Etiketë: Prishtinë

  • Ajri i ndotur në Kosovë – IKSHKP me rekomandime

    Kosova, e veçanërisht Prishtina, është duke u përballur me nivele të larta të ndotjes së ajrit – ndotje kjo e cila po konsiderohet rrezik për shëndetin e qytetarëve, e sidomos për grupet e ndjeshme.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) duke dhënë disa informata mbi ndotjen e ajrit ka bërë të ditur se, ditët e ftohta dhe rëniet e temperaturave mund ta vështirësojnë më shumë situatën, si pasojë e ngrohjes me lëndë djegëse të dëmshme.

    Për zvogëlimin e rrezikut nga ajri i ndotur IKSHPK ka rekomanduar që të reduktohen daljet në qytet, me theks të veçantë në mëngjes dhe mbrëmje, e sidomos personat që kanë sëmundje kronike të Sistemit kardiovaskular dhe respirator: fëmijët dhe shtatzënat.

    Instituti rekomandon që të qëndrohet në shtëpi dhe të mos hapen dritaret, ndërsa për personat që pashmangshëm duhet të dalin të përdorin maska mbrojtëse apo të mbulojnë gojën e hundën me shallë.

    “Të reduktohet pirja e duhanit jashtë, ku ka qarkullim të njerëzve, e domosdoshmërisht të ndalohet hapësirave të mbyllura – sikur e përcakton edhe vetë Ligji dhe në hapësira të banimit, punës, shkollave dhe spitaleve.” – ka rekomanduar, ndër të tjera, IKSHPK më 23.01.2025.

    Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), të publikuara nga IKSHPK, tregojnë se mbi 500 mijë vdekje të parakohshme ndodhin çdo vit, si pasojë e ndotjes së ajrit në botë, ndërsa 9 nga 19 njerëz thithin ajër që tejkalon kufijtë e Udhëzuesit të OBSH-së.

  • Gjashtë të arrestuar në Rajonin e Prishtinës për organizim të prostitucionit – FOTO

    Në dy raste të ndara, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Prishtinës ka arrestuar gjashtë persona: pesë gra dhe një burrë, nën dyshimet për organizim prostitucioni.

    Në rastin e parë, Policia arrestoi dy gra nën dyshimin se kishin marrë një objekt banesor me qira, me qëllim të shfrytëzimit për veprën “mundësim ose detyrim në prostitucion”.

    “Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Prishtinë, pas dyshimeve për kryrje të veprës penale ‘mundësim ose detyrim në prostitucion’ kanë arrestuar dy femra shtetase të Republikës së Kosovës, pasi dyshohet se të njëjtat kishin marrë një objekt banesor me qira, me qëllim të shfrytëzimit për kryrjen e kësaj vepre.” – thuhet në njoftimin e Policisë.

    Lidhur me rastin dy të dyshuarat, me vendim të Prokurorit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Derisa, në rastin e dytë Policia njofton se arrestoi katër persona – tri shtetase të Shqipërisë dhe një shtetas të Kosovës, nën dyshimin se në dy lokale ofruan shërbime seksuale me pagesë.

    “Policia e Kosovës, respektivisht DHTNJ, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore – Prishtinë, pas dyshimeve për kryrjen e veprës penale “mundësim ose detyrim në prostitucion” dhe “ofrim i lokaleve për prostitucion” kanë arrestuar katër persona (tri femra shtetase të Republikës së Shqipërisë dhe një mashkull kosovar), nën dyshimin se të njëjtit në dy lokale në Rajonin e Prishtinës dyshohet se kanë ofruar shërbime seksuale me pagesë.” – bëhet e ditur më tej nga Policia.

    Sipas njoftimit, të gjithë të dyshuarit, me vendim të Prokurorit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Tre gjyqtarë të Supremes dhe tri zyrtare bllokohen për 40 minuta në ashensor

    Tre gjyqtarë të Supremes dhe tri zyrtare të kësaj Gjykate janë bllokuar për 40 minuta në ashensor, gjatë ditës së sotme, më 22.01.2025.

    Përmes një reagimi për media Gjykata Supreme ka njoftuar se sot, më 22.01.2025, për 40 minuta tre gjyqtarë e tri zyrtare të Gjykatës janë bllokuar brenda ashensorit dhe gjatë kësaj kohe ashensori ka pasur lëvizje të pakontrolluara dhe tronditëse.

    Në reagimin e Gjykatës Supreme thuhet se gjyqtarët e stafi janë trajtuar nga stafi mjekësor i Ndihmës së Shpejtë dhe për këtë rast është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

    Reagimi i plotë i Gjykatës Supreme – lidhur me këtë rast

    Gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe stafi mbështetës tash e një vit janë duke punuar në kushte të pasigurta pune, si pasojë e ashensorëve të cilët bllokohen dhe lëvizin në mënyrë të pakontrolluar, e të cilët janë nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    Sot, për rreth 40 minuta janë bllokuar brenda ashensorit tre gjyqtarë e tri zyrtare të Gjykatës dhe gjatë kësaj kohe ashensori ka pasur lëvizje të pakontrolluara dhe tronditëse. Gjyqtarët dhe stafi janë trajtuar nga stafi mjekësor i Ndihmës së Shpejtë dhe për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

    Rastet e ngjashme të vitit të kaluar dhe rasti i sotëm shton nevojën që kjo çështje të mos neglizhohet më tutje, por të trajtohet me seriozitet dhe institucionet kompetente ta marrin seriozisht situatën, e të krijojnë kushtet e punës – duke siguruar se jeta e gjyqtarëve dhe stafit të Gjykatës është e sigurt.

    Raportime për problemin me ashensorët në Pallatin e Drejtësisë: LINK.