Etiketë: Joe Biden

  • Clinton, Soros dhe Bono në mesin e të nderuarve me Medalje të Lirisë

    Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, miliarderi, George Soros, pjesëtari i grupit U2, Bono, aktorët, Denzel Ëashington dhe Michael J Fox, futbollisti, Lionel Messi, dhe redaktorja e revistës Vogue, Anna Ëintour, janë disa prej figurave që janë nderuar me medaljen më të lartë civile amerikane nga presidenti në shkuarje i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

    Përmes një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë, ata e kanë pranuar Medaljen Presidenciale të Lirisë.

    Këtë vit janë nderuar 19 persona nga bota e kulturës, politikës dhe aktivizmit.

    Shtëpia e Bardhë kanë thënë se personalitetet janë zgjedhur për “punën e mirë që kanë bërë dhe kontributin e jashtëzakonshëm për botën”.

    “Së bashku keni lënë gjurmë të pashlyeshme, e them këtë me sinqeritet, keni lënë gjurmë të pashlyeshme në shtetin tonë”, ka thënë Biden.

    Hillary Clinton ka qenë edhe kandidate e demokratëve në garën presidenciale më 2016.

    Bono, emri i vërtetë i të cilit është Paul David Heëson, është nderuar me çmimin më të lartë kulturor edhe në Francë, Ai njihet për fushën që bën kundër varfërisë dhe mbështetjen e ofruar për të infektuarit me virusin HIV.

    Shtëpia e Bardhë ka thënë se filantropi miliarder, dhe donatori i madh i demokratëve, George Soros, “ka mbështetur organizata dhe projekte nëpër botë që kanë forcuar demokracinë, të drejtat e njeriut, edukimin dhe drejtësinë sociale”.

    Nderimi me këtë medalje është traditë e krijuar prej ish-presidentit John F Kennedy.

    Çmimi jepet me diskrecion të presidentit, por edhe me këshillën që i japin panelet e jashtme.

    Në të kaluarën me këtë medalje janë nderuar sportistja Simone Biles, aktorja e shpërblyer me çmim Oscar, Michelle Yeoh dhe themeluesi i kompanisë Apple, Steve Jobs/RadioEvropaeLirë/.

  • Hillary Clinton, George Soros dhe Denzel Washington ndër të dekoruarit me medaljen më të lartë civile

    Ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, filantropi demokrat George Soros, si dhe aktori dhe regjizori Denzel Washington marrin medaljen më të lartë civile në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë.

    Presidenti Joe Biden do t’u japë Medaljen Presidenciale të Lirisë 19 personaliteteve të politikës, sporteve, industrisë së argëtimit, grupeve të të drejtave civile, aktivistëve për të drejtat e komunitetit LGBTQ+ dhe të shkencave.

    Shtëpia e Bardhë tha se të dekoruarit kanë dhënë “kontribut shembullor për begatinë, vlerat dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara, paqen ndërkombëtare dhe përpjekje të tjera domethënëse shoqërore, publike dhe private”.

    Katër personalitete do të nderohen pas vdekjes: Fannie Lou Hamer, e cila themeloi Partinë Demokrate në Mississippi dhe përgatiti terrenin për Ligjin e të Drejtës së Votës së vitit 1965; ish-prokurori i përgjithshëm dhe senatori Robert F. Kennedy; George W. Romney, i cili shërbeu si guvernator i Miçiganit dhe sekretar për strehimin dhe zhvillimin urban; si dhe Ash Carter, ish-sekretar i mbrojtjes.

    Kennedy ishte babai i Robert F. Kennedy Jr., tashmë i emëruar nga presidenti i zgjedhur Donald Trump në postin e sekretarit të shëndetësisë dhe shërbimeve njerëzore. Romney është babai i ish-senatori republikan të shtetit Utah, Mitt Romney, i cili është një ndër konservatorët më kritikë ndaj presidentit të zgjedhur Trump.

    Ndër filantropët që po nderohen me medalje janë: shefi spanjollo-amerikan i kuzhinës, Jose Andres, organizata e të cilit “World Central Kitchen” është bërë ndër organizatat më të njohura të ndihmave në botë; si dhe Bono, ish-anëtari i grupit të muzikës rock U2 dhe aktivist për drejtësinë sociale.

    Ndër yjet e sportit dhe industrisë së argëtimit që vlerësohen me medalje janë: lojtari i futbollit Lionel Messi; ish-lojtari legjendar i ekipit të basketbollit “Los Angeles Lakers”, Earvin “Magic” Johnson; aktori Michael J. Fox, që shërben si aktivist për punën kërkimore për sëmundjen Parkinson; si dhe William Sanford Nye, i njohur nga disa breza studentësh si “njeriu i shkencës Bill Nye”.

