Moderatori pro-Kremlinit, Vladimir Solovyov reagoi ngjashëm, por përdori gjuhë më të ashpër – një përpjekje e zhurmshme për t’u thënë rusëve se nuk duhet të shqetësohen.

    “Çfarë? A është e mundur të flitet me Rusinë në atë mënyrë?” – tha ai në një koment të postuar në Telegram.

    “A po e humbim luftën? A na ka ardhur armiku te pragu i derës?” – pyeti ai.

    Këto deklarata e pasqyrojnë vetëbesimin e jashtëm të Putinit, se lufta po shkon mirë për Rusinë, me të gjitha humbjet e mëdha që Rusia i ka pësuar, derisa është duke bërë përparime graduale në fushën e betejës dhe se ekonomia po i përballon sfidat – pavarësisht inflacionit të lartë dhe problemeve të tjera.

    Megjithatë, nën atë pamje të jashtme mund të fshihen shqetësime në të dyja drejtimet dhe disa ekspertë thanë se kërcënimi i ri i Trumpit për sanksione do t’i rrisë shqetësimet e tyre.

    “Mendoj se kjo me të vërtetë e ka tronditur Kremlinin.” – tha për Radio Evropa e Lirë, Nigel Gould-Davies, hulumtues për Rusinë dhe Euroazinë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër.

    Gould-Davies tha se Trumpi “në momentin e parë të mundshëm, po tregon se e ka seriozisht këtë” – duke shtuar se Ukraina dhe mbështetësit e saj janë shqetësuar se “mënyra kryesore e tij për t’i dhënë fund luftës do të ishte trysnia ndaj Ukrainës dhe kufizimi i mbështetjes”.

    Të paktën në këto deklarata – sipas Gould-Davies – Trumpi “po tregon se problemi i përfundimit të luftës duhet të zgjidhet sipas kushteve që e detyrojnë Putinin të bëjë lëshime, në vend se ta detyrojnë Ukrainën… Nuk ka qenë aspak e qartë se ai do ta bënte këtë”.

    Më 23 janar Agjencia e lajmeve Reuters citoi “pesë burime”, të cilat thanë se Putini “po shqetësohet gjithnjë e më shumë për deformimet në ekonominë e kohës së luftës në Rusi”. Po ashtu, Reuters citoi ish-zëvendëskryetarin e Bankës Qendrore të Rusisë, Oleg Vyugin, i cili tha: “Rusia, natyrisht, është e interesuar ekonomikisht për të negociuar një fund diplomatik të konfliktit”.

    Problemet ekonomike në rritje “kanë kontribuar në krijimin e një pikëpamjeje brenda një pjese të elitës ruse, se një zgjidhje e negociuar për luftën është e dëshirueshme.” – citoi Reuters dy nga burimet që folën në kushte anonimiteti.

    Kërcënimet e Trumpit “e vendosin Putinin në një situatë të vështirë” – shkroi në platformën X, ish-ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landisbergis.

    “Tani, Putini duhet të zgjedhë, ta pranojë se ai ka frikë nga sanksionet e reja, sepse ekonomia e tij është në kolaps, ose të dëshmojë se ambiciet e tij imperialiste nuk do të kufizohen nga këto kërkesa.” – shtoi ai.

    Disa analistë janë shumë më skeptikë, duke thënë se problemet ekonomike nuk do ta shtyjnë Putinin të heqë dorë nga qëllimi i nënshtrimit të Ukrainës, edhe nëse një armëpushim ose Marrëveshje paqeje do të bënte që Rusia ta ketë nën kontroll jozyrtarisht afërsisht 20% të territorit të Ukrainës që e ka pushtuar.

    “Ne duhet të shmangim mbivlerësimin e ndikimit të këtyre shqetësimeve ekonomike në planet e Putinit për Ukrainën.” – tha në X Tatyana Stanovaya, hulumtuese në Qendrën Carnegie. “Sipas mendimit tim, pavarësisht nga situata ekonomike, Putini do të vazhdojë të kërkojë përfundimin e luftës sipas kushteve të Rusisë. Për të, ky është konflikt ekzistencial. Ai është thellësisht i bindur se, pa një ‘Ukrainë miqësore’, mbijetesa afatgjatë e Rusisë është në rrezik”.

