Etiketë: QKUK

  • Lejet për armë bëjnë bum në Kosovë

    Gjithnjë e më shumë qytetarë të Kosovës janë duke u kthyer kah armët e zjarrit – qoftë për rekreacion, qoftë për siguri.

    Për tre vjet, numri i lejeve të dhëna për mbajtje armësh është rritur për gati tre mijë.

    Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme në vend tregojnë se, vetëm gjatë vitit 2024, janë dhënë mbi 10 mijë leje të tilla.

    Arsyet që i çojnë qytetarët të armatosen, sipas saj, lidhen me pasionet e tyre për shenjëtari dhe gjah.

    Por, ekspertët e sigurisë mendojnë ndryshe – pasiguria publike, thonë ata, është ndër faktorët kryesorë.

    Këtë, në njëfarë mënyre, e konfirmon edhe Besniku, 25-vjeçar nga Prishtina, i cili është në procedura për sigurimin e lejes për armë.

    “Është e natyrshme të ndihesh më i sigurt kur ke njohuri për përdorimin e armës dhe e ke me vete”, thotë ai, duke mos dashur të identifikohet më shumë.

    Radio Evropa e Lirë bisedoi me të në fund të dhjetorit në Klinikën e Psikiatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po priste t’i kryente testet psikologjike dhe psikiatrike – të nevojshme për t’u pajisur me leje për armë.

    Jo larg tij priste edhe një tjetër qytetar, në mesin e të 20-tave, i cili u identifikua vetëm me emrin Leart.

    “Do të aplikoj për armë të shkurtër dhe armë të gjatë”, tha ai.

    “Kam dëshirë ta mbaj armën… edhe për hobi, por, normalisht, ndihem edhe më i sigurt kur e kam me vete”, shtoi Learti.

    Kush mund të pajiset me armë?

    Me Ligjin për armët në Kosovë, çdo person që ka së paku 21 vjet, mund të kërkojë leje për t’u pajisur me armë.

    Aplikuesi duhet të posedojë aftësi psiko-fizike dhe të kalojë testin teorik dhe atë praktik për përdorimin e armës.

    Po ashtu, duhet të ketë arsye të besueshme përse ka nevojë për armë, si dhe të kaluar të pastër kriminale.

    Vlerësimin e bëjnë autoritetet përgjegjëse për fushën e caktuar.

    Arma, edhe përkundër lejes, mund të konfiskohet me vendim gjyqësor, nëse poseduesi humb aftësinë e veprimit, aftësinë psiko-fizike, dënohet për vepër penale ose shkel kushtet e përcaktuara.

    Në QKUK thonë se, brenda një jave, mbi 50 persona u nënshtrohen kontrolleve te psikologu, psikiatri, neurologu, oftamologu dhe otorinolaringologu, si dhe analizave biokimike – që të gjitha të nevojshme për të kërkuar lejen e armëmbajtjes.

    Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Faton Kutllovci, thotë se ka vërejtur rritje të interesimit të të rinjve për t’u pajisur me certifikata të tilla shëndetësore.

    Ai nuk ofron shifra krahasuese, por thotë se nga fundi i shtatorit deri në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, janë lëshuar rreth 500 certifikata shëndetësore, të nevojshme për të aplikuar për lejen e armëmbajtjes, qoftë për herë të parë, apo për vazhdimin e saj.

    “Ka persona që nuk i kalojnë testet për shkak të trajtimeve të mëhershme psikiatrike, sëmundjeve psikike, abuzimit me substanca psiko-aktive etj.”, thotë Kutllovci për Radion Evropa e Lirë.

    Si shqetësim më vete ai përmend kërkesat e personave më të rinj se 21 vjeç, për t’iu nënshtruar testeve mjekësore për armëmbajtje me leje.

    “… por, natyrisht, ata nuk mund të pajisen me certifikata shëndetësore”, thotë ai.

    Raste të personave nën 21 vjeç raporton edhe Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës.

    Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë thuhet se nga prilli deri në dhjetor të vitit të kaluar, kanë qenë 64 persona nga mosha 19 deri në 24 vjeç që janë paraqitur për kontrolle mjekësore, porse nën 21-vjeçarët nuk janë lejuar t’u nënshtrohen atyre.

