Etiketë: fushata zgjedhore

  • Koalicioni Për Familjen nis garën për zgjedhje: Agjendës që cenon familjen po i vjen fundi

    Koalicioni për Familjen e ka hapur zyrtarisht fushatën zgjedhore me një tubim në Prishtinë më 11.01.2025.

    I pari kësaj liste, Eman Rrahmani ka thënë se subjektet tjera politike sot janë zbrapsur dhe nuk gxojnë të shtyjnë ligje që cenojnë familjen.

    “S’ka prindi 1 e 2, ka nanë, babë, grua, vajzë, djalë. Le ta harroj secili që guxon të ndryshoj familjen shqiptare. Në këtë angazhim politk ju garantoj që asnjëri nuk është bë pjesë e këtij ekipi për të përfitu, secili ka shpreh vullnetin për me mbrojt vlerën e familjes. Agjendës që cenon familjen po i vjen fundi”- u shpreh ai.

    Në këtë tubim po marrin pjesë kandidatët për deputetë të këtij koalicioni, ndërsa fjalim mbajti edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, parti e cila garon me këtë koalicion.

    Ai ka thënë ky koalicion është ai që mbron shtyllën kryesore të shoqërisë.

    Në mesin e mysafirëve është parë edhe ish-ambasadori William Walker.

    Partitë politike në Kosovë, kanё nisur qё moti tё përgatiten për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, pёrmes para-fushatave qё kanё zhvilluar tash e disa muaj.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

    Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata, në 19 shtete të ndryshme të botës.

    Përmes shortit në Zgjedhjet e 9 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të ketë numrin 118, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 124, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 131, ndërsa Koalicioni AAK-NISMA-Lista Konservatore me numër 137.

    Nga këto zgjedhje do të vendoset përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re.

    Qeveria aktuale e formuar mё 2021 në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.

    KQZ e ka certifikuar më 04.01.2025 listën përfundimtare të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës dhe ka bërë të ditur se 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote në Zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt.

  • LVV nё Gjakovё pёr hapjen zyrtare tё fushatёs, Kurti: Qeveria jonë nuk do të ju gënjej

    Lëvizja Vetёvedosje e ka hapur zyrtarisht sot mё 11.01.2025 fushatёn pёr zgjedhjet e 9 shkurtit, me njё tubim tё mbajtur nё sallёn e sporteve “Shani Nushi, nё qytetin e Gjakovёs.

    Numri dy në listën e deputetëve të LVV-së, Glauk Konjufca e mori fjalën për të falënderuar të gjithë të pranishmit, duke folur për “dallimin mes Vetëvendosjes dhe atyre që kanë qeverisur 20 vjet”.

    Ai ka përmendur shtesat për fëmijë e lehona, mbështetjen për gra, për punëtorë, rritjen e pensioneve e të tjera.

    E kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti u tha qytetarëve që Qeveria e tij nuk do t’i gënjej e zhgënjej asnjëherë.

    “Për rininë e kemi punësimin, për gratë barazinë, për opozitën e kemi opozitë, për fëmijët i kemi shtesa, për Serbinë e kemi policinë e ushtrinë e dialogun, për pleqtë e kemi pensionin, për të gjithë e kemi shëndetësinë”- u shpreh ai.

    Sipas tij, me qeverinë e tij partnerja tregtare është Shqipëria e orientimi është europian dhe euroatlantik.

    Kryeministri aktual i ka ftuar të pranishmit të votojnë, duke thënë se në këtë fushatë do të ju vjetrohen këpucët e do të ju rinohet vullneti duke takuar qytetarët lagje më lagje.

    “Janë dy parti që kanë udhëhequr më gjatë herë të ndarë e herë bashkë. LDK-ja i thotë presidentit të Serbisë ‘razume’, e PDK-ja i thotë ‘ëe are not problematik gajs”, por koalicioni jonë ne i themi ashtu siç është ‘minister i Millosheviqit”- u shpreh ai.