    Ndër personalitetet e tjera janë: aktivistja për mbrojtjen e mjedisit Jane Goodall; kryeredaktorja e hershme e revistës “Vogue Magazine”, Anna Wintour; stilisti amerikan i modës Ralph Lauren; themeluesi i Institutit Amerikan të Filmit, George Stevens Jr.; sipërmarrësi dhe aktivisti për të drejtat e komunitetit LGBTQ+, Tim Gill; si dhe David Rubenstein, bashkëthemelues i firmës globale të investimeve “The Carlyle Group”.

    Një vit më parë, Presidenti Biden dha Medaljen Presidenciale të Lirisë për 19 persona: për aktivistin për të drejtat civile Medgar Evers (pas vdekjes); për ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi; ligjvënësin James Clyburn, nga Karolina e Jugut dhe aktoren Michelle Yeoh./VoA

  • Sulmi i frymëzuar nga Shteti Islamik në New Orleans rikthen frikën nga grupi terrorist

    Të dhënat paraprake të hetimit nga sulmi i përgjakshëm i ditës së parë të vitit të ri në New Orleans tregojnë për një skenar të cilit institucionet e rendit dhe ligjit dhe zyrtarët e sigurisë i druheshin prej kohësh – një komploti që së paku ishte frymëzuar nga grupi terrorist ‘Shteti Islamik’.

    Byroja Federale e Hetimeve, FBI, të mërkurën (01.01.2025) konfirmoi njoftimet se i dyshuari kishte vendosur flamurin e ISIS-it në kamionin me të cilën goditi turmën në New Orleans në orët e hershme të së mërkurës para se të vritej në një shkëmbim zjarri me policinë.

    Presidenti Joe Biden tha të mërkurën (01.02.2025) se FBI-ja zbuloi se i dyshuari mori veprime të tjera “pak orë para sulmit” për ta shprehur publikisht besnikërinë e tij.

    I dyshuari Shamsud-Din Jabbar, një shtetas 42-vjeçar amerikan dhe ish-rezervist i Ushtrisë amerikane, “postoi video-regjistrime në rrjetet sociale duke treguar se është frymëzuar nga ISIS-i” – tha presidenti Biden.

    Pavarësisht se çfarë pasqyre do të dalë në fund të hetimeve, detajet e sulmit të Nju Orlins përputhen me taktikat e ISIS-it.

    “Ajo që pamë përputhet me modelin që e kemi parë prej kohësh nga Shteti Islamik”, thotë analisti Aaron Zelin nga Instituti i Washingtonit për Politikën e Lindjes së Afërt, me ekspertizë për lëvizjet xhihadiste. “Ka vite që ata bëjnë thirrje për goditjen e turmave me makina”.

    “Çdo ditë ata u bëjnë thirrje përkrahësve, të rekrutuarve të mundshëm, të gjithëve, që të ndërmarrin një veprim në emrin e tyre” – i tha analisti Zelin Zërit të Amerikës.

    Njëri nga sulmet e para të lidhura me ISIS-in ku u përdor makina si armë ndodhi në Nice të Francës, në vitin 2016. Një shtetas 31-vjeçar francez, me origjinë nga Tunizia, i divorcuar dhe që vuante nga depresioni goditi turmën që po festonte Ditën e Bastijës, duke shkaktuar vdekjen e 80 personave.

    Disa muaj më vonë, një 24-vjeçar nga Tunizi goditi turmën me kamion në një treg Krishtlindjeje në Berlin, duke shkaktuar 13 viktima. Ai gjithashtu kishte postuar një video-regjistrim përmes të cilit shprehu besnikërinë ndaj ISIS-it para se të kryente sulmin.

    Në nëntor të vitit 2017 ISIS-i gjithashtu mori përgjegjësinë për një sulm me makinë në New Jork që shkaktoi vdekjen e të paktën tetë personave. Autoritetet thanë se autori i sulmit zbatoi “me përpikëri” udhëzimet e ISIS-it për sulme me makina.

    Edhe pse grupi terrorist ISIS u tkurr për shkak të trysnisë së masave kundër terrorizmit në vendet si Siria dhe Afganistani, udhëheqësit e saj nuk i braktisën kurrë përpjekjet për të frymëzuar sulme të tjera nëpër botë.