    Gjatë asaj periudhe kohore, në këtë spital thonë se janë lëshuar 1.027 certifikata shëndetësore për armëmbajtje.

    Trefish më shumë certifikata të tilla gjatë të vitit të kaluar ka lëshuar Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit – saktësisht 3.298.

    Të moshës 21-23 vjeç kanë qenë 129 përfitues, sipas të dhënave që ka siguruar REL-i nga ky institucion.

    Në Spitalin tjetër të Përgjithshëm – atë të Pejës – thonë se gjatë vitit 2024 kanë lëshuar 1.255 certifikata shëndetësore për armëmbajtje. Në mesin e atyre që i kanë siguruar ato, 72 persona kanë qenë deri në 23 vjeç.

    Certifikata të tilla – mbi 1.100 syresh – ka lëshuar vitin e kaluar edhe Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës.

    Zyrtarët e tij konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë se 20 për qind e personave që janë pajisur me to, kanë qenë të moshës 22-27 vjeç.

    Në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, ndërkaq, numri i certifikatave shëndetësore të lëshuara nga janari deri në fund të dhjetorit, 2024, ka qenë 1.908.

    “Në ketë vit kemi pasur edhe të rinj të moshave 21, 22 dhe 23 vjeç. Zakonisht ka dominuar mosha 40 deri mbi 65 vjeç”, thuhet në përgjigjen dërguar Radios Evropa e Lirë.

    Rritja e numrit të lejeve për armëmbajtje ndër vite

    Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës konfirmon për Radion Evropa e Lirë së në katër vjetët e fundit u ka dhënë leje për armëmbajtje 35.293 personave.

    Numri i lejeve të dhëna ka ndryshuar ndër vite – më 2021 ka qenë 7.520, më 2022 ka qenë 7.125, më 2023 ka qenë 10.458 dhe deri në fillim të dhjetorit 2024 ka qenë 10.190.

    E pyetur për arsyet e aplikuesve, MPB-ja thotë se ato lidhen kryesisht me shenjëtarinë dhe gjahun dhe se lejet që dominojnë, janë ato për armë gjahu dhe për sporte specifike.

    Sipas saj, mosha mesatare e atyre që pajisen me to, është rreth 40 vjeç.

    Në një deklaratë të mëhershme për REL-in, MPB-ja ka thënë se deri në vitin 2010 ishin rreth 35.000 armë të regjistruara në Administratën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK dhe se tani “këto armë janë duke u regjistruar gradualisht sipas Ligjit të armëve”.

    Policia e Kosovës thotë se, në baza vjetore, konfiskon mesatarisht rreth 1.500 armë të llojeve të ndryshme pa leje.

    Llogaritet se në duart e qytetarëve të Kosovës janë mbi 230 mijë armë pa leje.

    “Në periudhën janar- gusht 2024 janë konfiskuar 1.122 armë dhe 20.653 municione”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës dërguar REL-it.

    Për armëmbajtje pa leje, Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh gjoba deri në 7.500 euro ose dënim me burgim deri në 10 vjet.

    Burim Ramadani, ekspert i çështjeve të sigurisë në Kosovë, i cili më herët ka shërbyer edhe si zëvendësministër i Mbrojtjes, thotë se një nga arsyet kryesore që i nxit qytetarët e Kosovës të armatosen, është pasiguria publike.

    “Siguria nuk është vetëm aspekt fizik, është mbi të gjitha ndjenjë. Tema e sigurisë është pothuajse e vetmja në Kosovë dhe kjo, normalisht, ndikon në rritjen e ndjenjës së pasigurisë”, thotë Ramadani për Radion Evropa e Lirë.

    Policia e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë se sa ka qenë numri i vrasjeve në Kosovë në vitin 2024.

    Por, më herët, ky institucion i ka konfirmuar REL-it se në periudhën janar-tetor 2023, janë evidentuar 26 vrasje, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2022 kanë qenë 21.

    Në komunikatat e përditshme për media, policia raporton shpesh për dhunë, plagosje, grabitje e vepra të tjera penale.