    Sanksionet dytësore dhe “flota e errët”

    Disa ekspertë të tjerë argumentojnë se sanksionet e rënda ndaj ekonomisë ruse ka mundësi t’i ndryshojnë përllogaritjet e Putinit.

    Megjithatë, skeptikët përmendin faktin se rundet e njëpasnjëshme të sanksioneve që Perëndimi i ka vendosur, që kur Putini e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, nuk e kanë dobësuar atë. Një tjetër pyetje është ajo se çfarë masash të mundshme ndëshkuese kanë mbetur, pasi Administrata Biden vendosi pak ditë para inaugurimit të Trumpit sanksionet, që zyrtarët amerikanë i cilësuan si më të rëndat deri më tani.

    Sanksione të mundshme substanciale ka ende – sipas Gould-Davies.

    “Shtetet e Bashkuara e kanë këtë armë unike dhe të frikshme të sanksioneve dytësore.” – tha ai, duke iu referuar masave të vendosura jo ndaj vetë Rusisë, por për t’i penguar shtetet dhe entitetet e tjera që të kryejnë transaksione, që mund ta ndihmojnë Moskën në këtë luftë.

    Uashingtoni dhe Perëndimi mund t’i shtojnë gjithashtu sanksionet ndaj “flotës së errët” të Rusisë, anijeve shpesh të vjetra dhe të pasigurta, të cilat përdoren për t’i anashkaluar sanksionet dhe për ta vazhduar rrjedhën e të hyrave nga nafta.

    Rachel Ziemba, eksperte për sanksione në Qendrën për Sigurinë e Re Amerikane, tha se zbatimi me forcë i dënimeve ekzistuese ekonomike dhe vendosja e sanksioneve dytësore do të ishin hapat më të rëndësishëm që Administrata Trump mund t’i ndërmarrë.

    Rusia ka arritur ta zbusë ndikimin e sanksioneve të shumta të SHBA-së dhe ndalimeve të teknologjisë me ndihmën e ndërmjetësve në shtete të treta, si: Kina, Kazakistani, Uzbekistani dhe Kirgizia.

    Ziemba tha se këto shtete do të prekeshin nga sanksionet dytësore.

    Kina ka luajtur një rol veçanërisht të rëndësishëm në mbështetje të Rusisë, përmes lehtësimit të dërgesave të teknologjisë me përdorim të dyfishtë dhe blerjes së naftës.

    “Pyetja është, a do të ishte Administrata Trump më e gatshme se Administrata Biden për të sanksionuar bankat kineze, që mbështesin zinxhirët ushtarakë të Rusisë ose blejnë naftën ruse.” – tha ajo./REL

  • Trump i kërkon OPEC-ut të rrisë prodhimin e naftës për t’i bërë presion Putinit

    Presidenti amerikan, Donald Trump nuk ka arritur që ta bindë liderin e Kremlinit, Vladimir Putin, për bisedime që t’i japë  fund luftës në Ukrainë. Prandaj, ai po kërkon ndihmë për këtë çështje nga Arabia Saudite.

    Gjatë fjalimit më 23 janar në Forumin Botëror Ekonomik në Davos të Zvicrës, Trump u bëri thirrje Arabisë Saudite dhe aleatëve të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, OPEC, që të rrisin prodhimin e naftës – një lëvizje që do të ulte çmimet e naftës së papërpunuar – duke ngufatur burimet e të ardhurave që Moska përdor për luftën kundër Ukrainës.

    “Unë do t’iu kërkojë po ashtu Arabisë Saudite dhe OPEC-ut që t’i ulin kostot e naftës. Do t’i ulim çmimet, që në fakt jam i befasuar që nuk i kanë ulur para Zgjedhjeve. Isha i befasuar nga ky fakt. Nëse çmimet ulen, lufta mes Rusisë dhe Ukrainës do të merrte fund menjëherë.” – tha Trump.

    Gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, Trump e bëri prioritet përfundimin e pushtimit trevjeçar rus të Ukrainës dhe ka deklaruar se do që të takohet me presidentin Putin.

    Megjithatë, Kremlini duket se po heziton që të përfshihet në bisedime, teksa analistët thonë se Putini beson se po fiton luftën dhe prandaj nuk sheh arsye që të ndalë luftimet.

