Etiketë: Shqipëri

  • Veriu i Shqipërisë përfshihet nga temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës

    Temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës kanë përfshirë gjatë ditës së sotme të gjithë zonën malore në veri të Shqipërisë, duke krijuar probleme në qarkullimin rrugor, por edhe në jetesën e mijëra banorëve.

    Autoritetet njoftuan se, për shkak të reshjeve të dendura të borës, është ndërprerë qarkullimi në disa prej akseve të rëndësishme rrugore si aksi rrugor Fushë Arrëz-Iballë, aksi rrugor “Bypass-Qafë Murrizë” në Dibër dhe aksi rrugor Kir- Shosh në Bashkinë e Shkodrës. Të bllokuara mbeten edhe një numër i madh i rrugëve rurale në Bashkitë: Shkodër, Pukë, Fushë-Arrëz, Kukës dhe Dibër.

    Gjatë paradites së sotme, më 12.01.2025, ka patur vështirësi në qarkullimin e automjeteve përgjatë Rrugës së Kombit, në segmentin nga Tuneli i Kalimashit deri në pikëkalimin kufitar të Morinës.

    10 borëpastruese, të firmave kontraktore, punojnë pa ndërprerje në këtë segment të rëndësishëm rrugor, që lidh Shqipërinë me Kosovën, në përpjekje për të shmangur bllokimin dhe lehtësuar lëvizjen e automjeteve dhe udhëtarëve. Borëpastrueset po punojnë edhe në akset e tjera rrugore, si atë Bogë-Theth dhe në Vermosh të Malësisë së Madhe.

    Për shkak të kushteve të rënduara atmosferike dhe rreziqeve te mundshme, Policia ka shtuar praninë e efektivëve të Policisë rrugore dhe patrullave të përgjithshme në segmentet më problematike – me qëllim monitorimin e qarkullimit të automjeteve, parandalimin e aksidenteve dhe ndihmën për përdoruesit e rrugës në nevojë.

    Temperaturat e ulëta, era e fortë dhe reshjet e dëborës kanë krijuar probleme edhe në furnizimin me energji elektrike. Thuajse të gjitha Bashkitë e zonës veriore raportuan gjatë ditës së sotme ndërprerje të energjisë. OSHEE njoftoi se grupet e saj të specialistëve ndodhen në terren për riparimin e defekteve, por vazhdimi i reshjeve të dëborës dhe stuhitë e erës e kanë vështirësuar së tepërmi punën për riparimin e shpejtë të linjave të dëmtuara të energjisë.

    Zona malore në veri të Shqipërisë përballet, thuajse çdo vit, me vështirësitë e shkaktuara nga moti gjatë periudhës së dimrit. Terreni malor, bllokimi i herëpashershëm i rrugëve që lidhin fshatrat me rrugët kombëtare, shoqëruar me nivelin e lartë të varfërisë dhe investimet e pakta, në krahasim me pjesën tjetër të vendit, vazhdojnë të nxisin largimin e banorëve, sidomos të rinjve, drejt zonave të ulëta të vendit dhe emigrimit.

    Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, përgjatë periudhës 2011-2023, Qarku i Shkodrës ka pësuar një rënie të popullsisë me 28.3%, ndërsa Qarku i Kukësit me 27.3% – duke regjistruar kështu rënien më të madhe të popullsisë përgjatë 12 vjetëve të fundit./VOA

  • Në terren të vështirë me borë, momenti i kapjes së të dyshuarit në Theth (VIDEO)

    Policia e Shtetit ka njoftuar se një person sot më 12.01.2025, ka vendosur një lëndë plasëse në derën e  një marketi në fshatin Theth, por pas tre orësh pas ngjarjes, është kapur i dyshuar.

    Sipas Policisë shqiptare, si pasojë janë shkaktuar  vetëm dëme materiale.

    “Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta profesionale kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen  në Qafë Thore dhe shoqërimin në Komisariat të shtetasit F. P., 39 vjeç”- thuhet në njoftimin e Policisë shqiptare.

    Rasti po trajtohet si “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

  • Shqipëri: Raste të reja të gripit të shpendëve në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta

    Organizatat mjedisore shprehën shqetësimin se përhapja e gripit të shpendëve përbën rrezik serioz për shpendët e egër në Shqipëri, pas rasteve të reja të zbuluara në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.

    Organizata e Ornitologëve shqiptarë, AOS tha përmes një deklarate për mediat se nga mostrat e marra, shpendët e egër që u gjetën të ngordhur më 8 Janar 2025 në zonën e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, konfirmohet se janë prekur nga gripi i shpendëve H5N1.

    Sipas organizatës, në bashkëpunim me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Fier janë realizuar më 8 Janar monitorime në zonën e Parkut Kombëtar ku u gjetën brenda një dite nëntë raste shpendësh të ngordhur.

    Rastet iu raportuan autoriteteve veterinere, që kryen analizat, të cilat dolën pozitive me gripin e shpendëve.

    Sipas organizatës mjedisore zona Divjakë-Karavasta është zona me numrin më të lartë të shpendëve të egër në Shqipëri dhe e vetmja zonë folezimi e pelikanit kaçurrel, një specie tepër e rrezikuar.

    “Sipas monitorimve të deritanishme infektimet me gripin e shpendëve përfshijnë pulëbardhat dhe dallëndyshet e detit, gjë që tregon për praninë e një epidemie që prek pak a shumë individë të së njëjtës specie”, tha organizata AOS.

    Gripi i shpendëve njihet si një sëmundje infektive me virulencë të lartë që prek kryesisht shpendët dhe në raste të rralla edhe gjitarët, përfshirë njeriun. Shenjat klinike janë vështirësi në frymëmarrje dhe ngrordhje të menjëhershme.

    Në vitin 2022, varianti H5N1 preku popullatën e Pelikanit kaçurrel duke shkaktuar rreth 2500 individë të ngordhur, shumica e të cilave në Prespën e Vogël, kolonia më e rëndësishme botërore e kësaj specie.

    Tre individë të Pelikanit kaçurrel, te prekur nga gripi i shpendëve u gjetën të ngordhur në vitin 2022 edhe në koloninë që jeton në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.

    Organizata e Ornitologëve shqiptarë u bëri thirrje autoriteteve dhe shoqatave të specializuara për monitorim në vijueshmëri për shkak se në janar të çdo viti fillon dhe folezimi në koloninë e Pelikanit dhe mundësitë për transmetim të gripit nga një individ tek tjetri janë shumë të larta.

    “I njëjti shqetësim vlen për të gjithë shpendët, sidomos ata që formojnë grupime të mëdha të përbashkëta, përfshirë fjetore dhe koloni folezuese”, tha organizata më e madhe mjedisore shqiptare për mbrojtjen e shpendëve AOS./VoA