    Situatë më e paqëndrueshme e sigurisë, sipas zyrtarëve, është në veriun e Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe e ndikuar nga Beogradi zyrtar./ REL

  • Aty ku mrekullitë dinë t’i bëjnë më të vegjlit e QKUK-së

    Çdo zhurmë monitori në kujdesin intensiv të Klinikës së Neonatologjisë bart peshën e shpresës, por edhe të frikës.

    Qindra fëmijë të lindur para kohe trajtohen çdo vit në këtë njësi të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Shpesh me peshë më pak se një kilogram, ata luftojnë për secilën frymë, ndërsa aparaturat përreth tyre, bashkë me stafin e profesionistëve, punojnë pa pushim.

    “Është punë shumë e ndjeshme, por e bëj me kënaqësinë më të madhe dhe pa përtesë”, thotë infermierja Antigona Ejupi, e cila në mjekimin intensiv neonatal punon për më shumë se 25 vjet.

    Në ditën kur Radio Evropa e Lirë bisedoi me të, në pjesën e parë të dhjetorit, ajo kishte nën kujdesin e saj 6-7 fëmijë të lindur para kohe.

    Në mesin e tyre ishte edhe vajza e Kosovare Pacollit nga komuna e Lipjanit.

    E vogla kishte ardhur në jetë në javën e 27-të të shtatzënisë, ndërsa normalisht do të duhej në javën e 39-të apo 40.

    “Kemi qenë të dyja në rrezik. Kam hyrë me urgjencë në operacion. Falë mjekëve, sot jemi më mirë”, thotë Kosovarja për Radion Evropa e Lirë.

    Vetë e shtrirë në Klinikën e Gjinekologjisë, për më shumë se një javë, ajo mundohej që ta vizitonte të bijën në klinikën tjetër, disa metra larg, së paku një herë në ditë.

    Qante vazhdimisht dhe kërkonte të dinte se si është gjendja e së voglës së saj.

    “Mjekët po më thonë se edhe pak kohë dhe do të ma sjellin vajzën atje ku jam unë në Gjinekologji. Jam shumë e kënaqur me kujdesin e mjekëve dhe të infermierëve këtu”, thotë nëna e pesë fëmijëve.

    Shpresë asaj dhe shumë nënave si ajo u jepte rasti i Hyrmete Llullecit nga Ferizaj, foshnja e së cilës kishte qëndruar një muaj në kujdesin intensiv të Neonatologjisë.

    “Nuk e kam besuar se do të më shpëtojë vajza, sepse lindi me një peshë të vogël, por, falë Zotit dhe kujdesit të mjekëve, sot është mirë. Një muaj ka qëndruar në mjekimin intensiv pa mua, e tash jemi bashkë këtu në repartin e Neonatologjisë”, thotë Hyrmetja, nënë e dy fëmijëve.

    Përse foshnjat lindin para kohe?

    Organizata Botërore e Shëndetësisë i quan foshnja të parakohshme ato që lindin përpara se nënat ta kenë përfunduar javën e 37-të të shtatzënisë.

    Lindja e parakohshme vjen për një varg arsyesh – shumë prej tyre ndodhin spontanisht, por disa janë edhe pasojë e arsyeve të ndryshme mjekësore, si infeksionet, diabeti, tensioni i lartë i gjakut etj.

    Megjithatë, sipas OBSH-së, në këto raste ndodh që nuk identifikohet as edhe një shkak.

    Në një raport të publikuar në vitin 2023, OBSH-ja ka vlerësuar se rreth 13.4 milionë foshnja kanë lindur para kohe në vitin 2020.

    Shkalla e lindjes së parakohshme nëpër vende të ndryshme ka lëvizur mes 4 dhe 16 për qind.

    Nga janari i vitit 2024 deri në fillim të dhjetorit, në kujdesin intensiv të Klinikës së Neonatologjisë në QKUK janë trajtuar 1.095 foshnja – në mesin e tyre 785 të lindura para kohe.

    Prej këtyre të fundit, 48 kanë lindur në spitalet rajonale të Kosovës dhe në ato private, por që më pas kanë pasur nevojë të trajtohen në Klinikën e Neonatologjisë, thotë për Radion Evropa e Lirë ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj klinike, Luan Morina.

