Etiketë: Prizren

  • Fushata e Kurtit në Prizren – kritikon Prokurorinë

    Kandidati për Kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti bashkë me disa prej anëtarëve të listës me të cilën garon në Zgjedhjet parlamentare ka mbajtur tubim elektoral, në qytetin e Prizrenit, më 17.01.2025.

    Në tubimin në Prizren, Kurti ka folur për rrugën Prizren-Tetovë, punimet për të cilën tha se “kanë filluar dhe po ecin me shpejtësi.”

    Vlera e projektit të ndërtimit të rrugës Prizren-Tetovë është rreth 200 milionë euro – sipas Kurtit.

    “Tuneli pritet të kushtojë rreth 150 milionë euro. Me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut kemi Marrëveshje për Financimin dhe Projektimin e Tunelit. Tuneli do t’i bie mes për mes malit të Vërdopit. Ai do të jetë i gjatë gati 6km e gjysmë dhe do të jetë pra edhe më i gjatë se sa tuneli i Kalimashit, përafërsisht 600 metra.” – ka thënë Kurti.

    Kurti, më 13.08.2024, si Kryeministër i Kosovës, pa nga afër fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, përkatësisht në segmentin Struzhë – kyçja në autoudhën “Ibrahim Rugova” në Prizren.

    Sipas njoftimit të Qeverisë, vlera totale e projektit është paraparë të jetë 35 milionë euro, me gjatësi prej 20.3 km.

    Gjatë tubimit të tij elektoral në Prizren, Kurti i ka kritikuar krerët e Prokurorisë dhe ka folur për zgjedhjen e Kryprokurorit të ri.

    “Malli i huaj s’bahet i joti. Shtetin tënd s’bën me vjedh. Ktheni paret, fitoni shërbim e shpagim, ku është Z-mobile sot? Zyrtarisht Z-mobile veç një të punësuar e ka, sepse nuk iu duhen më, meqë e kanë kry plaçkitjen. E krerët e Prokurorisë qartazi kanë vdekë për së gjalli. Na duhet doemos, na nevojitet një Kryeprokuror i ri, profesionist, patriot, i ndershëm.” – ka thënë Kurti.

    Më 29.12.2024, Kurti në një intervistë në KTV e ka akuzuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn se është “regjisor” i ftesës që i është dërguar Kurtit, për të dëshmuar në Prokurori në rastin e rezervave shtetërore.

    Para Kurtit ka folur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili edhe vjen nga Prizreni.

    Sipas Çekut, janë duke e mbrojtur trashëgiminë e Prizrenit, të cilin tha se po e bëjnë gati për UNESCO dhe po investojnë në sport, sepse Prizreni do të jetë mikpritës i Lojërave Mesdhetare.

    “Po e zhvillojmë kulturën, sepse Prizrenin do ta nominojmë për Kryeqytet kulturor evropian.” – ka thënë Çeku.

    E ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se vetëm në arsim në këtë mandat kanë investuar mbi 6 milionë euro në Prizren.

    Sipas Nagavcit janë ndërtuar tashmë tri Çerdhe për 540 fëmijë të Prizrenit. Edhe dy Çerdhe të tjera janë në ndërtim e pritet të përfundojnë sivjet.

    “Në Prizren, brenda një mandati, deri në fund të këtij viti janë ndërtuar pesë Çerdhe për fëmijët e Prizrenit. A e dini se sa Çerdhe janë ndërtuar në Kosovë, në 17 vjetët e fundit? Vetëm 4 Çerdhe në të gjithë Kosovën.” – tha Nagavci.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër, lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • Prizren – Policia i sekuestron të dyshuarit pushkën e gjuetisë, pasi nuk kishte leje për gjah

    Policia në Prizren i ka sekuestruar pushkën e gjuetisë dhe shtatë fishekë një personi në fshatin Konjush.

    Sipas Policisë, më 14.01.2025, patrulla policore e kishte ndaluar të dyshuarin teksa kishte në krah pushkën e gjuetisë, si dhe me vete qentë e gjahut.

    Policia njofton se i dyshuari kishte leje për armë, por nuk kishte leje për gjah dhe në kohën kur ishte ndaluar nga patrulla policore gjuetia është e ndaluar. 

    “Në konsultim me Prokurorin i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.” – ka njoftuar Policia, më 15.01.2025.

    Rasti është inicuar si gjueti e kundërligjshme.

  • Detaje nga vjedhja e rreth 3 kg ari në një Argjendari në Prizren, dyshohet se u këput kabllo e kamerave të sigurisë

    Rreth 3 kilogramë ari dyshohet se janë vjedhur nga argjendaria “Gold 2000” në Prizren. Pronarët thanë për KALLXO.COM se për vjedhjen kanë kuptuar më 13.01.2024, kur kishin shkuar për ta hapur lokalin.

    “E kemi kuptu të hënën kur kemi shku me e hap lokalin. Dera nuk është dëmtuar, vetëm alarmi. Sasia e arit besohet se është rreth 3 kilogramë.” – thanë pronarët e kësaj Argjendarie për KALLXO.com, më 14.01.2025.

    Teksa zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi ka deklaruar se nga hetimet e para del se personi i panjohur ka arritur të depërtojë në lokal, pa e dëmtuar derën e hyrjes. Po ashtu, ai ka shtuar se i dyshuari ka dëmtuar një kabllo, e cila ka ndërprerë kamerat e sigurisë dhe më pas ka kryer grabitjen.

    “Dhe nga seti ka arritur të tërheqë gjësende të arit dhe argjendit, ku sipas pronarit besohet se është tërhequr një vlerë e konsideruar e gjësendeve.” – theksoi Vesel Gashi për KALLXO.com.

    Vjedhjen e Argjendarisë në rrugën “Adem Jashari” në Prizren, Policia e Kosovës e ka evidentuar edhe në Raportin 24-orësh, si “vjedhje e rëndë”.

    “Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona të panjohur në lokalin e tij kanë vjedhur stoli ari dhe argjendi. Lidhur me rastin është informuar edhe Prokurori, ndërsa njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin.” – thuhet në Raportin policor të datës 14.01.2025.