Etiketë: kosova

  • Ushtarët amerikanë kryejnë patrullime rutinore në Veri të Kosovës

    Ushtarët amerikanë të KFOR-it kanë kryer patrullime në Veri të Kosovës, përgjatë vijës kufitare. 

    Kështu ka bërë të ditur KFOR-i përmes një njoftimi, në të cilin thuhet se këto përpjekje janë pjesë e misionit të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. 

    Në njoftim thuhet se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë e lirinë e lëvizjes në çdo kohë.
    “KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet përkatëse si reagues të sigurisë.” – përfundon njoftimi i KFOR-it.

  • William Walker me pikëpyetje se çka e pret Kosovën pas fitores së Trumpit

    William Walker, ish-ambasadori i Misionit të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, nuk e di ende se çka do ta presë Kosovën gjatë mandatit të presidentit amerikan, Donald Trump.

    Walker tha se shumë njerëz kanë qeverisur në Amerikë në 25 vjetët e fundit, por shumë pak prej tyre i kanë kushtuar vëmendje Kosovës.

    “Çfarë do të thotë për marrëdhëniet me Kosovën, nuk e di. Jam i brengosur, thellësisht i brengosur. Njerëz kanë ardhur gjatë 25 vjetëve në Departamentin e Shtetit. Njerëz të mirë, me qëllime të mira. Por, shumë pak prej tyre i kanë kushtuar vëmendje Kosovës. Diçka për të cilën duhet të krenohemi, për sa i përket mënyrës se si ishim të përfshirë 25 vjet më parë.” – tha Walker në një intervistë për KALLXO.com, gjatë vizitës së tij në “Reporting House”.

    Walker shprehu një shqetësim që kosovarët dhe diaspora e Kosovës mendojnë se çkado që të ndodhë në Kosovë, Amerika do t’i shpëtojë si gjatë luftës.

    “Një shqetësim që kam është se kosovarët këtu dhe kosovarët në diasporë mendojnë se nëse diçka nuk shkon, Amerika do të hyjë dhe do ta zgjidhë situatën si ne në vitet ’90-ta. Nuk do të ndodhë.” – tha ai.

    Më 20.01.2025, Trump dha betimin si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë pas fitores ndaj demokrates, Kamala Harris, e cila nuk ia doli të bëhej Presidentja e parë grua në Amerikë.

    Republikani Trump 78-vjeçar ka siguruar votat e 270 anëtarëve të Kolegjit Elektoral, aq sa ishin të nevojshme për t’u bërë President. Trumpi e ka shpallur fitoren dhe ka paralajmëruar lidership të fuqishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Ndërkaq, Walker njihet për kontributin e tij në Kosovë.

    Tmerrin që pa me sytë e tij në tokën e Reçakut, më 15.01.1999, Walker i ka vendosur në faqe libri, që dokumenton një nga masakrat më të përgjakshme nga lufta e fundit në Kosovë, të titulluar: “Reçak: Historia e një krimi lufte”.

    Ish-ambasadori, William Walker e kishte parë nga afër krimin e kryer mbi civilët shqiptarë dhe ka pasur rol kyç për dokumentimin e Masakrës së Reçakut.

     

  • Richard Grenell reagon ndaj deklaratave të Glauk Konjufcës rreth qasjes së presidentëve Biden dhe Obama ndaj Kosovës

    I dërguari për misione speciale i presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, ka reaguar ndaj një deklarate të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, lidhur me qasjen ndaj Kosovës të Administratës së ish-presidentit Joe Biden dhe ish-presidentit Barack Obama.

    Një një intervistë në RTK, Konjufca ka thënë se qasja e ish-presidentëve amerikanë e ka vënë Kosovën në një pozicion të disfavorshëm karshi Serbisë.

    Sipas tij, këto veprime të dy ish-presidentëve amerikanë, kanë qenë shtysë edhe e themelimit të Gjykatës Speciale.

    “Dhe neve, me thënë të drejtën, gjatë kësaj kohe na kanë ndodhur disa çështje të cilat i ka shty Serbia, të cilat shumë e kanë dëmtu reputacionin dhe shtetësinë e Kosovës, për shembull Gjykata Speciale. Unë nuk mendoj që Gjykata Speciale do të ishte bërë nëse veç Bashkimi Europian kishte qenë në anën e Gjykatës Speciale. Këtë po e garantoj, nuk do të ishte bërë. Ishim bërë ne bashkë këtu, me PDK-në, me LDK-në, me Vetëvendosjen e me krejt edhe nuk do të kishte ndodhur”- ka deklaruar Konjufca.

    E ndaj kësaj deklarate të kryekuvendarit të Kosovës ka reaguar i dërguari i posaçëm i presidentit Trump për misione të veçanta, Richard Grenell.

    Në një postim në rrjetin social “X”, Grenell ka shkruar se ata kanë qeverisur katër vite dhe deri më tani nuk janë ankuar për një gjë të tillë ndaj Administratës së Biden dhe asaj Obama.

    “Ata kaluan 4 vitet e fundit duke komplimentuar Joe Bidenin dhe duke marrë pjesë në konventat dhe festat e tij. Pse nuk u ankuan kurrë më parë?”- ka shkruar Grenell sot, më 22.01.2025.