    Ai premtoi kompletim të infrastrukturës sportive, mbështetje deri në 1 miliard euro në ndërmarrje të mëdha prodhuese, rritje të eksportit, program multidimensional për turizmin, 10 profile të reja të mësimit dual e të tjera.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht sot, mё 11.01.2025. Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën e 9 shkurtit 2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes të cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; dhe të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

    Mërgimtarët kanë nisur më 09.01.2025 të votojnë përmes postës për Zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

     

  • Kërkesa e prindërve drejtuar partive politike: Mos i përdorni fëmijët tanë për agjenda partiake dhe rrini larg shkollave dhe nxënësve!

    Pas raportimit të KALLXO.com se nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj u ka shkuar një mesazh njoftues për mbajtjen e një mbledhjeje të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë qytet, më 09.01.2025, ka reaguar Këshilli i Prindërve të Kosovës.

    Këshilli i Prindërve të Kosovës thotë se kanë pranuar ankesa nga disa këshilla komunalë të prindërve për disa raste të keqpërdorimit të këshillave të nxënësve në disa shkolla.

    “Këshilli i Prindërve të Kosovës reagon dhe shpreh shqetësimin lidhur me keqpërdorim e grupeve të këshillave të nxënësve, të cilat janë të krijuara si trupa të pavarur për të kontribuar për përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të nxënësve dhe kushteve të tyre të mësim-nxënies dhe jo për qëllime politiko-partiake” – thuhet në reagimin e Këshillit të Prindërve të Kosovës në Facebook më 10.01.2025.

    Si Këshill i Prindërve të Kosovës e kanë dënuar çdo keqpërdorim të tillë nga çdokush dhe u kanë bërë thirrje këshillave të nxënësve që të përdoren vetëm për qëllimin mbi të cilin janë themeluar, e po ashtu ata kanë një thirrje edhe për partitë politike.

    “KPK, bënë thirrje Këshillave të Prindërve dhe Këshillave të Nxënësve që t’i kryejnë detyrat e tyre konform qëllimit për të cilin janë themeluar dhe ekzistoj dhe mos të bien pre e agjendave partiake. Po ashtu KPK, bënë thirrje të gjitha partive politike që mos t’i përdorin fëmijët tanë për agjenda partiake dhe partitë të rrinë larg shkollave dhe nxënësve!” – ka theksuar Këshilli i Prindërve.

    Po ashtu, Këshilli i Prindërve të Kosovës u ka kërkuar edhe këshillave komunalë të prindërve në Kosovë që të jenë vigjilentë gjatë kohës së fushatës zgjedhore, duke ruajtur pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre dhe të denoncojnë te ta çdo rast potencial të përdorimit të nxënësve për qëllime elektorale.

    Fushata elektorale pritet të fillojë të shtunën, më 11.01.2025.

    Në anën tjetër, mesazhi që iu dërgua nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj, ka bërë bujë të madhe në gjithë qytetin.

    Pretendohej se mesazhi u dërgua nga kryetarja e Këshillit të Nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit”, e cila është nxënëse.

    “Nesër me datë 09.01.2025 do të ketë një mbledhje në kafen X prej orës 18:30. është një lloj organizimi nga Lëvizja Vetëvendosje, ku do të jetë prezent edhe kryeministri i Kosovës. Do të ketë muzike dhe pije. Mundësisht dërgojeni këtë mesazh nëpër klasët e juaja dhe m’i dërgoni sot emrat e nxënësave të cilët do të jenë pjesëmarrës” – thuhet në mesazhin që pretendohet se u është dërguar nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit”.

    Zëvendësdrejtori i Gjimnazit, Adnan Hashani, ka thënë për KALLXO.com se kanë mbajtur një mbledhje me Këshillin e Nxënësve, në të cilin është deklaruar kryetarja e këtij Këshilli në lidhje me dërgimin e mesazhit.

    Drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, tha se është informuar në mbrëmje të datës 08.01.2025 se nga kryetarja e Këshillit të Nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” u është dërguar mesazhi nxënësve.

    Mëngjesin e të enjtes, më 09.01.2025, Llabjani tha se e ka takuar drejtorin e Gjimnazit  “Kuvendi i Arbërit”, Bajram Rexhepi. Nga ky takim, Rexhepi ka thënë se ishte informuar për këtë rast.