    “Në Afganistan… dega e ISIS-it, ISIS-Khorasan, vazhdon të ketë si synim kryerjen e operacioneve jashtë vendit dhe vazhdon të publikojë materiale publicitare në gjuhën angleze me qëllim që t’u bëjë jehonë globale kërkesave të saj lokale tek audiencat perëndimore” – kishte shkruar Sekretari për Sigurinë Kombëtare, Alejandro Mayorkas në dëshminë e tij para Kongresit në tetor të vitit 2023.

    Edhe në vlerësimin më të ri të kërcënimit, të publikuar në shtator, Departamenti për Sigurinë Kombëtare paralajmëroi se ISIS-i, krahas grupeve të tjera siç është al-Qaida, “vazhdojnë të kenë për synim qëllimin që të ndërmarrin apo të frymëzojnë sulme në atdhe”, duke ngritur nivelin e kërcënimin në “nivel të lartë”.

    Vlerësimi i shtatorit po ashtu paralajmëroi se grupet mediatike në internet të ISIS-it po përpiqen të shfrytëzojnë konfliktin ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Lindjen e Mesme “për të frymëzuar më shumë veprime të dhunshme”.

    Drejtori i FBI-së, Christopher Wray vazhdimisht paralajmëroi se rastet e terrorizmit të brendshëm, që hetohet nga Byroja, vazhdojnë të jenë të larta, me rreth 1 mijë hetime që lidhen me ISIS-in çdo vit, në 50 shtete amerikane.

    Sipas të dhënave të mbledhura nga Seamus Hughes, hulumtues i lartë pranë Qendrës Kombëtare për inovacion, teknologji dhe edukimin në fushën e kundër-terrorizmit, NCITE, mbi 250 individë akuzohen për aktivitete që lidhen me ISIS-in që nga viti 2014.

    Shumica e rasteve, sipas ekspertit Hughes, përfunduan me pranimin e fajësisë nga të pandehurit apo shpalljen e tyre fajtorë; prokurorët e Departamentit të Drejtësisë e kanë humbur vetëm një rast në proces gjyqësor.

    Ndërkohë, FBI-ja ka arritur që të frenojë disa komplote terroriste të frymëzuara apo të lidhura me ISIS-in.

    Për shembull, në muajin tetor, agjentët arrestuan një shtetas 27-vjeçar afgan në Oklahoma City, duke e akuzuar atë dhe një bashkëpunëtor të tij të mitur se po planifikonin një vrasje në masë në Ditën e Zgjedhjeve.

    ISIS-i ende nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në New Orleans, por analisti Zelin thotë se sulmi tashmë po përshëndetet me entuziazëm nga përkrahësit e ISIS-it në rrjetet sociale.

    Disa zyrtarë të kundër-terrorizmit shprehën shqetësimin e tyre se ISIS-i do të përfitojë nga ky entuziazëm.

    “Nga pikëpamja e tyre, është më pak e rëndësishme që në një sulm të vriten një numër i madh njerëzish se sa që sulmi thjesht të sigurojë vëmendje të shumtë mediatike” – i tha në nëntor publikut në Washington drejtori në detyrë i Qendrës Kombëtare amerikane Kundër Terrorizmit, Brett Holmgren.

    Megjithatë, disa zyrtarë të kundër-terrorizmit dhe ekspertë shprehën shqetësimin se sulmet mund të bëhen edhe më të përgjakshme.

    Qendra Kombëtare Kundër Terrorizmit paralajmëroi se ISIS-i po përfiton nga kontribute më të mëdha financiare dhe se ka themeluar një njësi për planifikim të veprimtarisë jashtë vendit në Siri, që për qëllim ka sulmet kundër Shteteve të Bashkuara.

    “Gjatë tërë vitit të kaluar ka patur një rritje të numrit të komploteve dhe sulmeve të ISIS-it”, i tha analisti Zelin Zërit të Amerikës. “Vitin e kaluar ishim dëshmitarë të pesë komploteve për sulme në Shtetete Bashkuara, ndërkohë që në vitin 2023 nuk kishte asnjë”.

    Ky aktivitet i ISIS-it mund të mos jetë i kufizuar vetëm në Amerikë. Disa analistë marrin shembull sulmet e përgjakshme të ISIS-it vitin e kaluar në Kerman, në Iran dhe në Moskë.

    “Përputhet me një prirje më të gjerë që po e shohim në Shtetet e Bashkuara por edhe në pjesët e tjera të botës. Kemi parë më shumë komplote dhe sulme në Evropë, Rusi, Turqi, Irani dhe në Azinë Qendrore” – thotë analisti Zelin./VoA