Etiketë: Izrael

  • Blinken paraqet planin për qeverisjen e Gazës pas përfundimit të luftës

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më 14 janar paraqiti planin për menaxhimin e Gazës në periudhën e pasluftës, duke thënë se administrata në largim e Joe Biden, do t’ia dorëzojë këtë plan ekipit të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, nëse arrihet marrëveshje për armëpushim.

    Duke folur në Këshillin e Atlantikut në Uashington, në ditët e fundit të mandatit si kryediplomat i SHBA-së, Blinken tha se Uashingtoni ka parashikuar një Autoritet Palestinez të reformuar, që do të udhëhiqte me Gazën, dhe ftoi partnerët ndërkombëtarë që të ndihmojnë në krijimin e një administrate të përkohshme për enklavën palestineze.

    Sipas planit amerikan, një forcë e sigurisë do të formohej nga forcat e shteteve partnere dhe personeli palestinez që do të kalonte nëpër procese të verifikimit, tha Blinken gjatë fjalimit.

    Fjalimi i tij u ndërpre vazhdimisht nga protestues që e akuzuan atë se po mbështet, siç thanë ata, gjenocidin e Izraelit kundër palestinezëve në Gazë, Izraeli vazhdimisht ka mohuar akuzat për gjenocid.

    Fjalimi i Blinkenit erdhi pasi negociatorët u takuan në Katar me shpresën që të finalizojnë një plan për t’i dhënë fund luftës 15-mujore në Gazë, midis Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që ka zhytur në krizë rajonin e Lindjes së Mesme.

    “Për muaj të tërë, ne kemi punuar në mënyrë intensive me partnerët tanë për të krijuar një plan të detajuar për periudhën e pasluftës që do të mundësojë që Izraeli të tërhiqet plotësisht nga Gaza, të parandalohet që Hamasi të marrë pushtetin dhe t’i japë qeverisje Gazës, siguri dhe rindërtim”, tha Blinken.

    Trump dhe ekipi i tij nuk kanë thënë nëse do ta zbatojnë këtë plan.

    Sipas Blinkenit, ky plan dhe “një horizont kredibil politik për palestinezët” kërkohet që Hamasi të mos rishfaqet në Gazë.

    SHBA-ja në të kaluarën e ka paralajmëruar Izraelin se Hamasi nuk mund të mposhtet vetëm me fushatë ushtarake, tha Blinken.

    “Ne vlerësojmë se Hamasi ka rekrutuar po aq militantë të rinj sa ka humbur”, tha ai.

    Lufta në Gazë nisi në tetor të vitit 2023, pasi Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

    Ndërkaq, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 46.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në këtë enklavë./ REL

  • Biden bisedon me Netanjahun, lidhur me Gazën

    Presidenti amerikan, Joe Biden bisedoi të dielën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, tha një burim në dijeni të kësaj çështje, ndërsa zyrtarët amerikanë po përshpejtojnë përpjekjet për të arritur një marrëveshje për lirimin e 98 pengjeve, si dhe për armëpushim në Gazë, përpara se zoti Biden të largohet nga detyra, më 20 janar.

    Në një deklaratë të Zyrës së Kryeministrit izraelit thuhej se zoti Netanyahu e informoi zotin Biden mbi progresin në bisedime, si dhe mandatin që i ka dhënë një delegacioni të nivelit të lartë që ndodhet në Doha të Katarit – me qëllim për të avancuar në arritjen e marrëveshjes.

    Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Biden, Jake Sullivan tha për rrjetin televiziv CNN më herët të dielën se palët ishin “shumë, shumë pranë” arritjes së një marrëveshjeje.

    Ai tha se zoti Biden po informohej në mënyrë të vazhduar mbi bisedimet në Doha, ku sipas zyrtarëve izraelitë dhe palestinezë, që nga e enjtja se është bërë njëfarë përparimi në bisedimet indirekte mes Izraelit dhe grupit militant Hamas.

    “Ne jemi ende të vendosur të përdorim çdo ditë që kemi në detyrë për arritjen e një marrëveshjeje dhe nuk do ta lëmë mënjanë këtë çështje në asnjë mënyrë.” – tha zoti Sullivan.