    “Mbi 50% e punës që bëhet në kliniken tonë, ka të bëjë me lindje të parakohshme. Fatkeqësisht, duhet të them se kemi një rritje të numrit të rasteve ‘premature’, sidomos të këtyre me peshë të vogël”, thotë Morina, por nuk ofron ndonjë shifër specifike se sa apo në cilën periudhë është vërejtur rritja e numrit të rasteve.

    Ai vetëm thotë se foshnjat me peshën më të vogël të trajtuara në mjekimin intensiv neonatal, janë ato nga 500 gramë deri në 999 gramë.

    Gjatë vitit 2024, sipas tij, 61 foshnja kanë lindur mes javës së 22-të dhe 28-të të shtatzënisë dhe prej tyre 57 nuk kanë arritur të mbijetojnë.

    “Është prematuritet i thellë, që, pavarësisht kushteve, kujdesit e gjërave të tjera, është e vështirë të mbijetojnë, sepse bëhet fjalë për një papjekuri totale të foshnjave”, thotë Morina.

    Për infermieren e kujdesit intensiv në Neonatologji, Elvane Ramadani, është një moment tejet i rëndë edhe për stafin, kur bebja nuk mbijeton.

    “Nuk e di se si ta përshkruaj. Por, mundohemi t’u japim shumë forcë prindërve, sidomos nënës, e cila, në njëfarë forme, është më e lidhur me frytin e saj”, thotë Ramadani.

    Vdekshmëria e fëmijëve në Kosovë përmendet si problem serioz edhe në vlerësime të ndryshme ndërkombëtare.

    Raporti i vitit 2023 për progresin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka nxjerrë në pah se 16 në 1.000 fëmijë vdesin para se t’i mbushin 5 vjet, për shkak të sëmundjeve jongjitëse.

    Kjo shifër, sipas raportit, është tri herë më e lartë se mesatarja e BE-së.

    Në raportin e progresit të vitit 2024, ndërkaq, thuhet se “jetëgjatësia në lindje në Kosovë mbetet më e ulëta në rajon dhe shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve më e larta në rajon”.

    Por, për dallim nga fundi i viteve ’90, kur shkalla e vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë ka arritur në mbi 30 promil – që do të thotë në 1 mijë foshnja të lindura, mbi 30 kanë vdekur – kjo shifër sot është së paku për gjysmë më e vogël, nën 14 promil.

    Stafi shpreh bindjen se në rënien e shkallës së vdekshmërisë, ndër vite, kanë ndikuar: trajtimi me medikamente gjithnjë e më të avancuara, përvoja profesionale dhe edukimi i vazhdueshëm i punonjësve shëndetësorë.

    Për infermieren Antigona Ejupi, një gjë është e sigurt: kujdesi për të porsalindurit është prioritet mbi prioritetet.

    “Edhe kur jam në shtëpi, i thërras kolegët dhe i pyes për rastet – a kanë pasur ndonjë problem, a kanë shtuar peshë… Ne lidhemi shumë me to”, thotë Antigona./ REL

  • Vdes një i burgosur që po trajtohej në Klinikën Infektive në QKUK

    Një i burgosur i cili po trajtohej në Klinikën Infektive të QKUK-së ka vdekur të hënën rreth orës 21:50 minuta. Kështu ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes një njoftimi.

    “Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve njoftojnë opinionin publik se sot, rreth orës 21:50, në Klinikën Infektive të SHSKUK-së, ka ndërruar jetë i burgosuri A. M.”- thuhet në njoftim.

    I njëjti sipas njoftimit ishte pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë më 14.11.2024.

    “Në momentin e pranimit, gjendja e tij ka qenë stabile, por me të dhëna për sëmundje paraprake të mushkërive. Ai ishte duke u trajtuar për një gjendje gripale, e cila ka progreduar në mushkëri. Për këtë arsye, është dërguar për kontroll specialistike pulmologjike. Në Klinikën e Emergjencës në SHSKUK, janë konsultuar radiologu, pulmologu dhe kirurgu torakal, dhe pacienti është transferuar në Klinikën Infektive”- thuhet tutje në njoftimin e SHKK-së.

    “Gjendja e tij ka filluar të përkeqësohet dhe, përkundër angazhimit të stafit të kësaj klinike, nuk është arritur që pacienti të mbahet në jetë. Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikojë shkakun e vdekje”- përfundon njoftimi.