    Së fundi, Rusia është duke marrë territor në lindje të Ukrainës me ritmin më të shpejtë që nga nisja e luftës, teksa Ukraina po përballet me sfida të rekrutimit të ushtarëve të rinj.

    Një ditë pas inaugurimit më 20 janar, Trump tha se do të vendosë më shumë sanksione ndaj Rusisë, që ta detyrojë që të ulet në tavolinën e bisedimeve. Por, ai nuk tregoi se çfarë do të shënjestronin sanksionet e reja eventuale.

    Një ditë më vonë ai përsëriti këtë paralajmërim. Por, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha më 23 janar – para se Trump të fliste në Davos – se Moska “nuk sheh asnjë element të ri”, në atë që Trump ka deklaruar.

    Gjatë mandatit të paraardhësit të Trumpit, Joe Biden, SHBA-ja vendosi një sërë sanksionesh ndaj ekonomisë ruse – përfshirë edhe ndaj industrisë së naftës.

    Ekonomia ruse varet shumë nga eksportet e naftës, që përbëjnë mbi 30% të të ardhurave të buxhetit federal. Një rënie, qoftë e eksporteve të naftës ruse apo e çmimeve të naftës, do të shtrëngonte edhe më shumë ekonominë ruse, që veçse po përballet me vështirësi.

    Megjithatë, sanksione të reja ndaj industrisë së naftës ruse mund të çojë në rritje të çmimeve globale të naftës – nëse shtetet e tjera nuk rrisin prodhimin.

     

    Arabia Saudite dhe disa nga aleatët e saj në OPEC janë të aftë të rrisin prodhimin për një periudhë të shkurtër kohore. Arabia Saudite prodhon aktualisht 3 milionë fuçi nafte në ditë, ndërkaq Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 1 milion fuçi.

    Prodhimi në sasi të tilla është rezultat i Marrëveshjes mes shteteve të OPEC-ut, që të prodhojnë aq sa çmimet e naftës të mbesin të larta.

    Rusia, anëtare e OPEC+, eksporton rreth 6.6 milionë fuçi nafte dhe produkt të naftës në ditë.

    Para fjalimit virtual në Davos, Trump bisedoi me Princin e Kurorës të Arabisë Saudite, në bisedën e parë telefonike të realizuar me një udhëheqës të huaj, që kur mori mandatin në fillim të javës.

    Të dy diskutuan për stabilitetin në Lindjen e Mesme, luftën kundër terrorizmit, rritjen e tregtisë – tha Shtëpia e Bardhë.

    Chris Weafer, ekspert për industrinë e naftës dhe themelues i firmës këshilluese, Macro-Advisory tha se nuk mendon që Trumpi mund të bindë sauditët dhe anëtarët e tjerë të OPEC-ut që të rrisin prodhimin, me qëllim që t’i bëhet presion Kremlinit për Ukrainën.

    “Ka pak gjasa që Arabia Saudite, Emiratet apo ndonjë prodhues tjetër i OPEC-ut që të përfshihen në një lëvizje të tillë politike kundër anëtares së OPEC+, Rusisë, apo të ndërmarrin ndonjë veprim që do të bënte që ata të humbin të ardhura nga eksportet dhe t’i japin hise më të madhe në treg prodhuesve të SHBA-së.” – tha Weafer për Radio Evropa e Lirë.

    David Oxley, ekonomist për klimën dhe mallrat në Capital Economics, tha se përderisa Arabia Saudite është “larguar” nga SHBA-ja viteve të fundit, Trump ka lidhje të forta me udhëheqjen e vendit.

    “Ka pasur shenja së fundi të ngrohjeve të raporteve dhe Trump njihet si person që ka raporte të mira me Princin e Kurorës dhe me Fondin Publik të Investimeve të Arabisë Saudite.” – tha Oyley, më 23 janar.

    Ai shtoi se Arabia Saudite ka shprehur gjithashtu zhgënjimin me anëtarët e tjerë të OPEC-ut, për prodhimin e një sasie më të madhe të naftës sesa kuota e tyre dhe mund të “hapë portat” për të rimarrë pjesën e tregut global.

    “Kjo ftesë eksplicite nga Trumpi mund të jetë mbulesa që i duhet Arabisë, për të hapur portat.” – tha ai./REL