Etiketë: Zgjedhjet

  • LDK gjobitet me 20 mijë euro – Kandidatja për deputete krahasoi Albin Kurtin me Adolf Hitlerin

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka pranuar Ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Ankesa e LVV-së ishte se kandidatja e LDK-së, Xhenetë Syka ka shpërndarë një video, përmes së cilës ka krahasuar Albin Kurtin me Adolf Hitlerin.

    Për këtë rast, PZAP ka pranuar Ankesën e LVV-së dhe ka gjobitur LDK-në me 20 mijë euro.

    LDK ka afat prej 15 ditësh që ta paguajë gjobën.

    LVV në Ankesë ka bashkëngjitur edhe linkun e videos, për të cilën është ankuar.

    Lidhja Demokratike e Kosovës, e gjobitur në këtë rast, ka kundërshtuar Ankesën – duke thënë se videoja është e përpunuar dhe se fillimisht është publikuar nga dikush tjetër.

    PZAP në Vendim thotë se kjo fotografi më vonë është fshirë nga faqja e kandidates, Xhenetë Syka.

    “Lidhja Demokratike e Kosovës ka nxitur urrejtje ndaj subjektit politik LVV, në atë mënyrë që përmes rrjetit social ka publikuar, përkatësisht shpërndarjen në faqen e saj të rrjetit social video, ku në këtë video është bërë krahasimi i personalitetit të Kryetarit të subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje me figurën e Adolf Hitlerit.” – thuhet në mes të tjerash në Vendimin e PZAP-së.

    Vendimin e plotë të PZAP-së, mund ta shihni, në këtë vegëz.

     

  • KQZ shtyn afatin për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim për shtyrjen e afatit për subjektet politike, për aplikim për akreditimin e vëzhguesve.

    Afati i paraparë të përfundonte sot më 15 janar është shtyrë për 20 janar 2025.

    Sipas anëtarëve të KQZ-së kjo shtyrje po vjen për shkak se periudha për aplikimin për akreditimin e vëzhguesve ka filluar 6 ditë më vonesë, sesa ishte planifikuar.

    Po sipas anëtarëve të KQZ-së shtyrja e këtij afati nuk pengon aspak rrjedhën e planit të aktiviteteve të miratuar më parë.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025. Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.
     

  • Policia gjermane heton AfD-në për shpërndarje të broshurave që përngjajnë me “biletat e deportimit”

    Partia e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), është përfshirë në një kundërthënie pasi ka shpërndarë broshura që përngjajnë me “biletat e deportimit” në qytetin Karlsruhe, ka raportuar të martën (14.01.2025) televizioni “Euronews”.

    Policia ka nisur një hetim ndaj degës lokale të partisë AfD në këtë qytet lidhur me posterët si “bileta deportimi” që shkaktuan kundërthënie para fushatës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 23 shkurtit.

    Broshurat, që bazohen në bileta aeroplani, po hetohen me dyshimin e nxitjes së urrejtjes racore, ka bërë të ditur policia për hetime penale në Karlsruhe. Ato paraqesin një biletë fluturimesh me logon e AfD-së në të me hollësi të manipuluar fluturimesh, me mbishkrimin “Ngritjet: Gjermani” dhe “destinacioni: vendi i sigurt i origjinës”.

    Në broshura, “AfD” është si porta e terminalit për nisje të fluturimeve, dhe në dy fjalitë pasuese shkruan: “Vetëm riemigrimi mund ta shpëtojë Gjermaninë” dhe “Edhe në vendlindje është mirë”.

    Mesazhet dhe broshurat kanë shkaktuar ankesa në mesin e publikut dhe të anëtarëve të partisë majtiste, E Majta, që kanë kërcënuar se do ta raportojnë degën e AfD-së për nxitje të urrejtjes.

    E Majta ka argumentuar se broshurat ishin shpërndarë qëllimisht në kuti postash të shtëpive me familje me të kaluar emigrante. Ato janë gjykuar si ksenofobe dhe me synim për të krijuar ndasi dhe urrejtje ndërmjet grupeve të ndryshme.

    Dega e AfD-së në shtetin e Baden-Vyrtembergut ka ngulmuar se broshurat kishin për qëllim të gjithë votuesit me një hise të madhe të tyre që jetojnë në Karslruhe, ka raportuar agjencia gjermane e lajmeve, DPA.

    Mediat gjermane kanë spikatur si fushatë të ngjashme me atë që ishte shtyrë përpara edhe prej Partisë Nacionaldemokratike të Gjermanisë (NPD), e riemërtuar si Heimat, më 2013.

    Atëherë, partia e djathtë ekstreme kishte shpërndarë bileta fluturimesh me mbishkrimin “Nga Gjermania – destinacioni vendlindja” në përpjekje për t’i dekurajuar kandidatët me një të kaluar emigrante që të garonin për deputetë. /“Euronews”

    Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com