Etiketë: izraeli

  • Izraeli kryen sulme hakmarrëse ndaj rebelëve Huthi

    Avionët luftarakë izraelitë kanë shënjestruar rebelët Huthi në Jemen më 10 janar, përfshirë një stacion të energjisë dhe portet detare, në përgjigje të sulmeve me dronë dhe raketa të kryera nga rebelët.

    Izraeli po ashtu ka paralajmëruar se do të shënjestrojë udhëheqësit e grupit.

    Që kur ka nisur lufta në Gazë në tetor të vitit 2023, rebelët Huthi, që mbështeten nga Irani, kanë gjuajtur dhjetëra raketa dhe dronë drejt Izraelit, për, siç kanë thënë, t’u solidarizuar me palestinezët në Rripin e Gazës.

    Sulmet ajrore izraelite vijnë pasi ushtria e Izraelit rrëzoi dy dronë që besohet se ishin lëshuar nga Jemeni një ditë më parë.

    Ushtria izraelite tha se ka shënjestruar caqe ushtarake të rebelëve Huthi në zonën bregdetare dhe në pjesë të tjetra të Jemenit.

    Sulmet, sipas Izraelit, ishin kundërpërgjigje ndaj sulmeve të rebelëve kundër këtij shteti.

    Izraeli tha se në këtë sulm morën pjesë mbi 20 avionë luftarakë.

    Më pas, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha përmes një deklarate se rebelët jemenas u ndëshkuan për sulmet e tyre të vazhdueshme ndaj shtetit të tij.

    “Siç kemi premtuar, rebelët Huthi po paguajnë dhe ata do të vazhdojnë të paguajnë çmim të lartë për agresionin kundër nesh”, tha ai, duke u zotuar se nuk do të tolerojë sulme ndaj Izraelit.

    Pavarësisht dëmeve minimale, për shkak se sistemet izraelite të mbrojtjes kanë rrëzuar shumicën e raketave dhe dronëve të rebelëve, rebelët jemenas kanë penguar në mënyrë të ndjeshme jetën e civilëve në Izrael.

    Ndërkaq, rebelët Huthi thanë se në 48 orët e fundit kanë shënjestruar Jafan, emrin që ata përdorin për t’iu referuar qytetit Tel Aviv të Izraelit.

    Që nga 7 tetori 2023, Izraeli lufton në Gazë kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – grup që ka dënuar sulmet e fundit izraelite në Jemen.

    Rebelët Huthi që nga nisja e luftës në Gazë po ashtu kanë shënjestruar anijet në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, duke nxitur sulme hakmarrëse nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania./REL

  • Papa e kritikon Izraelin, e quan “të turpshme” situatën në Gazë

    Papa Françesku intensifikoi kritikat e tij ndaj fushatës ushtarake të Izraelit në Gazë – duke e quajtur situatën humanitare në enklavën palestineze si “shumë serioze dhe të turpshme”.

    Në adresimin vjetor para diplomatëve, që në emër të Papës e mbajti një nga këshilltarët, Françesku duket se iu referohej vdekjeve të shkaktuara nga i ftohti në Gazë – territor ku pothuajse nuk ka fare energji elektrike.

    “Ne nuk mund të pranojmë në asnjë mënyrë bombardimin e civilëve.” – u tha në fjalimin e Papës, që u lexua nga këshilltari i tij.

    “Ne nuk mund të pranojmë që fëmijët të ngrijnë për vdekje sepse Spitalet janë shkatërruar apo se është sulmuar Rrjeti energjetik i vendit”.

    Papa pritej që personalisht të mbante fjalimin, por i kërkoi një këshilltari të tij që ta bënte në emër të tij, pasi Ati i Shenjtë është duke u rikuperuar nga një ftohje.

    Fjalimi ishte pjesë e adresimit para emisarëve të akredituar në Vatikan nga afër 184 shtete. Ambasadori izraelit në Selinë e Shenjtë ishte i pranishëm në këtë ngjarje.

    Françesku zakonisht është i kujdesshëm që të mos mbajë anë në konflikte. Por, së fundi ai ka qenë më i zëshëm për fushatën ushtarake të Izraelit në Gazë dhe ka sugjeruar që komuniteti global duhet të hetojë, nëse ofensiva përbën gjenocid ndaj popullit palestinez.

    Në dhjetor, një ministër izraelit publikisht e kishte kundërshtuar këtë sugjerim të Atit të Shenjtë.

    Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

    Fushata hakmarrëse ushtarake e Izraelit në Gazë ka lënë të vrarë më shumë se 46.000 palestinezë – sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor. Kjo Ministri ka thënë se mbi gjysma e viktimave ishin gra dhe fëmijë. Izraeli pretendon se ka vrarë më shumë se 17.000 militantë, por nuk ka dhënë prova për këtë pretendim.