    “Kërkova nga drejtori [i Gjimnazit] që t’i thirrin kryetarët e këshillave të klasëve, secilës klasë, edhe kryetaren e Këshillit të Nxënësve, ta bisedojnë këtë çështje, pastaj duhet m’i shiqu edhe pjesët e tjera, aspektet e tjera ligjore, udhëzimet administrative se çka mund të bëjmë ne në këtë drejtim” – ka treguar Llabjani përmes telefonit për KALLXO.com.

    Sipas Llabjanit, nxënësit nëse janë në proces mësimor gjatë kohës që mbahet mbledhja e LVV-së, nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në atë mbledhje.

    “Unë po besoj që nxënësit nuk marrin pjesë edhe nuk duhet të marrin pjesë në këto aktivitete, sepse ata janë, e para janë të mitur që nuk i takojnë moshës madhore për të votuar, e dyta – mund të jenë të manipuluar” – ka theksuar Llabjani.

    Zëvendësdrejtori Hashani ka treguar se çka kanë biseduar në mbledhjen që ka mbajtur Këshilli i Nxënësve të Gjimnazit.

    Sipas Hashanit, nxënësja është mashtruar prej Këshillit të Nxënësve në nivel komunal.

    Hashani tha se nxënëses i është kërkuar nga kryetari i Këshillit të Nxënësve të Ferizajt që ta shpërndajë mesazhin te nxënësit, i cili sipas tij edhe është shpërndarë te të gjithë nxënësit e Gjimnazit.

    “Kryetarja e ka sqaru se si ka rrjedhë çështja. U kanë kërkesë, kjo ka ra pre e mashtrimit me thanë edhe e ka shpërnda mesazhin. Nxënësit e mirëkuptuan edhe nuk pat naj kërkesë për naj masë diçka” – tha Hashani.

    “Ata kanë kërku ose ai ka kërku me shpërnda mesazhin tek kryetarët e klasëve, nëse dëshirojnë me shku në takim me kryeministrin… Ajo e pranoi që ka gabu, s’e ka mendu që është çështje politike edhe e ka shpërnda” – ka shtuar Hashani.

    Hashani tha se nxënësja vazhdon të jetë kryetare e Këshillit të Nxënësve të Gjimnazit, pasi nuk kishte kërkesë për ta shkarkuar nga kjo pozitë.

    Hashani pretendon se mesazhi që u është dërguar nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” është shpërndarë edhe në shkollat e tjera të Ferizajt.

    KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e Këshillit të Nxënësve të Ferizajt. Ai është nxënës i Shkollës Ekonomike “Faik Konica” në Ferizaj dhe ka thënë se e ka parë në internet lajmin që Lëvizja Vetëvendosje do të jetë në Ferizaj më 09.01.2025.

    Ai tha se e ka dërguar mesazhin në mënyrë shoqërore në një grup në Viber në të cilin janë të gjithë kryetarët e këshillave të nxënësve të shkollave në Ferizaj.

    “Ia kam çu mesazhin, ata nuk e kanë kuptu, kanë shku te drejtorat, t’u mendu që jam t’u dashtë m’iu thanë – shkoni patjetër… Tani drejtorat më kanë kontaktu krejt mua përveç drejtorit të Arsimit, ama unë u kam tregu edhe drejtorave tjerë edhe drejtorit të shkollës tem që ai nuk u kanë tendencë, se na jena institucion, na s’kena drejt m’u përzi me parti politike hiç” – ka treguar nxënësi.

    Drejtori i Shkollës Ekonomike “Faik Konica” dhe Këshilli i Nxënësve të kësaj shkolle e kanë mbajtur një takim me kryetarin e Këshillit të Nxënësve në nivel komunal. Nxënësi tha se pritet që të merret ndonjë masë ndaj tij nga ana e Këshillit të shkollës.

    Ai e ka mohuar se do të shkojë në mbledhjen e Lëvizjes Vetëvendosje të enjten, më 09.01.2025.

    KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Ditjon Fetahun, drejtor ekzekutiv i organizatës “Kosovo Youth Council (KYC)”.

    Në baza vullnetare KYC ndihmon në zgjedhjen e kryetarit të Këshillit të Nxënësve në nivel komunal.

    Fetahu përmes telefonit ka thënë se kanë dëgjuar për këtë rast dhe janë duke u frikësuar se nuk është vetëm në Ferizaj.