    Ai shtoi se ka ende një shans për të arritur një marrëveshje, përpara se zoti Biden të largohet nga detyra, por sipas tij ekzistonte gjithashtu mundësia që “Hamasi, në veçanti, të mos pajtohej me kushtet e marrëveshjes”.

    Izraeli filloi sulmin e tij në Gazë, pasi luftëtarët e Hamasit sulmuan shtetin hebre në tetor të vitit 2023 – duke vrarë 1200 persona dhe marrë më shumë se 250 të tjerë.

    Që atëherë, më shumë se 46,000 njerëz janë vrarë në Gazë – sipas zyrtarëve palestinezë të Shëndetësisë, që kontrollohet nga Hamasi.

    Nënpresidenti i zgjedhur JD Vance tha për rrjetin televiziv “Fox News” se ai pret që një marrëveshje për lirimin e pengjeve amerikane që ndodhen në Lindjen e Mesme, të shpallet në ditët e fundit të administratës Biden, deri 2 ditë përpara.

    Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka mbështetur fuqishëm objektivin e zoti Netanjahu për të shkatërruar Hamasin. Ai ka premtuar se do të sjellë paqe në Lindjen e Mesme, por nuk ka dhënë detaje se si do ta arrinte këtë qëllim./VOA

  • Dhoma e Përfaqësuesve voton pro sanksioneve ndaj GJNP-së për shkak të Izraelit

    Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA e ka kaluar të enjten një projektligj për vendosjen e sanksioneve ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), në shenjë proteste ndaj fletarrestimeve që ajo ka lëshuar kundër kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ish-ministrit izraelit të Mbrojtjes, në lidhje me luftën e Izraelit në Rripin e Gazës.

    Projektligji, i cili kaloi me 243 vota për dhe 140 kundër, mundëson sanksionimin e çdo të huaji që heton, arreston, ndalon ose ndjek penalisht qytetarë amerikanë ose qytetarë të një vendi aleat, përfshirë Izraelin, të cilët nuk janë anëtarë të gjykatës.

    Dyzet e pesë demokratë iu bashkuan 198 republikanëve për ta mbështetur projektligjin. Asnjë republikan nuk votoi kundër tij.

    “Amerika po miraton këtë ligj sepse një gjykatë e rreme po kërkon të arrestojë kryeministrin e aleatit tonë të madh, Izraelit”, tha përfaqësuesi Brian Mast, kryetar republikan i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, gjatë një fjalimi në Dhomë para votimit.

    Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili është ndër të parët prej se përbërja e re e Kongresit e nisi punën javën e kaluar, theksoi mbështetjen e fortë të republikanëve, aleatët e presidentit të zgjedhur Donald Trump, për Qeverinë e Izraelit, tani që ata kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit.

    Trump pritet të bëjë betimin më 20 janar për një mandat të dytë si president.

    Kryetari i sapoemëruar i shumicës republikane në Senat, John Thune, është zotuar se Senati do ta shqyrtojë shpejt këtë projektligj, në mënyrë që Trumpi ta nënshkruajë atë si ligj menjëherë pas marrjes së detyrës.

    Gjykata Ndërkombëtare Penale është gjykatë e përhershme e cila mund të ndjekë penalisht individë për krime lufte, krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe krimin e agresionit në shtetet anëtare ose nga shtetasit e tyre.

    Gjykata ka deklaruar se vendimi i saj për të lëshuar fletarrestime kundër zyrtarëve izraelitë ishte në përputhje me qasjen e saj në të gjitha rastet, bazuar në një vlerësim nga prokurori që kishte prova të mjaftueshme për të bërë këtë dhe bazuar në mendimin se kërkimi i fletarrestimeve menjëherë mund t’i parandalojë krimet e vazhdueshme.

    Republikanët në Kongres e kanë denoncuar GJNP-në që kur ajo lëshoi fletarrestimet për Netanyahun dhe ish-shefin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar ata për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit 15-mujor në Gazë.

    Izraeli i ka mohuar akuzat.

    Dhoma e drejtuar nga republikanët e miratoi projektligjin për të kërkuar sanksione ndaj GJNP-së në qershor, por ai nuk u shqyrtua kurrë në Senat, i cili në atë kohë ishte nën kontrollin e shumicës demokrate./REL