    Izraeli ka shkatërruar pjesë të mëdha të territorit dhe lufta ka detyruar afër 90% të popullsisë, prej 2.3 milionë banorësh që të zhvendosen, shpesh disa herë./REL

  • Dhjetëra të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë mes përpjekjeve të shtuara për armëpushim

    KAJRO – Mjekët palestinezë njoftuan të mërkurën për dhjetëra të vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazësndërsa bisedimet për një armëpushim të mundshëm vazhduan në Katar dhe forcat izraelite gjetën trupin e të paktën një pengu në një tunel në afërsi të Rafahut.

    Punonjësit mjekësorë palestinezë thanë se një sulm ajror izraelit shkaktoi vdekjen e të paktën 10 personave në një shtëpi shumëkatëshe në lagjen Sheik Raduan, në qytetin e Gazës, dhe 10 të tjerë u vranë në pjesë të tjera të qytetit.

    Në Deir Al-Balah, qytet në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, ku qindra mijëra palestinezë të zhvendosur po strehohen, dhe në Xhabali, kampin më të madh të refugjatëve nga tetë kampe të tilla në Gazë, shtatë persona u vranë, sipas tyre.

    Ushtria izraelite tha se ka goditur militantët e Hamasit, të cilët po vepronin në një ndërtesë shkolle në kampin e Xhabalisë dhe theksoi se ndërmori masa për të minimizuar rrezikun ndaj civilëve.

    Shifra të tilla viktimash janë bërë përditshmëri në Gazë, ku rreth 46,000 palestinezë janë vrarë gjatë luftimeve 15 muajshe të Izraelit ndaj Hamasit, sipas zyrtarëve shëndetësorë në këtë territor.

    Ndërkohë që Izraeli po vazhdon bombardimet, Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti po bëjnë përpjekje intensive për të arritur një marrëveshje armëpushimi. Një burim pranë bisedimeve vlerësoi se përpjekjet aktuale janë përpjekjet më serioze të bëra deri më tani për të arritur një marrëveshje.

    Administrata aktuale amerikane ka bërë thirrje për një përpjekje të fundit për arritjen e një marrëveshjeje para largimit të Presidentit Biden dhe shumë në rajon e shohin inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Donald Trump më 20 janar si një afat jozyrtar për arritjen e saj.

    “Gjërat janë më mirë se në të kaluarën, por ende nuk ka marrëveshje”, i tha një burim agjencisë Reuters.

    I dërguari i posaçëm i zotit Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff tha gjatë orëve të vona se shpresonte që do të ketë lajme të mira për pengjet izraelite deri në ditën e betimit të zotit Trump si president. Një marrëveshje do të përfshinte edhe lirimin e palestinezëve që mbahen në burgjet izraelite.

    Ndërkohë që vazhduan bisedimet të mërkurën, forcat izraelite njoftuan se kanë gjetur trupin e pengut beduin Youssel Al-Ziyadna dhe prova të cilat sugjerojnë se edhe djali i tij, Hamza, që u mor peng në të njëjtën ditë, mund të ketë vdekur.

    “Do të vazhdojmë të bëjmë çdo përpjekje për t’i kthyer pengjet, të gjallë apo të vdekur”, deklaroi Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përmes një deklarate.

    Spitalet nën kërcënim

    Organizata bamirëse Mjekët Pa Kufij paralajmëroi se tre spitale në Gazë janë buzë kolapsit për shkak të mungesës së karburanteve. Mbyllja e tyre rrezikon jetën e qindra pacientëve dhe të foshnjeve, sipas saj.

    Izraeli mohon se po pengon futjen e ndihmave humanitare në Gazë dhe thotë se po lehtëson shpërndarjen e ndihmave nga qindra kamionë me ushqime, ujë, ilaçe dhe tenda.

    Izraeli e filloi operacionin në Gazë pas sulmit të Hamasit ndaj vendbanimeve izraelite me 7 tetor të vitit 2023, që shkaktoi vdekjen e 1,200 personave dhe gjatë të cilit militantët morën 250 pengje, sipas të dhënave izraelite.

    Luftimet në Gazë kanë shkatërruar pjesën më të madhe të enklavës. Shumica e 2.1 milionë banorëve të Gazës janë zhvendosur disa herë dhe ata po përballen me mungesë të vazhdueshme ushqimesh dhe ilaçesh, sipas organizatave humanitare.

    Të mërkurën, Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Shoqata e Hënës së Kuqe thanë se shiu i rrëmbyeshëm dhe vërshimet kanë kapluar tendat e familjeve të zhvendosura, duke i mbushur deri me 30 centimetra ujë. “Ato mezi po mbijetojnë pa gjërat më bazike, siç janë batanijet”, sipas organizatave.

    Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëra-tjerin për bllokimin e marrëveshjes për armëpushim dhe lirimin e pengjeve duke mos bërë lëshime për kushtet e vendosura, duke i dështuar të gjitha përpjekjet gjatë këtij viti.

    Të martën, Hamasi këmbënguli ndaj kërkesës së tij, duke thënë se do t’i lirojë pengjet e mbetura nëse Izraeli pajtohet t’i jap fund luftës dhe të tërheqë të gjitha forcat e saj nga Gaza. Izraeli thotë se nuk do t’i japë fund luftës deri në shkatërrimin e Hamasit dhe deri në lirimin e të gjitha pengjeve./VOA