Etiketë: Lufta

  • “Shumë afër” ujdia për armëpushimin në Gazë – thotë Katari

    Bisedimet po rifillojnë në Doha për një Marrëveshje armëpushimi në Gazë dhe për lirimin e pengjeve izraelite, pasi ndërmjetësi kryesor, Katari thotë se një ujdi është “shumë afër” – raporton të martën, më 14.01.2025, BBC.

    Një zyrtar palestinez në rrjedhë me negociatat ka treguar për BBC-në se, për herë të parë prej nisjes së luftës, delegacionet nga Izraeli dhe “Hamasi” po mbajnë bisedime indirekte në të njëjtën ndërtesë.

    Korrespondenti i BBC-së në Gazë, Rushdi Abualouf, ka theksuar se Marrëveshja do të rezultonte me veprime të ndara në faza, me tri pengje të cilat do të liroheshin në ditën e parë dhe Izraeli do të fillonte të tërheqë trupat pas kësaj.

    Të dërguarit e Bidenit, ashtu edhe të presidentit të sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, kanë pretenduar meritën për përparimin e bisedimeve, por inaugurimi javën tjetër i Trumpit ka sjellë presionin e një afati domethënës – shkruan Tom Bateman i BBC-së.

    Lufta u shkaktua nga sulmi i “Hamasit” në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, në të cilin rreth 1200 njerëz u vranë dhe 251 të tjerë u morën në Gazë si pengje.

    Izraeli nisi një ofensivë ushtarake në Gazë si kundërpërgjigje dhe Ministria e Shëndetësisë e enklavës e drejtuar nga “Hamasi” thotë se më shumë se 46 mijë njerëz janë vrarë atje gjatë luftës.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Seuli: Koresë së Veriut i janë vrarë e plagosur mbi tremijë ushtarë në Ukrainë

    Koresë së Veriut  mund t’i jenë vrarë dhe plagosur më shumë se tremijë ushtarë në Ukrainë – duke përfshirë 300 vdekje dhe mbi 2.700 raste të plagosjes dhe lëndimit.

    Kështu i ka thënë një deputeti të Koresë Jugore Agjencia vendase e spiunimit – ka raportuar të hënën, më 13.01.2025, Agjencia e lajmeve Reuters.

    Autoritetet e Koresë Veriore duket se po u bëjnë thirrje ushtarëve të vet që të bëjnë vetëvrasje, duke hedhur veten në erë për t’iu shmangur rënies në duar të ukrainasve – ka thënë deputeti jugkorean, duke iu referuar Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës (NIS).

    Ushtarët e kapur të Koresë Veriore nuk kanë treguar qëllimin për t’u kthyer në Korenë Jugore, megjithëse Seuli do të bashkëpunonte me Ukrainën nëse do të kishte një kërkesë të ngjashme – ka raportuar Agjencia e lajmeve Yonhap, duke iu referuar NIS-it.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Studimi: Numri i vdekjeve në Gazë, 41% më i lartë se shifrat e bëra publike

    Një studim i ri i publikuar në revistën “The Lancet” arrin në përfundimin se numri i të vdekurve nga lufta e Izraelit kundër militantëve të Hamasit në Gazë është shumë më i lartë se shifrat zyrtare – të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë e këtij territori, që kontrollohet po nga Hamasi.

    Korrespodenti i Zërit të Amerikës në Londër, Henry Ridgwell bisedoi me bashkautoren e këtij studimi.

    Një studim i ri i publikuar në revistën prestigjoze “The Lancet” thotë se numri i viktimave të luftës në Gazë është rreth 64 mijë, rreth 40% më i lartë se shifrat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë e Rripit të Gazës, që kontrollohet nga Hamasi.

    Studimi tregon se zyrtarët e Gazës e kanë ulur numrin e vdekjeve me më shumë se 40%, gjatë periudhës 7 tetor 2023 dhe 30 qershor 2024.

    “Në realitet, vdekshmëria mund të jetë më e lartë nëse përfshijmë gjithashtu ata të cilët kanë humbur jetën, pasi nuk kanë patur qasje te Kujdesi shëndetësor, vdekjet nga goditjet në zemër apo sëmundjet infektive, vdekjet e grave shtatzëna që nuk mund të kenë patur qasje te mjeku gjatë lindjes.” – thotë Zeina Jamaluddine, bashkautore e studimit në revistën “The Lancet” .

    59% e viktimave ishin gra, fëmijë dhe të moshuar, sipas Raportit të revistës “The Lancet” – shifër kjo pothuajse e njëjtë edhe me studimet e tjera.

    Studimi i fundit nuk përfshin numrin e luftëtarëve të Hamasit në mesin e të vdekurve.

    Ambasada e Izraelit në Londër i tha Zërit të Amerikës përmes një deklarate se “çdo informacion që rrjedh nga Gaza nuk mund të besohet dhe nuk mund të injorohet historia e revistës ‘The Lancet’ për njëanshmërinë kundër Izraelit”.

    Zëri i Amerikës nuk është në gjendje të verifikojë shifrat, pasi Izraeli nuk i lejon gazetarët në Gazë.

    Studiuesit ndërthurën tre burime: Ministrinë e Shëndetësisë së Gazës që drejtohet nga Hamasi, një studim në internet të vdekjeve të raportuara dhe nekrologjitë në mediat sociale – thotë bashkautorja e studimit.

    “Është e rëndësishme që brenda secilës listë të mos kemi dyfishime, kështu që nuk duam të kemi të njëjtin person të përmedur disa herë. Më pas i krahasuam listat.” – thotë Zeina Jamaluddine, bashkautore e studimit në revistën “The Lancet” .

    E njëjta teknikë është përdorur për të vlerësuar vdekjet në konflikte të tjera – thotë bashkautorja e studimit.

    “Është përdorur në Sudan dhe Jemen. Është përdorur edhe në Kosovë dhe disa nga këto prova janë përdorur në GJND [Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë” – thotë Zeina Jamaluddine, bashkautore e studimit në revistën “The Lancet”].

    Izraeli e filloi luftën kundër Hamasit në Gaza pas sulmit të grupit militant më 7 tetor të vitit 2023, i cili vrau më shumë se 1200 njerëz, kryesisht civilë.

    Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe të tjerë e kanë cilësuar Hamasin si organizatë terroriste./VOA